VIDEO/ Mjaftojnë 40 sekonda! Vllaznia kthehet te fitoret dhe ndal marshin e Kastriotit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 19, 2022 | 0:08

VIDEO/ Mjaftojnë 40 sekonda! Vllaznia kthehet te fitoret dhe ndal marshin e Kastriotit

Një gol pas 40 sekondash lojë i ka mjaftuar Vllaznisë që të gjejë sot fitoren ndaj Kastriotit duke u kthyer edhe një herë në shinat e duhura dhe duke marrë përkohësisht vendin e tretë në renditjen e Superiores.

vllaznia - kastrioti

Goli shpejtë i Hoxhajt ndikoi panoramën e këtij dueli, pasi shkodranët menduan më shumë të administronin avantazhin, duke i lëshuar shumë terren krutanëve. Por këta të fundit kishin vështirësi që të gjenin hapësira para Zogovicc dhe harkimet nga krahët rrallëherë sollën rrezik për kuqeblutë.

Si rrjedhojë, 90 minuta u mbyllën me fitoren minimale 1-0 të Vllaznisë e cila mori vendin e tretë në renditje, ndërsa Kastrioti i jep fund serisë prej 3 ndeshjesh pa humbje në këtë sezon.

VLLAZNIA 1-0 KASTRIOTI
1′ Hoxhaj

KOMENTI LIVE:

90’+5’ Mbyllet dueli me fitoren 1-0 të Vllaznisë.

90’+1’ Dida merr vendin e Mehmetit te Kastrioti.

90’ Jepen 4 minuta shtesë.

89’ Vulaj provon menjëherë të gjuajë nga jashtë zonës, por Sali kontrollon me lehtësi tentativën nga e majta.

88’ Vulaj aktivizohet në vend të Heriç në mbyllje të ndeshjes.

87’ Qarkullim i gjatë i topit nga Kastrioti që po mundohet të gjejë një hapësirë për të rrezikuar por shkodranët janë të kthyer të gjithë në mbrojtje dhe thjesht largojnë topin nga zona.

85’ Ajazi hyn në fushën e lojës në vend të Grecës në minutat e fundit të duelit.

82’ Kruja merr vendin e Alivodës në fushën e lojës.

79’ Një harkim i Gurishtës nga e djathta devijohet rrezikshëm duke detyruar Salin që të grushtojë duke e larguar sferën nga zona e tij.

74’ Prenkoçeviç gjuan drejt portës por pa shënjestrën e duhur, ndërsa shkodranet protestojnë për një faull ndaj Hakajt. Mbrojtësi e tepron me protestat e tij dhe ndëshkohet me të verdhë nga Rusta.

72’ Kastrioti ka marrë plotësisht kontrollin e lojës dhe po tenton në çdo mënyrë që të gjejë barazimin.

69’ Kundërsulm i shpejtë i vendasve me Malën i cili i afrohet zonës dhe tenton të zgjidhë gjithçka vetë me një gjuajtje të fortë, Sali kupton gjithçka.

67’ Momente paniku para portës kuqeblu pasi Kastrioti shfaqet disa herë rrezikshëm para Zogoviç, por pa ditur të gjuajë në katërkëndorin e shkodranëve.

66’ Stojanioviç tenton portën me një goditje të fortë në pozicion ballor, Zogoviç përgjigjet me një grushtim vendimtar duke çuar topin në këndore.

65’ Marku hyn në portë por nuk gjuan nga një distancë e afërt, duke preferuar të tentojë një pasim për Malën. Por mbrojtja mike kontrollon dhe largon sferën.

61’ Morbek dhe Zogaj i lënë vendin Prenkoçeviç dhe Marinajt në radhët e Kastriotit. Edhe Josa kthen në stol Hoxhajn për t’i bërë vend Kainës.

58’ Harkim i Hakajt nga e majta, Hoxhaj gjuan me kokë por këtë herë çon topin direkt në fundore pa shqetësuar Salin.

55’ Tre goditje këndi radhazi të vendasve nuk sjellin gjuajtje në katërkëndorin e Salit, me Markun i cili në një rast sheh tentativën e tij nga e majta të devijohet jashtë.

53’ Goditje dënimi e shkëlqyer e Markut, por Sali reagon mirë duke devijuar topin mbi traversën e portës së Kastriotit.

51’ Rami ndal Malën para se të hyjë në zonë dhe gjyqtarja Rusta nuk ngurron t’i tregojë kartonin e verdhë lojtarit të krutanëve.

46’ Nis pjesa e dytë në “Loro Boriçi” me disa minuta vonesë pasi nuk ishin ndezur siç duhej projektorët e stadiumit.

45’ Mbyllet pjesa e parë me avantazhin 1-0 të Vllaznisë.

39’ Shumë harkime nga krahët të të dy skuadrave, por asnjëri me saktësinë e duhur për të gjetur një shok në zonë dhe për të rrezikuar portën.

35’ Goditje këndi për Kastriotin. Topi harkohet në zonë ku Zogoviç nuk kontrollon siç duhet dhe nevojitet ndërhyrja e mbrojtësve të ekipit shkodran që të largohet rreziku.

34’ Heriç lëshon një predhë nga jashtë zonës, Sali fluturon dhe devijon topin mbi traversën e portës së tij.

29’ Hakaj arrin fundoren në të majtën dhe harkon në zonën e Kastriotit, Karakaçi largon rrezikun.

24’ Kastrioti rrezikon portën shkodrane me një aksion të shpejtë, Hasani nis Kodrën në të djathtë dhe ky i fundit e kthen në qendër për Grecën, i cili gjuan me kokë por pa gjetur katërkëndorin e Zogoviç.

20’ Mala në krahun e djathtë lë pas Selmanin me një sprint të shpejtë dhe pastaj harkon në zonë, Sali del dhe kontrollon sferën.

18’ Mehmeti provon me një goditje dënimi nga distanca, por topi kalon shumë lart mbi traversë.

15’ Rami nga e majta lëshon një harkim të rrezikshëm në zonë por gjen përgjigjen e mbrojtjes vendase që largon rrezikun.

14’ Aksion i Hakajt nga e majta, harkimi i tij në qendër çon topin te Heriç i cili tenton nga jashtë zonës, por duke fluturuar sferën shumë larg katërkëndorit.

13’ Kartoni i parë i verdhë i përket Karakaçit, i cili ndëshkohet për një ndërhyrje ndaj Hakajt.

9’ Greca mundohet të gjejë barazimin me një gjuajtje nga distanca në të majtën, por sfera përfundon jashtë.

6’ Vllaznia mundohet të luajë më me rregull tashmë dhe të administrojë këtë avantazh, për të gjetur hapësira që të thumbojë përsëri në portën e Salit.

1’ GOOOL VLLAZNIA! Aksion i shpejtë me Malën në krahun e djathtë, pasimi i tij në qendër gjen Hoxhajn i cili gjuan fluturimthi dhe kalon shkodranët në avantazh.

1’ Nis ndeshja në “Loro Boriçi”.

FORMACIONET ZYRTARE:

VLLAZNIA: Zogoviç, Gurishta, Shehi, Juriç, Hakaj, Jonuzi, Alivoda, Heriç, Mala, H. Marku, A. Hoxhaj.

Trajner: Mirel Josa

KASTRIOTI: Sali, Kodra, Stojanoviç, A. Selmani, Rami, Karakaçi, Hasani, Mehmeti, Zogaj, Morbek, Greca.

Trajner: Emiljano Çela

WhatsApp Image 2022-09-18 at 5.35.39 PM

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"