VIDEO/ Kastrioti i bën bllokadë kryesuesve të Vllaznisë, skuadra e Brdariç hap fals në shtëpi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 24, 2021 | 23:57


VIDEO/ Kastrioti i bën bllokadë kryesuesve të Vllaznisë, skuadra e Brdariç hap fals në shtëpi

Është mbyllur në barazim pa gola sfida mes Vllaznisë dhe Kastriotit e zhvilluar në “Loro Boriçi” të Shkodrës. Një hap fals në shtëpi ky për skuadrën e Thomas Brdariç, pas ecurisë pozitive me 3 fitore radhazi.

Vllaznia-Kastrioti

Pavarësisht përpjekjeve kuqeblutë, nuk arritën të mposhtnin portierin Isli Hidi, kjo padyshim edhe për meritë të këtij të fundit. Ky ishte barazimi i tretë në kampionat për Vllazninë, ndërkohë që në krahun tjetër, krutanët e Ndreut u rikthyen te rezultatet pozitive pas 2 humbjesh radhazi.

Vllaznia 0-0

Vlen të theksohet lufta e ashpër sportive në fushën e lojës, teksa Kastrioti e mbylli me 10 lojtarë ndeshjen pas ndërhyrjes së ashpër nga mbrapa ndaj Da Silvës. Në javën e ardhshme, Vllaznia do të jetë mysafire në Elbasan ndaj Partizanit, ndërkohë që krutanët presin Bylisin në shtëpi.

FT: VLLAZNIA-KASTRIOTI 0-0

KOMENTI LIVE: 

Përfundon takimi!

90+4′ Sokol Neziri ndëshkohet me karton të kuq për ndërhyrje të gabuar ndaj Da Silvës.

90′ Akordohen 6 minuta shtesë.

89′ Kastrioti kryen edhe 2 zëvendësime të tjera, largohen Moraesh e Rami, në vendin e tyre, Çela dhe Daci.

88′ Vllaznia ushtron presion të vazhdueshëm në zonën e Kastriotit, mbrohet mirë skuadra e trajnerit Ndreu.

84′ Zëvendësim te Vllaznia, largohet Demir Imeri, vendin e tij e merr Arlind Kalaja.

76′ Moment i dyshimtë, tjetër pretendim i Vllaznisë për penallti, për prekje të topit me dorë brenda zonës.

72′ Përfundon sfida edhe për Rezin, mesfushori largohet nga fusha, vendin e tij e zë Silvio Vokrri.

68′ Dy zëvendësime te Vllaznia, trajneri Brdariç hedh në fushën e lojës brazilianin Da Silva dhe Arsid Krujën, largohet Jonuzi dhe Krymi.

67′ Zëvendësim te Kastrioti, largohet nga fusha, Nuriu, vendin e tij e merr Dealiaj.

62′ Vllaznia kërkon penallti, pas duelit në zonë mes Dilaver dhe Prodanin, por gjyqtari Kridens Meta vazhdon sërish lojën.

58′ Rami ndërhyn në mënyrë të gabuar ndaj Gurishtës, futbollistët e Vllaznisë kërkojnë ndëshkimin me kartonin e dytë të verdhë, por nuk është i këtij mendimi gjyqtari Meta.

55′ Vllaznia është hedhur përpara në kërkim të golit të avantazhit, por pa mundur të kërcënojë rrezikshëm portën e Hidit.

50′ Armando Rami ndëshkohet me karton të verdhë për ndërhyrje të gabuar në mesfushë.

46′ Starton pjesa e dytë, nuk ka ndryshime në formacion!

Mbyllet pjesa e parë! 

45′ Akordohet 1 minutë shtesë.

39′ Tjetër rast i rrezikshëm në portën e Vllaznisë, tentativa e Shkallës brenda zonës, devijohet në këndore.

35′ Momente tensioni në fushë. Shkak u bë një pretendim i krutanëve për penallti, ndërkohë që Prodani ndëshkohet me karton të verdhë për faull taktik.

33′ Mevlan Adili është futbollisti i radhës i ndëshkuar me karton të verdhë për ndërhyrje të gabuar ndaj Prodanit.

31′ E rrezikshme edhe njëherë tjetër skuadra e Kastriotit, me Moraesh që provon nga distanca, gjuajtja e tij devijohet nga grumbulli i lojtarëve brenda zonës, teksa kontrollohet nga Zogoviç.

30′ Kundërpërgjigjet Kastrioti me Rezin, i cili lëshon një predhë pas kombinimit me Nuriun, por gjuajtja e tij devijohet nga portieri Zogoviç në këndore.

21′ Tjetër mundësi e artë për Vllazninë, Dilaver devijon një harkim të Ardit Hoxhajt nga e majta, por nuk arrin ta çojë topin në  rrjetë. Vendimtare ndërhyrja e Hidit me këmbë.

16′ Fantastik Isli Hidi. Gardiani i Kastriotit, neautralizon mjaft mirë gjuajtjen e Imerit brenda zonës, duke larguar topin në këndore.

15′ Shkalla ndëshkohet me karton të verdhë për prekje të topit me dorë brenda zonës.

10′ Barazohet numri i goditjeve nga këndi, Shkalla largon në këndore rrezikun pas harkimit të Demir Imerit.

5′ Vllaznia provon ta nisë sfidën në sulm duke avancuar përpara, por mbrohen mirë futbollistët e Kastriotit, të cilët nuk lejojnë hapësira.

1′ Ka nisur sfida!

FORMACIONET ZYRTARE:

Vllaznia: Zogoviç, Gurishta, Adili, Imami, Isaevski, Krymi, Marku, Jonuzi, Imeri, Hoxhaj, Dilaver. Trajner: Thomas Brdariç

Kastrioti: Hidi, Neziri, Shkalla, Zhivanaj, Rami, Nuriu, Mehmeti, Moraes, Prodani, Rezi, Devid. Trajner: Ramazan Ndreu.

forrr

PANORAMASPORT.AL




Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/