VIDEO/ Mbylli sfidën para minutës së 90, zbuloni skandalet e tjera të arbitrit afrikan

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 13, 2022 | 15:37

VIDEO/ Mbylli sfidën para minutës së 90, zbuloni skandalet e tjera të arbitrit afrikan

E pabesueshme ajo që ndodhi në Kupën e Afrikës, në ndeshjen e Grupit F mes Tunizisë dhe Malit. Ndeshja e fituar nga Shqiponjat maliane me rezultatin 1-0 rrezikon që të mos pranohet nga organizatorët dhe të apelohet nga Tunizia duke parë çmenduritë që ndodhën në fushë, me shumë mundësi me vetëdije nga arbitri kryesor, Xhani Sikavze.

arbitri

“Bilbili” nga Zambia, një prej protagonistëve edhe në Botërorin “Rusi 2018”, vërshëlleu jo një, por dy herë fundin e ndeshjes përpara minutës së 90-të, duke tërbuar përfaqësuesit e kombëtares së Tunizisë. Herën e parë ai vërshëlleu fundin e takimit 5 minuta përpara fundit (në të 85-ën), por më pas ndërron mendje dhe rikthen skuadrat në fushë.

Gjithsesi, ai përsëritet duke vërshëllyer sërish fundin në minutën 89 e 47 sekonda, pavarësisht 9 zëvendësimeve, një kartoni të kuq, dy penalltive të akorduara (Mali e shënoi, Tunizia e gaboi), si dhe 3 ndërhyrjeve të gjata të VAR-it.

Ky fakt bëri që tërbimi i stolit të Tunizisë të shpërthente me të gjithë pjesëtarët e tij që zbarkuan në fushë dhe rrethuan arbitrin duke i treguar se jo vetëm e ka mbyllur sërish shpejt, por pretendonin edhe minuta shtesë që të luheshin me të drejtë.

Por, gjyqtarët e sfidës u morën në mbrojtje nga forcat ushtarake dhe u shoqëruan për në dhomat e zhveshjes, ndërkohë që lojtarët e Malit festonin triumfin e tyre.

NGA KONFERENCAT NË FUSHË – Por, e pabesueshmja e kësaj ndeshjeje nuk mbaroi këtu. Ndërsa trajnerët e skuadrave respektive ishin në konferencat për shtyp të postsfidës, CAF-i (Konfederata Afrikane e Futbollit) ndërhyn dhe urdhëron që të dyja skuadrat të bëhen sërish gati dhe të rizbresin në fushë, pasi drejtuesit e futbollit të kontinentit afrikan mendonin se në sfidën e djeshme nevojiteshin edhe 3 minuta shtesë si rrjedhojë e pauzave mes takimit, por në këtë rast Tunizia nuk pranoi që të luante më.

Madje, kryesori Sikazve nuk do të ishte ai që do të gjykonte kohën shtesë, por këtë përgjegjësi do ta merrte arbitri i katërt.

KORRUPSION – Për Xhani Sikazve nuk është hera e parë që njollos karrierën e tij, por sidomos sportin e futbollit. Në vitin 2018 arbitri u dënua nga CAF-i për korrupsion, pas një ndeshjeje mes Esperance (klub tunizian) dhe Primeiro Agosto (Angola).

Nëse akuzat më pas u hodhën poshtë për mungesë provash, nuk harrohet edhe episodi i çmendur i vitit 2016, në Botërorin për klube, ku Sikazve nuk i dha të dytën e verdhë më shumë sesa të merituar ish-mbrojtësit të Realit të Madridit, Serxho Ramos, në sfidën kundër japonezëve të Kashimas.

Gjithsesi, me çmenduritë që shkaktoi dje në Tunizi-Mali, pa dyshim që arbitri nga Zambia i ka dhënë fund karrierës së tij.

Përgatiti: JETON STAMOLLA 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"