VIDEO/ Kampionati i FSHF-së, Prestige likuidon me 5 gola Tringun

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 12, 2021 | 20:57

VIDEO/ Kampionati i FSHF-së, Prestige likuidon me 5 gola Tringun

Prestige MFC vazhdon të shkëlqejë në Kampionatin Kombëtar të minifutbollit që po organizon FSHF-ja, teksa pasditen e djeshme regjistroi fitoren e dhjetë në po kaq takime të zhvilluara. Në ndeshjen e parë të fazës së dytë për Zonën 3 të Tiranës, Prestige likuidoi me rezultatin 5-1 skuadrën Tring.

PRESTIGE

Një ndeshje e dominuar që nga fillimi e deri në fund nga Prestige, ndërsa rezultati mund të ishte shumë herë më i thellë. Xhepaj, Çakrri, Hysenbelliu, Muça dhe Dajti ishin autorët e golave për Prestige.

Ndeshja – Prestige e filloi takimin me Myrtën në portë, Antonin, Çakrrin, Muçën, Bibën dhe Xhepajn, ndërsa që në start e kërkon më ngulm golin. Si gjithnjë skuadra luan rrjedhshëm me pasime të shpejta dhe lojtarë që ndërrojnë pozicionet. Tring e ka shumë të vështirë t’i përgjigjet këtij ritmi, ndërsa ndeshja luhet thuajse me një portë.

Në minutën 10-të, Xhepaj gjuan saktë nga një distancë e afërt duke kaluar Prestige në avantazh. Ndërsa 4 minuta më vonë, është Çakrri ai që e dyfishon rezultatin pas një kombinimi të bukur me Bibën. Në fund të pjesë së parë Tring i ngushton shifrat me anë të një penalltie.

Në fraksionin e dytë Prestige hedh në fushë “artilerinë e rëndë”, teksa aktivizohen që në fillim Hysenbelliu, Dajti, Shima dhe Lleshi. Mjaftojnë vetëm disa sekonda dhe Hysenbelliu nuk fal para porte, duke e dërguar topin mes këmbëve të portierit. Këtij goli i kundërpërgjigjet Muça, i cili devijon një gjuajtje sërish të Hysenbelliut.

Më pas është Dajti që shënon edhe të pestin, duke vulosur suksesin 5-1. Pas kësaj ndeshjeje Prestige shkon në kuotën e 30 pikëve, duke i konsoliduar edhe më shumë pozitat në vendin e parë të Zonës 3 të kryeqytetit dhe mbetet një prej favoritëve kryesorë për titullin kampion.

PRESTIGE – TRING           5-1

GOLAT: Xhepaj, Çakrri, Hysenbelliu, Muça, Dajti

FORMACIONI I PRESTIGE: Myrta, Antoni (C), Çakrri, Muça, Xhepaj, Biba/ Hysenbelliu, Dajti, Shima, Lleshi.  Trajner: Andi Koçi

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"