VIDEO/ Kukësi “shpërfytyron” Skënderbeun në Korçë, ekipi i Gjokës në finalen e Kupës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 8, 2019 | 18:52

VIDEO/ Kukësi “shpërfytyron” Skënderbeun në Korçë, ekipi i Gjokës në finalen e Kupës

Kukësi fitoi edhe takimin e dytë në gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë, në transfertë ndaj Skënderbeut, dhe tashmë e sheh veten në finale. Verilindorët fituan me shifrat 1-3 në Korçë, duke mos e vënë në asnjë moment në diskutim kualifikimin.

kukesi

Ndeshja nisi me raste nga të dyja kraët, por në minutën e 19-të ishte Rexhinaldo ai që zhbllokoi shifrat me kokë, pas një harkimi mjaft të bukur nga Rrumbullaku.

Skënderbeu u mundua të reagojë, por Bregu humbi një rast ideal para Frashërit, duke falur një gol të sigurt. Kukësi kontrolloi sërish lojën, dhe përsëri pas një harkimi nga Rrumbullaku, Rexhinaldo këtë herë nuk e shtyu dot drejt portës, por për fat të keq këtë e bëri Abazi, që tundi rrjetën e tij.

kukesii

E para u mbyll me fitoren 0-2 të Kukësit, por menjëherë sapo nisi pjesa e dytë, Bregu ngushtoi shifrat nga brenda zone, pas një harkimi nga e djathta nga ana e Gripshit. Gjithsesi, edhe mendimin për një përmbysje, e shuajti Rama, që në minutën e 58-të shënoi të tretin për ekipin e Gjokës pas një kundërsulmi të shpejtë.

Deri në fund, Kukësi administroi këtë fitore, dhe me rezultatin e përgjithshëm 2-5, kalojnë në finale, ku përballë do të kenë ekipin e Tiranës. Ndalen këtu korçarët, teksa nuk arrijnë as objektivin Kupë këtë sezon.

rexhinaldo kukesi

 

FT | Skënderbeu-Kukësi 1-3 (1-2)

GOL: Bregu 47′ / Rexhionaldo 19′, Abazi aut. 42′, Rama 58′

 

KOMENTI LIVE

Mbyllet takimi. Skënderbeu-Kukësi 1-3 (1-2)

90′ 3 minuta shtesë.

86’ Pervan provon nga jashtë zone, por topi nuk ka shënjestër portën.

78’ Kukësi mbaron me ndërrimet. Rama lë fushën e lojës, futet Arbër Çyrbja.

78’ Gripshi hedh një harkim të lartë në zonë, por Bregu godet shumë mbi portë teksa provon të shënojë.

77’ Lëvizja e dytë edhe për Shehin. Në fushë lojtari që vjen nga akademia, Uerdi Mara, del Shqiprim Taipi.

73’ Ndërrimi i dytë te Kukësi. Del Shkurtaj, në fushë Irakli Dzaria.

71’ Bregu kërkon të godasë nga hyrja e zonës, pas një pasimi nga Krasniqi, por Ethemi e ndal pastër.

68’ Sibo kërkon të nisë Bregun, por topi nuk filtron mes shumë lojtarëve të Kukësin në zonë.

59’ Ndërrimi i parë i Gjokës. Lë fushën e lojës Musolli, në vendin e tij Vesel Limaj.

58’ GOOOOOOL KUKËSI 1-3/ Valdet Rama shënon të tretin për verilindorët. Në një kundërsulm vrasës pasi vendasit humbën topin, Rama shfaqet para Dajsinanit, dhe nuk fal.

54’ Fantastik Stivi Frashëri. Pervan godet me një hark të bukur nga jashtë zone, por portieri i Kukësit fluturon dhe e çon në goditje këndi.

53’ Goditje dënimi për verilindorët. Ethemi provon, por topi ndalet në murin mbrojtës.

47’ GOOOOOOL SKËNDERBEU 1-2/ Gripshi i vjedh një top Rrumbullakut, pason në mesin e zonës dhe Bregu nuk fal.

46′ Nis pjesa e dytë. Ekipet në fushë siç e mbyllën të parën.

Mbyllet pjesa e parë. Skënderbeu-Kukësi 0-2. Për të kaluar në finale, Skënderbeu duhet të realizojë 4 gola në pjesën e dytë.

45′ 2 minuta shtesë në pjesën e parë.

42’ GOOOOOOL KUKËSI 0-2/ Dyfishon shifrat Kukësi. Rrumbullaku nga e majta kroson sërish, me kokë Rexhinaldo, që futet por nuk e kap topin, dhe për fat të keq, është Leonit Abazi ai që e çon në rrjetën e tij.

39’ Ethemi kërkon të nisë Ramën, hedh një top të gjatë në të djathtë, por shumë i fortë dhe kap Dajsinani.

32’ Karton i verdhë për Sibo, i pari në radhët e korçarëve.

29’ Rexhinaldo nga krahu tjetër provon me kokë, por Dajsinani grushton.

28’ Bregu ka një rast të artë, pasi Krasniqi e nxjerr vetëm me Frashërin, por goditja e shtatshkurtrit të korçarëve ndalet në shtyllë, pasi portieri i Kukësit bën një devijim fantastik

23’ Karton i verdhë për Rrumbullakun, pas një ndërhyrje te këmbët e Gripshit.

19’ GOOOOOOL KUKËSI 0-1/ Zhbllokohen shfirat në Korçë. Rexhinaldo shënon për ekipin e Gjokës, pas krosimit të Rrumbullakut.

15’ Oto Xhon edhe pse mundohet të vazhdojë, nuk ia del nga dëmtimi. Zëvendësimi i parë te Skënderbeu, në fushë Pervan.

15’ Karton i verdhë për Rexhinaldon, teksa i ikën topi, dhe i bën faull nga mbrapa Krasniqit.

12’ Niset Rexhinaldo në një moment që i ikën dy qendrave të mbrojtjes. Rrëzohet pas një kontakti, me Pëllumbin, por asgjë për kryesorin Xhaja.

10’ Kërcënon sërish Skënderbeu. Bregu asiston për Sibon në hyrje të zonës, ky i fundit godet por jashtë kuadratit topi.

8’ Ndalet për disa sekonda loja, pasi ndjen probleme në këmbë Oto Xhon. Merr ndihmën e stafit mjekësor.

7’ Provon Dejvi Bregu me të djathtën nga jashtë zone, por goditja e vakët dhe Frashëri kontrollon pa probleme.

5’ Cuculi mban me duar Oto Xhon, dhe nuk e lë të niset në kundërsulm. Kryesori Juxhin Xhaja e thërret për ta këshilluar.

3′ Nga krosimi i Bregut, godet Pëllumbi me kokë, por jashtë kuadratit.

3′ Goditja e parë nga këndi, për vendasit.

1′ Nis takimi në Korçë.

 

FORMACIONET ZYRTARE

Skënderbeu: Dajsinani, Radas, Pëllumbi, Abazi, Taipi, Dita, Sibo, Gripshi, Bregu, Oto Xhon, Krasniqi. Trajner: Orges Shehi

Kukësi: Frashëri, Ethemi, Cuculi, Teqja, Rrumbullaku, Uilliam, Musolli, Rroca, Rama, Rexhinaldo, Shkurtaj. Trajner: Ernest Gjoka

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"