Video / Franca kthen Shpresat kuqezi me këmbë në tokë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 5, 2017 | 22:00

Video / Franca kthen Shpresat kuqezi me këmbë në tokë

Kombëtarja shqiptare U-21 është mundur sot me rezultatin 3-0 nga Franca në ndeshjen e zhvilluar në Tiranë. Për ekipin e drejtuar nga Alban Bushi, kjo sfidë tregoi qartësisht se diferencat me kundërshtarë të tillë mbeten ende shumë të mëdha.

Pavarësisht talentit në dispozicion të ekipit kombëtar, Franca dominoi takimin duke krijuar raste të njëpasnjëshme para portës kuqezi. Dy golat e Muse në pjesën e parë të ndeshjes dhe ai i Siebatçu në fillimin e të dytës vendosën fatin e kësaj ndeshje miqësore ku kuqezinjtë u zgjuan vetëm në fund me rastet e krijuara nga Hebaj dhe Zeka.

shqiperi france u21

MINUTË PAS MINUTE

90’+3’ Mbyllet ndeshja me fitoren 3-0 të Francës.

90’ Akordohen tre minuta shtesë.

86’ Një goditje me kokë e Dialo nuk gjen kuadratin e portës së Kastratit, në zhvillimin e goditjes së këndit të radhës të përfituar nga përfaqësuesja franceze.

82′ Në fushë edhe talenti i Sëlltikut, Musa Dembele.

77’ Aksion i shkëlqyer individual i Zekës, i cili arrin të hyjë në zonë duke dribluar dy futbollistë. mesfushori rrëzohet në zonë por për gjyqtarin nuk është penallti.

76’ Hebaj shpërdoron rastin më të mirë për t’i shënuar Francës pas një kombinimi të shpejtë në mesfushë. Sulmuesi kalon topin mbi portierin kundërshtar por nuk gjen kuadratin.

74’ Koko provon në hyrje të zonës me një gjuajtje të fortë që kalon mbi traversën e portës së Kastratit.

71’ Zeka merr topin dhe nga rreth 25 metra provon portën, në atë që është tentativa e parë e mirëfilltë e kuqezinjve. Sfera përfundon jashtë kuadratit.

69’ Tjetër seri prej tre zëvendësimesh në radhët e përfaqësueses kuqezi. Në fushë janë Kallaku, Nuri dhe Kastrati.

65’ Një tjetër situatë e vështirë para portës kuqezi që zgjidhet nga Selmani me një devijim ndaj të sapofuturit Karamoh, për të evituar golin e katërt.

64’ Tre zëvendësime në radhët e Francës, nga radhët e të cilës largohet edhe autori i dy golave, Muse.

62’ Dy goditje radhazi nga këndi për francezët nuk prodhojnë rrezik në katërkëndorin kuqezi.

61’ Goditje e fortë e Fulxhini nga jashtë zonës, Selmani tregon reflekset e tij duke devijuar jashtë topin për të shkaktuat goditjen e pestë nga këndi për francezët në këtë ndeshje.

52’ Bushi ndryshon menjëherë tre lojtarë, duke aktivizuar Zekën, Krymin dhe Hebajn në vend të Durmishajt, Ramadanit dhe Malokut.

48’ Franca gjen shumë shpejt edhe golin e tretë në fillimin e pjesës së dytë. Këtë radhë Muse është në rolin e njeriut-asist, pasi i kalon topin Siebatçu që nuk e ka të vështirë ta shtyjë në rrjetë. 0-3

46’ Fillon pa zëvendësime pjesa e dytë e ndeshjes.

45’ +1’ Pjesa e parë mbyllet me një ndërhyrje vendimtare të Selmanit i cili i mohon A. Diakhabi gëzimin e golit pas një kundërzbritje të shpejtë të francezëve.

45’ Tjetër gol i Muse. Sulmuesi kontrollon me qetësi topin në krahun e majtë pasi driblon Qollakun dhe lëshon një diagonale të pakapshme për Selmanin. 0-2

42’ Një goditje dënimi nga rreth 40 metra harkohet në zonë nga Koko, por Dialo nuk arrin të devijojë topin me kokë drejt rrjetës, edhe pse kërceu mbi mbrojtjen kuqezi, gjithmonë në panik në momentet e goditjeve standarde.

cekici

35’ Probleme për Çekiçin që lë fushën e lojës i dëmtuar, në fushë futet Taulant Seferi.

33’ Goditje nga këndi për Francën dhe tjetër rrezik në portën tonë. Siebatçu me kokë devijon topin drejt katërkëndorit kuqezi por Selmani është i vëmendshëm duke pritur në pozicion.

28’ Një tjetër goditje e fortë nga jashtë zonës e N’Tçam, këtë radhë pret në pozicion Selmani.

22’ Një goditje dënimi nga krahu i djathtë sjell golin e avantazhit të Francës. Harkimi në zonë gjen Muse i cili dërgon topin në rrjetë me një gjuajtje të shpejtë. 0-1

17’ N’Tçam provon me një gjuajtje të fortë drejt katërkëndorit tonë por Bare bllokon me trup gjuajtjen në hyrje të zonës, edhe pse mbetet i dëmtuar për disa momente, duke kërkuar ndihmën e stafit mjekësor.

11’ Goditje dënimi e ekzekutuar në të djathtën e sulmit të Francës nga A. Diakabi, Selmani grushton duke larguar rrezikun.

8’ Sinjali i parë drejt portës së miqve vjen me një goditje dënimi nga e djathta e Çekiçit, por harkimi i mesfushorit kontrollohet nga portieri Prevo.

4’ Franca provon të rrezikojë me një goditje nga këndi nga krahu i djathtë, por mbrojtja shqiptare tregohet e vëmendshme duke larguar rrezikun.

1’ Shqipëria nis ndeshjen me topin e parë.

Shqipëri U21-Francë U21 0-3
22′, 45′ Muse, 48′ Siebatçu

Shqipëria: Selmani (69′ Kastrati), Toli, Tafa, Qollaku (69′ Nuri), Doka, Maloku (52′ Zeka), Ramadani (52′ Krymi), Bare, Abazaj (69′ Kallaku), Çekiçi (35′ Seferi), Durmishaj (52′ Hebaj).

Trajner: Alban Bushi

Franca: Prevo, Amian (64′ Sarr), Dialo, M. Diakhabi, Mukiele, N’Tçam (75′ Lopez), A. Diakhabi (75′ Bamba), Fulzhni (64′ N’Doram), Koko (75′ Ikone), Siebatçu (82′ Dembele), Muse (64′ Karamoh).

Trajner: Silven Ripol

KV: Fulzhini, Koko

Gjyqtar: Genc Nuza (Kosovë)

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"