VIDEO/ Ndeshje spektakolare në Elbasan, Kukësi i shkakton humbjen e parë Tiranës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 21, 2019 | 20:53

VIDEO/ Ndeshje spektakolare në Elbasan, Kukësi i shkakton humbjen e parë Tiranës

Kukësi fitoi me shifrat 2-1 supersfidën e javës së pestë përballë Tiranës, takim i luajtur në “Elbasan Arena”.

kukesiiii

Pjesa e parë nisi menjëherë me disa tentativa të vendasve drejt portës së Bakajt, por goli i avantazhit erdhi që në minutën e 17-të. Abazaj përfitoi pas një sparkate të Osmanit, dhe doli i vetëm me Bakajn duke tundur rrjetën.

Ekipi i Memës provoi të reagonte, por Kobina u ndal nga Xhika. Në krahun tjetër, rast pati edhe Shkurtaj, por Bakaj u tregua në krye të detyrës. Me kokë kishte sërish shans Kobina, por Xhika sërish tregoi pse ishte titullar sot.

Pjesa e parë u mbyll me avantazhin minimal 1-0, ndërsa vetëm 3 minuta pasi nisi e dyta, ishte Shkurtaj që me kokë, shënoi pas një asistimi mjaft të bukur nga Gavazaj. Ekipi i Duros në një avantazh të dyfishtë, administronte lojën, ndërsa provonte Tirana. Pas shumë tentativash, goli i parë për Tiranën erdhi vetëm në minutën e 83-të.

Ngo kaloi mjaft bukur dy mbrotjës nga e majta, dhe pasoi për Kobina i cili me rrjetën e boshatisur nuk e kishte të vështirë ta çonte topin në portë. Deri në fund ekipi i Memës kërkoi me ngulm golin e barazimit, por mbrojtja verilindore rezistoi.

Kështu, Kukësi fitoi 2-1 ndaj Tiranës, duke i shkaktuar bardhebluve humbjen e parë në këtë kampionat.

 

FT | Kukësi-Tirana 2-1

GOLAT: Abazaj 17′, Shkurtaj 48′ / Kobina 83′

 

KOMENTI LIVE

Mbyllet takimi. Kukësi-Tirana 2-1

93’ Musolli shkakton faull dhe arbitri e ndëshkon me të verdhë. Në këto momente, ka edhe tension mes lojtarëve të të dy ekipeve.

92’ Ndëshkohet me kartonin e verdhë Osmani, për protesta.

91’ Drithërima te porta e Xhikës. Muçi godet fort, por qëndrore dhe Xhika kontrollon.

90′ 5 minuta shtesë

88’ Duro kryen edhe ndërrimin e tretë. Daku në vendin e Shkurtajt.

85’ Karton i verdhë për Ngo, për një shtyrje ndaj kundërshtarit.

83’ GOOOOOOL TIRANA 2-1/ Ngushtojnë shifrat bardheblotë. Kobina shënon për ekipin e Memës. Ngo shmang dy mbrojtës në të majtë, dhe i jep Kobinasë një rast të artë që nuk ka si ta humbë.

82’  Kobina kroson në zonë, por Teqja me kokë zbraz zonën.

80’ Duro kryen ndërrimin e dytë. Abazaj i lë vendin Kotobellit.

79’ Shkurtaj kalon Dokën, dhe del i lirë në zonë, por gabon në momentin e fundit, sepse mund të shënonte edhe të tretin.

75’ Zëvendësimi i parë te Kukësi. Gavazaj lë fushën, futet Lulaj.

74’ Top i gjatë për Rrocën, që del vetëm me Bakajn, por ky i fundit ulet me kokë dhe largon topin.

73’ Kobina në fundoren e djathtë futet brenda zone teksa kalon Kitanovskin, kroson, por Ngo me kokë godet shumë mbi traun e Xhikës.

72’ Shkurtaj lëviz bukur dhe shmang mbrojtjen e Tiranës, kërkon të pasojë në të majtë për shokët e tij, por aty nuk gjendet askush dhe largon rrezikun mbrojtja bardheblu.

71’ Torasa nga e djathta kroson, por largon mbrojtja verilindore, teksa aty ishin Batha e Ngo që prisnin të godisnin.

69’ Ndëshkohet edhe Hoxhallari me karton të verdhë, për një faull ndaj Obanor.

67’ Mema kryen edhe ndërrimin e tretë. Muçi në fushë, në vendin e Kale.

62’ Ngo rrëzohet pas një krosimi nga e djathta, por Hamiti nuk mendon se ka penallti për Tiranën.

60’ Maliqi i ndërhyn Hasanit nga pas, dhe ndëshkohet me të verdhë nga arbitri.

