VIDEO/ Gol “vitrinë” në Kupë, Hysolli: Jam inspiruar gjithnjë nga Zidan

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 28, 2022 | 20:52

VIDEO/ Gol “vitrinë” në Kupë, Hysolli: Jam inspiruar gjithnjë nga Zidan

Në Korçë zbulojnë një tjetër “xhevahir”. Kevin Hysolli është produkti më i ri i shkollës bardhekuqe. Ai po gjen vend pranë ekipit të parë dhe si për të bindur këdo për cilësitë e tij, “gatoi” një kryevepër në Kupën e Shqipërisë. Është vetëm 19 vjeç, por zotëron një teknikë të jashtëzakonshme dhe mbi të gjitha një goditje vrastare.

HYSOLLI

Kështu veproi kundër Maliqit, ku çuditi të madh e të vogël me atë gol që shënoi. Pas largimit drejt tregut të huaj të Jorgo Pëllumbit para dy sezonesh dhe më pas të Uerdi Marës në verën që lamë pas, lojtari i linjës së djathtë është “basti” i ri i korçarëve. Në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport”, mbrojtësi tregon emocionet që i ka dhuruar ky vit, nga debutimi me ekipin e parë tek ajo rrjetë për “vitrinë”:

“Të them të drejtën, viti 2022 ka qenë tepër i veçantë për mua, pasi po provoj emocione njëra pas tjetrës. Pasi mbylla me sukses aventurën tek U-19 e profesor Jani Kaçit, kam debutuar si profesionist me ekipin e parë sezonin që shkoi nën urdhrat e profesor Gegës. Ndërkohë që këtë sezon trajneri Memelli më ka bërë pjesë permanente të ekipit. Për mua është emocion dhe njëkohësisht përgjegjësi e madhe të jem pjesë e një ekipi si Skënderbeu.

Jam duke punuar fort çdo ditë me kokën ulur për të pritur momentin më të mirë të mundshëm dhe për të treguar vlerat e mia. Në këtë sezon kam ndryshuar pozicion dhe jam përshtatur si një mbrojtës i djathtë. Them se falë udhëzimeve të trajnerit po përshtatem mjaft mirë. Shokët e ekipit më kanë ndihmuar shumë. Jam ndier si në familje dhe çdo ditë mësoj nga Frashëri, Zguro, Prençi dhe Rapa, që janë edhe lojtarët më me eksperiencë te Skënderbeu.

IDHUJT – Si çdo i ri, edhe Hysolli ka idhujt e vet që i referohet dhe mundohet t’i imitojë në fushë. Për djaloshin korçar, Zinedin Zidan është pika e referimit që në kohët kur nisi rrugën e topkëmbës. “Idhulli im është Zidan dhe kjo është një lidhje e hershme, që kur nisa futbollin.

Deri te moshat luaja si një tipik lojtari ofensiv, numër 10, dhe çdo lëvizje e mësoja prej videove të francezit. Edhe goli ndaj Maliqit ka pak Zidan në interpretim. Paçka se tashmë jam duke punuar për një rol të ri në fushë. Shpresoj të mësohem shpejt me pozicionin dhe do të jem gjithnjë i gatshëm në 100% të mundësive të mia kur ekipi të ketë nevojë”, vijoi i riu, që po luan si mbrojtësi i djathtë.

AMBICIET – Ëndrrat janë ato që çojnë larg një futbollist nëse ndërthuren si duhet me punën. Dhe për këtë Hysolli është i vetëdijshëm. 19-vjeçari i Skënderbeut tregon se cilat janë dëshirat e tij, të cilat kërkon t’i arrijë gjatë karrierës futbollistike.

“Padyshim që ëndrra më e madhe imja është të dal në tregun europian, nuk kam pse të fshihem. E di që për këtë duhet punë dhe pasion, ndaj po punoj fort. Skënderbeu është ekipi i duhur dhe i vetmi ekip ku ky kalim mund të bëhet realitet. Ka shembuj të shumtë që më bindin për këtë duke nisur nga Berisha e deri te Mara.

Prandaj po zbatoj çdo këshillë që më vjen dhe po punoj fort me qëllimin e vetëm, që një ditë emri im të jetë në majën e nivelit europian”, përfundon korçari që po i mahnit të gjithë te Skënderbeu.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"