VIDEO/ “Luftë” pa gola, Bylisi dhe Egnatia ndajnë pikët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 17, 2022 | 23:00

VIDEO/ “Luftë” pa gola, Bylisi dhe Egnatia ndajnë pikët

Bylisi dhe Egnatia kanë mbyllur në barazim pa gola sfidën e tyre në javën e 5-të të Kategorisë Superiore, që u luajt në stadiumin “Adush Muça” të qytetit të Ballshit.

bylis egnatia

Skuadrat luajnë një pjesë të parë shumë të ndezur, duke krijuar raste me Egnatian që iu afrua më shumë golit me traversën e Mihanës. Edhe fillimi i pjesës së dytë foli për rrogozhinasit, ndërsa në fund ishin vendasit që ngulmuan dhe rrezikuan në kërkim të golit, por deri në fund asnjë skuadër nuk ia doli të tundte rrjetën. Kësisoj, ekipet ndanë pikët në një barazim pa gola që gjithsesi vazhdon serinë pozitive të dy skuadrave në Superiore.

BYLIS 0-0 EGNATIA

KOMENTI LIVE

90’+5’ Mbyllet ndeshja  me barazimin 0-0.

90’+3’ Mëllugja dhe Agbekpornu marrin vendin e Zejnullait dhe Fernandos në radhët e Egnatias.

90’ Jepen 4 minuta shtesë.

89’ Edhe Çarls ndëshkohet me karton të verdhë në këtë duel.

88’ Da Silva hyn në fushën e lojës për Kaçorrin në radhët e Bylisit.

83’ Ndëshkohet me të verdhë për vonesa edhe portieri Sherri.

82’ Prej disa minutash është Bylisi që ka marrë kontrollin e plotë të lojës dhe me harkime drejt zonës së Egnatias po përpiqet të gjejë golin e avantazhit.

80’ Trumçi shpërthen në krahun e djathtë dhe nis një harkim shumë interesant për Qardakun i cili gjuan në ecje e sipër, por nuk gjen portën e miqve.

76’ Çarls merr vendin e Beji në fushën e lojës për skuadrën e Bylisit.

68’ Harkim i Qardakut në zonën mike, Beji me kokë gjuan drejt portës por shumë lehtë sa për të shqetësuar Sherrin.

68’ Bambam merr vendin e Camajt në fushën e lojës për skuadrën rrogozhinase.

62’ Harkim nga e djathta në shtyllën e dytë për Xhoel, por ai nuk ia del të kthejë topin drejt portës së vendasve.

60’ Ndryshim edhe te Bylisi me Qoshkun i cili i lë vendin portugezit Sousa.

59’ Mihana i lë vendin Xhoel në radhët e rrogozhinasve.

58’ Ruçi rrezohet në kufijtë e zonës pas një kontakti me Mustën, por gjyqtari bën shenjë që loja të vazhdojë.

55’ Pranë golit Bylisi. Ruçi gjuan në hyrje të zonës, Sherri grushton e më pas Beji nuk ia del të devijojë sferën drejt portës së boshatisur.

53’ Fernando merr mirë krahun në të djathtë, harkon në qendër për Mihanën i cili nuk kontrollon siç duhet dhe i jep mundësinë mbrojtjes vendase që të largojë rrezikun.

51’ Camaj tenton nga jashtë zonës, Teqja pret në pozicion.

50’ Kombinim interesant mes Fangajt dhe Delarzh në krahun e djathtë të sulmit, mbrojtësi nuk arrin në fund sferën që shkon në fundore pa arritur ta kthejë në qendër për sulmuesit e Egnatias.

46’ Ruçi merr vendin e Lajthisë në radhët e skuadrës së Bylisit në fillimin e pjesës së dytë.

45’+1’ Mbyllet pa gola pjesa e parë.

45’ Jepet një minutë shtesë në fundin e pjesës së parë.

45’ Zejnullai ndëshkohet me karton të verdhë për një faull ndaj Loran.

44’ Damçevski provon nga një distancë rreth 40 metra, topi përfundon jashtë, jo shumë larg portës së Sherrit.

40’ Ka rënë disi ritmi i ndeshjes pasi skuadrat tashmë po tentojnë më shumë të rrezikojnë me top në thellësi, duke ua bërë më të thjeshtë mbrojtësve të kontrollojnë sulmet.

34’ Dalje e shpejtë e Loran në krahun e majtë të sulmit, harkimi i tij në qendër kalon pasqyrën e portës por nuk gjen asnjë lojtar që mund ta devijojë në rrjetë.

31’ Teqja bën mrekullinë ndaj një goditje me kokë të Delarzh, duke grushtuar sferën teksa më pas mbrojtja largon rrezikun.

28’ Mihana fiton topin në mesfushën kundërshtare por në vend që të nisë një kundërsulm të shpejtë me shokët e sulmit, tenton nga një distancë e pamundur, me topin që shkon qetësisht në duart e Teqjes.

25’ Qoshku është lojtari i parë i ndëshkuar me të verdhë pas një ndërhyrje ndaj Kacbufit në mesfushë.

21’ Spektakolar Mihana i cili me një gjysmë roveshatë tenton portën, por godet traversën e katërkëndorit të Teqjes.

18’ Antoni Beji i afrohet golit me një gjuajtje me kokë, e cila përfundon pak mbi traversë.

16’ Kundërpërgjigjen ballshiotët me Qardakun i cili hyn në zonë në të majtën dhe gjuan me shpejtësi, por gjen vetëm rrjetën e jashtme të portës së skuadrës së Egnatias.

13’ Delarzh ka mundësinë më të mirë për të shënuar në rastin e parë për rrogozhinasit, teksa shfaqet para Teqjes. Por ky i fundit ndalon me këmbë gjuajtjen e sulmuesit të miqve.

11’ Antoni Beji, i kthyer përsëri mes titullarëve te Bylisi, tenton të sulmojë në krahun e djathtë por ai bllokohet në të dy rastet në kufijtë e zonës nga mbrojtësit kundërshtarë.

6’ Minutat e parë janë thjesht dyluftime në mesfushë, pasi asnjë nga ekipet nuk arrin të shfaqet në pozicione të favorshme për të rrezikuar portën kundërshtare.

1’ Nis dueli në stadiumin “Adush Muça”

FORMACIONET ZYRTARE –

BYLIS – Teqja; Trumci, Janku, Damçevski, Loran; Maçolli, Qoshku, Lajthia; Antoni Beji, Qardaku, Kaçorri. Trajner: Arian Bellai.

EGNATIA – Sherri; Kacbufi, Atanda, Malota; Fangaj, Zejnullai, Fernando Medeiros, Musta; Delarzh, Camaj, Mihana. Trajner: Edlir Tetova.

ARBITRAT E NDESHJES –

Arbitër kryesor – Florjan Lata (Durrës)

Asistent i parë – Fatmir Lama (Durrës)

Asistent i dytë – Maringlen Llukmani (Vlorë)

Arbitër i katërt – Adrian Beqiraj (Tiranë)

VAR – Andi Koçi (Tiranë)

AVAR – Herald Lisaku (Durrës)

WhatsApp Image 2022-09-17 at 3.09.21 PM

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"