VIDEO / Juventusi del nga kriza përballë Veselit, rinis ndjekja e një vendi në Champions

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 30, 2021 | 22:57

VIDEO / Juventusi del nga kriza përballë Veselit, rinis ndjekja e një vendi në Champions

Juventusi ka lënë pas krahëve humbjen e fundjavës përballë Atalantës, duke gjetur shpejt fitoren në kampionat për të dalë nga kriza që dukej se po mbërthente skuadrën e Alegrit. Ndeshja përballë ekipit më të dobët në kampionat, Salernitanës që mban vendin e fundit, ishte mundësia perfekte që ekipi të reagonte dhe ashtu ka ndodhur.

veseli ken

Bardhezinjtë dominuan duke sulmuar sidomos në pjesën e parë, ndonëse me dyshen e pazakontë sulmuese Dibala-Ken si titullarë. Ishte pikërisht argjentinas ai që gjeti një të çarë në minutën e 21-të për t’i dhënë avantazhin skuadrës së tij. Juventusi gjeti edhe golin e dytë me Kielinin, por ai u anulua për një pozicion jashtë loje.

Salernitana u mundua të reagonte në pjesën e dytë dhe Ranieri iu afrua golit, duke goditur shtyllën e portës së mbrojtur nga Sheznji. Një kambanë alarmi për Juventusin që iu kthye ritmit të shpejtë të pjesës së parë dhe gjeti golin me Morata, duke dyfishuar shifrat e praktikisht mbyllur sfidën. Në fund, Dibala mund të çonte në 3 numrin e golave pas një penalltie të fituar nga Morata, por argjentinasi rrëshqiti gjatë ekzekutimit të saj duke fluturuar topin mbi traversë.


Kjo fitore kthen Juventusin në vendin e 7 në klasifikim dhe e mban në një distancë jo shumë të largët me Atalantën, e cila është skuadra që pozicionohet tani në vendin e katërt e që siguron pjesëmarrjen në Ligën e Kampioneve në sezonin e ardhshëm.

renditja

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"