VIDEO/ Kukësi kapitullon pa kushte dhe rrezikon Europën, Teuta i largohet rrezikut

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 29, 2022 | 23:20

VIDEO/ Kukësi kapitullon pa kushte dhe rrezikon Europën, Teuta i largohet rrezikut

Teuta ka mundur me shifrat 4-1 Kukësin në një ndeshje që mund të jetë shumë vendimtare sa i përket të dy skajeve të tabelës. Durrsakët kanë marrë tre pikë të rënda për t’iu larguar zonës së play-out, ndërsa verilindorët kanë humbur mundësinë që të shkëputen përsëri nga Partizani, duke rrezikuar tashmë seriozisht Europën.

teuta kukesi

Pritej një ndeshje e luftuar dhe ashtu ishte, por u ndikua nga një gol i shpejtë i durrsakëve, të cilët gjetën rrjetën me Hebajn me gjuajtën e parë në portë. Kukësi reagoi dhe ia doli që të barazonte shifrat me Mustën para fundit të pjesës së parë.

Por në të dytën, skuadra e Longos u shpërbë, duke pësuar tre gola të tjerë e duke rrezikuar që të pësonte edhe më shumë, po të mos ishte për pasaktësinë e skuadrës vendase në disa mundësi të mira shënimi. Heroi i ndeshjes ishte Hebaj me tre gola, por golin më të bukur të sfidës e shënoi padyshim Daci me një ekzekutim spektakolar.

TEUTA-KUKËSI 4-1
12′, 52′, 84′ (p)  Hebaj, 67′ Daci / 36′ Musta

MINUTË PAS MINUTE

90’+4’ Mbyllet ndeshja me fitoren 4-1 të Teutës.  

90’+1’ Largohet Daja dhe në fushë hyn Avdyli për skuadrën e Teutës.

90’ Jepen 4 minuta shtesë.

86’ Kapllani merr vendin e Hebajt, i cili duartrokitet nga të pranishmit për ndeshjen e tij teksa del nga fusha.

84’ GOOOL Teuta. Shënon Hebaj me penallti.

83’ Penallti për Teutën. Gruda hyn në zonë dhe në momentin e gjuajtjes, goditet nga Gligorov. Meta nuk ka dyshime dhe bën shenjë nga pika e bardhë.

82’ Tabaku merr vendin e Bashës te Kukësi, me sulmuesin i cili largohet direkt drejt dhomave të zhveshjes. Sulmuesi ishte aktivizuar në fillimin e pjesës së dytë.

75’ Jazxhi ndëshkohet me karton të verdhë pas një faulli ndaj Markut.

74’ Musta i dëmtuar dhe Bahtiri i lënë vendin Gavazajt dhe Dragoshit te Kukësi.

72’ Gruda merr vendin e Peposhit në radhët e skuadrës së Teutës që freskon sulmin.

67’ GOOOL Teuta. Daci shënon një gol spektakolar pas një kundërsulmi të shpejtë. Ai kalon fillimisht Markun e pastaj mposht Xhikën me “lugë”, duke dërguar sferën në rrjetë.

64’ Kundërsulm i shpejtë i Teutës me Dacin, pasimi i tij nxjerr Peposhin në pozicion gjuajtje por mesfushori nuk ka saktësinë për të çuar topin në katërkëndor me tentativën e tij nga e majta.

58’ Pas një goditje nga këndi, topi mbetet në zonë për Milunoviç i cili godet rrufeshëm. Shënjestra e sulmuesit lë përsëri për të dëshiruar me sferën e cila kalon jashtë katërkëndorit.

57’ Krosim nga e majta i Ndrecës, sfera devijohet dhe shkon rrezikshëm drejt katërkëndorit, me Qirkon i cili e devijon jashtë.

56’ Vazhdon ofensiva durrsake, këtë herë me E. Vilën i cili gjuan nga distanca, përsëri pa gjetur katërkëndorin.

53’ Daci provon vetë me një gjuajtje të fortë, sfera kalon mbi traversën e portës së verilindorëve.

52’ GOOOL Teuta. Kundërsulm i shpejtë i durrsakëve  me Dacin në krahun e majtë. Ai kthen topin në shtyllën e dytë ku Hebaj dërgon sferën në rrjetë.

46’ Zëvendësim në radhët e dy skuadrave në fillimin e pjesës së dytë. Basha merr vendin e Bytyçit te verilindorët ndërsa Daci të L. Vilës te vendasit.

45”+2’ Mbyllet pjesa e parë me barazimin 1-1.

45’ Pëllumbi është i ndëshkuari i parë me karton të verdhë në këtë ndeshje.

36’ GOOOL Kukësi. Barazohen shifrat me një kundërsulm të shpejtë ku Musta fillimisht godet shtyllën i vetëm para Qirkos, e më pas përfiton nga topi i kthyer për ta dërguar në rrjetën e boshatisur,

30’ Mundësi e artë për të shënuar e Kukësit. Taipi gjuan nga jashtë zonës, Qirko nuk kontrollon e Milunoviç shkon me shpejtësi, por nuk ia del të devijojë para portierit i cili i heq sferën nga këmbët.

27’ Kotobelli në krahun e majtë shmang një mbrojtës dhe lëshon një gjuajtje të fortë drejt portës, duke gjetur vetëm rrjetën e jashtme të katërkëndorit të Xhikës.

22’ Pas një goditje dënimi nga e djathta, Milunoviç godet me kokë, pa gjetur katërkëndorin e portës së durrsakëve.

18’ Kukësi mundohet të zhvendosë lojën në gjysmëfushën kundërshtare por e ka të vështirë të gjejë të çara në mbrojtjen e ngjeshur vendase.

12’ GOOOL Teuta. Durrsakët gjejnë golin me gjuajtjen e parë në portë. Pas një goditje nga këndi, topi harkohet në shtyllën e parë ku Hebaj kërcen mbi të tjerët dhe mposht Xhikën me një gjuajtje me kokë.

7’ Harkim i rrezikshëm nga e djathta e sulmit të Teutës në shtyllën e dytë, mbrojtja e Kukësit largon rrezikun.

1’ Nis dueli me shkelmimin nga qendra të skuadrës së Kukësit.

FORMACIONET:

TEUTA: Qirko, Ivanoviç, Kotobelli, Jazxhi, Idrizaj, Aleksi, Daja, E. Vila, Peposhi, L. Vila, Hebaj,

KUKËSI: Xhika, Marku, Pëllumbi, Bytyçi, Ndreca, Gligorov, De Lukas, Gj. Taipi, Musta, Bahtiri, Milunoviç.

WhatsApp Image 2022-04-29 at 7.15.40 PM

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"