VIDEO/ Gola, penallti e humbur, traversa dhe shtyllë! Erzeni dhe Kukësi ndajnë pikët nga një rrjetë e tundur në shtesë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 19, 2023 | 0:01

VIDEO/ Gola, penallti e humbur, traversa dhe shtyllë! Erzeni dhe Kukësi ndajnë pikët nga një rrjetë e tundur në shtesë

Erzeni dhe Kukësi kanë ndarë pikët në barazimin 1-1 në ”Niko Dovana” pas një sfide e cila dhuroi emocione të shumta deri në fundin e saj.

erzeni kukesi

Shijakasit ishin më ngulmues në pjesën e parë, teksa shënuan gol me Ademin por edhe goditën traversën e portës së mbrojtur nga Tafas. Në pjesën e dytë ishte Kukësi që kërkoi me shumë golin dhe iu afrua fillimisht me një penallti, por Taipi goditi shtyllën nga pika e bardhë.

Ndërsa shijakasit nuk ia dolën të mbyllnin ndeshjen edhe pse kishin disa mundësi të mira, mes të cilave edhe një tjetër traverse të Ademit, u ndëshkuan në shtesë nga Gabriel Barbosa i cili festoi me gol ditëlindjen e tij.

Kështu, ekipet ndanë pikët pa ndryshuar shumë pozitat në renditje, me shijakasit në grupin e skuadrave që pretendojnë Europën, e kuksianët që nuk gjenden shumë larg tij.

ERZENI-KUKËSI 1-1
25′ Ademi / 90’+2′ Barbosa

NGJARJET KRYESORE

90’+8’ Mbyllet ndeshja me barazimin 1-1.

90’+5’ Gjuajtje e fortë ballore nga distanca e Delimexhac, Xhika pret në dy kohë.

90’+2’ GOOOL KUKËSI! Pas një harkimi të Hasës nga e majta, Barbosa gjuan në qendër dhe gjen barazimin.

90’ Jepen 8 minuta shtesë.

90’ Karton i verdhë për Kovaçin për një faull në mesfushë.

85’ Përsëri traversa shpëton Kukësin. Ademi nga e majta mposht Tafas por sheh topin të ndalet në traversë ndërsa më pas portieri bllokon gjuajtjen e Nonatos.

84’ Zëvendësime në të dy skuadrat. Alan dhe Osmanllari i bëjnë vend Enk dhe Kovaçit te Erzeni, Nga ana tjetër, Barbosa dhe Lamçe marrin vendin e Dragodhit dhe Rashitit te Kukësi.

81’ Momoh ndëshkohet me karton të verdhë pasi ndal në mënyrë të parregullt një kundërsulm të Erzenit.

81’ Pas një aksioni të Ndrecës në krahun e majtë, Xhika bën mrekullinë dy herë radhazi duke larguar topin nga zona e tij.

79’ Sh. Taipi dhe Basha i lënë vendin Hasës dhe Momoh te Kukësi.

78’ Ndreca tenton edhe një herë nga distanca pas një topi të kthyer nga një goditje këndi, teksa nuk gjen përsëri katërkëndorin e shijakasve.

75’ Pas një topi në zonë nga e majta, kuksianët pretendojnë për penallti pas një prekje të topit me dorë nga Peposhi, por Hamiti bën shenjë që loja të vazhdojë.

74’ Kapllani lë fushën e lojës te Erzeni, duke i bërë vendin Kadriut.

74’ Karton i verdhë për Sh. Taipin për një faull në mesfushë.

72’ Abdu lë fushën e lojës, me Delimexhac i cili merr vendin e tij në radhët e Kukësit.

71’ Alan nis Nonaton në zonë, por ky i fundit vonohet në kontrollin e sferës, duke humbur mundësinë të gjuajë para Tafas.

68’ Leao merr vendin e Mehmetit në radhët e Erzenit.

67’ Shtyllë! Gj, Taipi gjuan nga pika e bardhë dhe godet shtyllën.

