VIDEO/ Lojtarët nuk mbeten pa stërvitje, në Durrës gjejnë një zgjidhje origjinale

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 27, 2020 | 21:12

VIDEO/ Lojtarët nuk mbeten pa stërvitje, në Durrës gjejnë një zgjidhje origjinale

Në Durrës kanë gjetur një mënyrë origjinale për të mos lënë lojtarët që jetojnë në qytetin bregdetar pa stërvitje. Thuajse çdo ditë, nga ora 09:00 deri në 12:00, futbollistët e Teutës që janë vendës, vijnë në dy orare të ndryshme në stadiumin “Niko Dovana” dhe stërviten nga përgatitësi atletik Eduard Salillari si dhe zv.trajneri Bledar Hodo. Në këto seanca ku marrin pjesë vetëm nga dy lojtarë, për të respektuar në këtë mënyrë masat pas përhapjes së koronavirusit, kryesisht kanë qenë emra si Renato Arapi, Sherif Kallaku, Arbër Çyrbja, Rustem Hoxha, Fabian Beqja, Lorenco Vila dhe Dejvid Kapllani. 

TEUTA 3

Në një intervistë për “Panorama Sport” është vetë zv.trajneri Hodo që tregon për atë pak kohë që po shfrytëzojnë me lojtarët në këtë situatë të paprecedentë.

Bledar, si po e përballoni këtë situatë?

Për shkak të situatës së krijuar, edhe unë si gjithë të tjerët kam marrë masat e nevojshme për t’u ruajtur nga përhapja e koronavirusit. Natyrisht që shumicën e kohës po qëndroj në shtëpi. Kam dalë vetëm për një arsye shumë të rëndësishme nga banesa ose në rastet kur kemi bërë vrapime të lehta me lojtarët që banojnë në Durrës.

Disa lojtarë kanë bërë stërvitje edhe në stadium. Çfarë plani po ndiqni?

Plani stërvitor individual u është dhënë të gjithë lojtarëve, ndërsa ne si staf teknik mbikqyrim gjithçka me anë të një programi që kemi të instaluar në telefonat tanë. Siç e thashë edhe më lart, futbollistët që janë në Durrës, e kanë kryer stërvitjen në stadium të ndarë në grupe dy e nga dy, me orare të ndryshme dhe të vëzhguar nga ne si staf.

teuta 2

Prisni që kjo situatë të kalojë shpejt apo e shikoni të largët ditën e rikthimit në fushë?

Të shpresojmë që kjo situatë të kalojë sa më shpejt. Më pas do të jemi të qetë dhe do të fokusohemi tek vazhdimësia e skuadrës.

Këto ditë i ke shfrytëzuar për t’iu përkushtuar sa më tepër familjes, diçka që ndoshta iu ka munguar kur keni qenë futbollist dhe tani si zv.trajner…

Fakti që jemi të izoluar më ka dhënë mundësinë të kem sa më shumë kohë pranë vajzës, duke kryer edhe lojëra të ndryshme me të në shtëpi.

ZAMIR QYPI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"