VIDEO/ Nerva dhe tension pas humbjes me Lacion, Alegri diskuton ashpër me Kielinin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 15, 2017 | 10:48

VIDEO/ Nerva dhe tension pas humbjes me Lacion, Alegri diskuton ashpër me Kielinin

Zhgënjimi i Juven tusit për finalen e humbur ishte shumë i madh, aq sa trajneri Masimiliano Alegri dhe mbrojtësi Xhorxho Kielini nuk i lënë kohë njëri-tjetrit për të diskutuar gabimet e bëra nga skuadra. Nuk presin të shkojnë në dhomat e zhveshjes, por flasin me tone të ashpra në fushën e lojës menjëherë sapo përfundon ndeshja.

Alegri dhe Kielini

Telekamerat nuk e kanë humbur këtë moment dhe kanë fokusuar për më shumë se 15 sekonda dialogun mes trajnerit dhe veteranit të mbrojtjes. Ndoshta nuk ka asgjë për ta dramatizuar, por fakti që palët flasin aq ashpër me njëri-tjetrin tregon se nuk është kapërdirë kjo humbje e befasishme, e dyta në finale, pas asaj të Kardifit.

Sipas gazetës “Tuttosport”, trajneri e ka kritikuar ashpër mbrojtësin për mënyrën se si ekipi i tij po luante në minutat shtesë. Alegri pretendonte më shumë vëmendje dhe përgjegjësi nga senatorët për të bërë gjithçka që ta çonin ndeshjen në shtesë.

Ai besonte se në 30 minuta, Juventusi do të triumfonte për shkak se do të ishte më i motivuar dhe do të shfrytëzonte entuziazmin nga barazimi i ardhur në minutat e fundit. Trajneri bardhezi nuk ka qenë aspak dakord me mbrojtësin dhe i ka shprehur habinë pse skuadra ishte shumë e lodhur në momentet e fundit dhe u duk sikur i mbaroi benzina.

Alegri është shumë i rebeluar, por përballë ka një “doktor” dhe Kielini vendos dorën përpara për të mos u dhënë mundësi kamerave të lexojnë buzët e tyre.

Madje, veterani i mbrojtjes ishte shumë më i qetë sesa trajneri i tij. E përditshmja italiane “Gazzetta Dello Sport” në versionin online shkruan se Alegri dhe Kielini po diskutojnë për De Shiljon.

“Matia duhet ta nxirrte topin jashtë dhe të mos e linte kundërshtarin të avanconte në zonë”, i ka thënë Alegri. Tonet e ashpra, diskutimet dhe sherret duket se janë në modë në shtëpinë bardhezi. Ishin pikërisht ato që larguan Bonuçin dhe Dani Alveshin, por “Zonja” vazhdon të besojë se është më e fortë se një vit më parë…

Përgatiti: GENTJAN ALINANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"