VIDEO/ Një gol dhe dy penallti të pritura nga Frashëri në 3 minuta, Ballkani largohet me kokën lart nga Liga e Konferencës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 3, 2022 | 23:23

VIDEO/ Një gol dhe dy penallti të pritura nga Frashëri në 3 minuta, Ballkani largohet me kokën lart nga Liga e Konferencës

Ballkani e ka mbyllur në fazën në grupe aventurën e vet në Ligën e Konferencës, ku në ndeshjen e fundit të luajtur sot është mundur me shifrat 1-0 në fushën e CFR Kluzh në Rumani.

ballkani 1

 

Skuadra e Dajës ka zhvilluar një ndeshje shumë të mirë dhe vetëm një pavëmendje në fillimin e sfidës i kushtoi shumë shtrenjtë teksa solli golin e ekipit vendas. Më pas, ajo kishte kontrollin e lojës, ndërsa duhet theksuar se Stivi Frashëri u bë protagonist duke pritur një penallti dhe më pas përsëritjen e saj.

Por në fund dëshira e mirë nuk mjaftoi dhe skuadra vendase iu gëzua fitores dhe kualifikimit, ndërsa Ballkani largohet nga Europa me ndjesinë se mund të kishte qenë edhe më shumë protagoniste në një edicion i cili gjithsesi do të mbetet historik për të.

CFR KLUZH-BALLKANI 1-0
17′ Boateng

NGJARJET KRYESORE

90’ Jepen 5 minuta shtesë.

84’ Rrahmani nis një top interesant në qendër për Thaqin, por Skufet del dhe kontrollon duke shmangur rrezikun para portës së tij.

80’ Ballkani ka kontrollin e plotë të manovrës, teksa rumunët janë pozicionuar mirë në mbrojtje të rezultatit që u nevojitet për kalimin e turit.

75’ Përsëri tentojnë nga jashtë zonës kosovarët. Këtë herë me Korenicën i cili gjuan në qendër dhe ia bën më të lehtë Skufet që të kontrollojë topin.

71’ Predhë e Kuç nga rreth 20 metra, gjuajtja e tij grushtohet me vështirësi nga Skufet i cili shmang golin e barazimit.

64’ Bekteshi dhe Kardozo marrin vendin e Berishës dhe Zybës.

60’ Stivi Frashëri bën një tjetër pritje fantastike, duke ndalur këtë radhë gjuajtjen drejt katërkëndorit të Burça i cili rrezikoi me kokë pas një goditje dënimi.

57’ Jashanica provon të bëjë një gol spektakolar me një gjuajtje të fortë nga gjysmëfusha e Ballkanit, por Skufet kthehet në portë dhe mbërthen sferën.

52’ Thaqi harkon në zonë nga një goditje dënim në të djathtën, Rrahmani gjuan me kokë por çon topin mbi traversë.

46’ Nis pjesa e dytë pa zëvendësime në radhët e dy ekipeve.

45+2’ Mbyllet pjesa e parë me avantazhin minimal 1-0 të vendasve.

40’ Ballkani ka tashmë kontrollin e topit teksa po mundohet që të gjejë hapësira për të barazuar rezultatin

35’ Frashëri pret edhe gjuajtjen e dytë të Deac dhe këtë herë nuk ka kthim mbrapa.

33’ Frashëri pret gjuajtën e Deac, por mes protestave të kosovarëve, gjyqtaria bën shenjë se goditja duhet të përsëritet pasi portieri ka lëvizur nga vija e portës.

32’ Penallti për CFR Kluzh! Pas një aksioni të Malele, Emërllahu e rrëzon në zonë dhe gjyqtari nuk heziton të bëjë me shenjë nga pika e bardhë.

30’ Korenica këtë herë nis Thaqin në krahun e djathtë dhe ky i fundit harkon drejt shtyllës së dytë, por me më shumë forcë se sa duhet duke ia dhuruar topin kundërshtarëve.

29’ Korenica provon me një gjuajtje të fortë në hyrje të zonës rumune, por nuk ka shënjestrën për të dërguar sferën në rrjetë me topin që kalon mbi traversë.

19’ Thaqi tenton menjëherë të gjejë barazimin, por Skufet pret në zonë.

17’ Vjen goli i avantazhit të CFR Kluzh! Pas zhvillimit të një goditje nga këndi, kampionët e Kosovës nuk ia dalin të largojnë topin nga zona dhe Boateng përfiton nga një devijim i Potokut për të çuar sferën në rrjetë.

14’ Jeboah ka mundësinë e artë për të shënuar për CFR Kluzh, por gjuajtja e tij devijohet jashtë nga Jashanica.

12’ Rrahmani merr një pasim ideal në qendër, por gjuajtja e tij fluturon lart mbi traversë.

8’ Ballkani provon me disa topa të gjatë drejt Korenicës dhe Berishës, por pa gjetur hapësirat për të gjuajtur në portën e skuadrës rumune.

3’ Jeboah gjuan me kokë pas një goditje dënimi të harkuar në zonën e Ballkanit, Frashëri është i qetë dhe pret në pozicion.

1’ Nis dueli në Rumani.

FORMACIONET ZYRTARE

kluzh ballkani

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"