56’ Obanor gjuan nga goditja e dënimit, por topi devijohet në murin mbrojtës dhe shkon në goditje këndi.

54’ Karton i verdhë për Kale, për një faull ndaj Gavazajt.

53’ Dy ndërrime të Memës. Dalin Vangjeli dhe Halili, në fushë Doka dhe Torasa.

52’ Ngo bën gjithçka mjaft mirë në të majtë, i shmanget Teqjas, pason në krahun tjetër për Kobina, por ky i fundit bën më të vështirën duke e çuar jashtë.

50’ Ndëshkohet edhe me të verdhë Halili.

50’ Shkurtaj pason për Abazajn, ky i fundit futet në zonë dhe godet, por Bakaj e çon në goditje këndi.

48’ GOOOOOOL KUKËSI 2-0/ Shënojnë të dytin verilindorët. Shkurtaj autor i golit. Gavazaj kroson, dhe vlonjati me kokë nuk fal vetëm me Bakajn.

46’ Nis pjesa e dytë. Trajnerët me ekipet në fushë pa asnjë ndryshim nga pjesa e parë.

Mbyllet pjesa e parë. Kukësi-Tirana 1-0

46’ Kobina kërkon të nisë Halilin, por pasimi shumë i fortë dhe mbrojtja e Kukësit shoqëron topin jashtë vijave.

45′ 1 minut shtesë.

44’ Kale kroson lart nga një goditje dënimi, dhe i sigurt del e kontrollon topin Xhika.

42’ Osmani avancon deri në sulm, kërkon të pasojë për Halilin, por Kitanovskin e mbyll.

42’ Abazaj tenton të kalojë Vangjelin, por me eksperiencë mbrojtësi e mbyll.

35’ Ndalet për disa sekonda loja, teksa përplasen Rroca dhe Batha në mesfushë. Mesfushori i Tiranës paraqet një dëmtim më serioz, por stafi do vlerësojë situatën e tij.

30’ Kale nxjerr Hasanin në fundoren e djathtë, kroson fort dhe Kobina kërcen duke goditur, por gjuajtja shumë e lehtë për Xhikën.

27’ Ngo gjuan në hyrjen e zonës, por goditja e lehtë kontrollohet nga Xhika.

25’ Rast ideal për Kukësin tani. Shkurtaj futet brenda zone, godet, por Bakaj grushton dhe shpëton golin e dytë.

24’ Mundësi fantastike për Kobina. Halili shërben nga e djathta për të, por goditja e tij ndalet mrekullisht nga Xhika.

23’ Kale ndërhyn me dy këmbë ndaj Abazajt, faull për verilindorët.

21’ Halili shtyn bukur nga e djathta, kroson, por largohet nga mbrojtja e Kukësit. Në vijimin e aksionit, sërish Halili në të djathtë, kroson, por Xhika këtë herë kontrollon.

21’ Limaj prek topin me dorë në mesfushë, topi për bardheblutë.

17’ GOOOOOOOL KUKËSI 1-0/ Shkëputet në të majtë Abazaj, futet brenda zone. Osmani nuk e ndal dot me sparkatë, dhe vetëm me Bakajn nuk e ka të vështirë të shënojë.

15’ Vangjeli kombinon bukur me Ngonë në të majtë, anglezi del në fundore, por krosimi shkon totalisht pa adresë.

11’ Kale provon me një gjuajtje nga hyrja e zonës, por bllokohet. Mbetet në sulm Tirana.

8’ Limaj godet në kuadrat, Bakaj nuk e pret dot pasi përplaset në tokë. Goditje këndi për kuksianët.

7’ Abazaj shmang Vangjelin poshtë këmbëve, dhe ky i fundit e pengon. Hamiti akordon faull për Kukësin.

4’ Kobina hedh një top në zonë nga e majta, Obanor e devijon, dhe për fat të keq e çon në goditje këndi, teksa nuk kuptohet me Xhikën.

2’ Gavazaj provon të befasojë me një goditje nga distanca, por në rivënie fundore.

1’ Niset Halili në të majtë, por anësori ngre flamurin për pozicion jashtë.

1′ Nis takimi në Elbasan.

 

FORMACIONET ZYRTARE:

KUKËSI:  Xhika, Maliqi, Obanor, Teqja, Kitanovski, Limaj, Musolli, Rroca, Abazaj, Gavazaj, Shkurtaj. Trajner: Shpëtim Duro.

bandicam 2019-09-21 18-45-36-479

TIRANA: Bakaj, Vangjeli, Osmani, Imami, Hoxhallari, Batha, Hasani, Kobina, Kale, Halili, Ngo. Trajner: Ardian Mema.

bandicam 2019-09-21 18-45-04-695

Gjyqtar: Eldorian Hamiti, Ridiger Cokaj, Dojando Myftari

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"