60’-66’ Ndreca nga e majta nis një top në qendër ku Basha nuk ia del të devijojë sferën dhe rrëzohet pas kontaktit me Peposhin. Hamiti pret sinjalizimin nga VAR, për të mësuar nëse është apo jo 11-metërsh. Pas 5 minutash pritje, vendos që të shkojë të shohë vetë çfarë ndodhi para monitorit. Në fund, ai bën shenjë për penallti për verilindorët dhe ndëshkon me të verdhë Peposhin.

55’ Goditje e Kahrimanoviç që sjell drithërima në portën e Kukësit, sfera përfundon jo shumë larg katërkëndorit.

50’ Gj. Taipi lëshon një gjuajtje të fortë në goditje dënimi, sfera devijohet nga muri dhe më pas Xhika e largon nga zona e tij.

47’ Në një goditje nga këndi, topi shkon te Ebert i cili provon roveshatën, sfera shkon në duart e Xhikës.

46’ Fillon pa zëvendësime pjesa e dytë e ndeshjes.

45’+5’ Mbyllet pjesa e parë me avantazhin e Erzenit.

45’+4’ Xhonson gjen hapësirën mes 4 lojtarëve që të gjuajë në portë, por Xhika mbërthen topin.

45’+1’ Gjuajtje e fortë e Sh. Taipit, Iljazi devijon topin me shpinë dhe Xhika kontrollon.

45’ Jepen 3 minuta shtesë.

44’ Erzeni tërhiqet në këto minuta, duke tentuar të thumbojë me kundërsulme, pasi Kukësi është i çbilancuar përpara në kërkim të barazimit.

40’ Gjuajtje qendrore e Kapllanit, Tafas pret në pozicion.

39’ Gj. Taipi tenton të gjejë rrjetën me një goditje dënimi direkt në portën e Xhikës nga e djathta, portieri është në pozicion dhe nuk gabon duke bërë të tijën sferën.

36’ Pas një topi në zonë nga e majta, Kapllani ul sferën për Alan por gjuajtja e tij në ecje e sipër nuk gjen portën e miqve.

30’ Ndreca nga e majta hyn në zonë, ku Osmanllari ia largon sferën nga këmbët në momentin e fundit, me topin i cili kontrollohet nga Xhika.

29’ Ademi provon përsëri me të djathtën, këtë herë nga jashtë zonës, por pa gjetur portën pasi fluturon sferën larg katërkëndorit.

25’ GOOOL ERZENI! Pas një harkimi nga e djathta të Osmanllarit në shtyllën e dytë, Ademi gjuan dhe mposht Tafas.

24’ Kapllani nga e djathta mundohet të ulë topin për Nonaton, por Tafas del duke kontrolluar gjithçka.

21’ Goditje dhe faulle të njëpasnjëshme në minutat e parë, por gjyqtari Hamiti ende nuk ka ndëshkuar me karton një nga lojtarët në fushë, pavarësisht protestave nga të dy palët.

18’ Gjuajtja e fortë e Ndrecës nga e majta, topi nuk shqetëson Xhikën pasi shkon shumë larg katërkëndorit.

14’ Alan provon me një tjetër gjuajte nga distanca, pa gjetur portën e Tafas i cili shoqëron me qetësi sferën me sy.

10’ Alan provon me një goditje dënimi nga distanca, topi përfundon jashtë, ngjitur me shtyllën.

9’ Ndizet ndeshja me disa faulle të verilindorëve ndaj ekipit vendas, protesta të shumta të shijakasve të cilët kërkojnë ndëshkime me kartonë.

7’ Pas zhvillimit të një goditje nga këndi, Ademi gjuan me kokë, por topi bie në pjesën e sipërme të traversës dhe del jashtë.

4’ Shkëndija e parë është një gjuajtje e Bashës nga distanca, Xhika kontrollon.

1’ Nis dueli në “Niko Dovana”

FORMACIONET ZYRTARE

Erzeni: Xhika, Peposhi, Iljazi, Kriviçiç, Mehmeti, Ademi, Kahrimanoviç, Alan, Osmanllari, Nonato, Kapllani.
Trajner: Xh. Kapllani

Kukësi: Tafas, Ndreca, Ebert, Bytyçi, Dragoshi, Abdu, Sh. Taipi, Xhonson, Gj.Taipi, Basha, Rashiti.
Trajner: Rr. Hallaçi

WhatsApp Image 2023-03-18 at 4.54.15 PM

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"