VIDEO/ Fitorja e katërt radhazi, Teuta nuk ndalet as ndaj Skënderbeut

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 6, 2020 | 22:41

VIDEO/ Fitorja e katërt radhazi, Teuta nuk ndalet as ndaj Skënderbeut

Teuta nuk di të ndalet në kampionat dhe “viktima” e radhës është Skënderbeu. Një gol i Sherif Kallakut në pjesën e dytë vendosi ndeshjen e mbrëmshme në Durrës, e cila ishte shumë e luftuar deri në fund dhe me “djemtë e detit” agresivë në çdo moment. Kjo ishte fitorja e katërt radhazi për skuadrën e Edi Martinit, që ruan vendin e tretë dhe është më afër se kurrë zyrtarizimit të Europës. Nga ana tjetër, bardhekuqtë e Ilir Dajës kanë humbur shkëlqimin që pas eliminimit në Kupë. Vetëm dy goditje në portë për 90 minuta ishin shumë pak për korçarët, që gjithsesi kanë pretendime për gjykimin e Laver Allës.

Traversa e Kallakut logo

FOTOT: F.HAZISLLARI & P.PASHOLLARI

PJESA E PARË

Durrsakët hedhin në fushë të njëjtin formacion që Martini ka besuar gjithnjë prej rifillimit të kampionatit. Starti është asfiksues për Teutën, që bën presing lart dhe i afrohet golit që në minutën e 2-të me kapitenin Arapi. Skënderbeu e ka të vështirë të dalë nga gjysmëfusha, ndërsa Kallaku është i pafat, pasi gjuan nga një goditje dënimi dhe topi përplaset në traversë. Në 20 minutat e para “djemtë e detit” krijojnë presion të vazhdueshëm dhe godasin sërish traversën, këtë herë me Hebajn. Sulmuesi shkodran dhe veçanërisht Lorenco Vila, kanë raste të pastra për shënim, por goli në pjesën e parë nuk vjen. Skënderbeu kujtohet të rrezikojë portën e durrsakëve në fundin e fraksionit, kur “predha” e Taipit neutralizohet nga Frashëri.

Goli i Teutes logo

PJESA E DYTË

Me Bregun në stol prej dëmtimit, Skënderbeu është i mefshtë në sulm, paçka se Daja kishte hedhur nga minuta e parë treshen Gripshi, Krasniqi e Mensah. Edhe pjesa e dytë nis me Teutën më kërkuese, që mundohet me çdo mënyrë të shënojë. Goli nuk vonon dhe pas një insistimi të vazhdueshëm në portën e Koliçit është Kallaku që shënon pas një aksioni model.

Avantazhi qetëson durrsakët, që kanë një freski fizike për t’u admiruar, ndërsa Skënderbeu e ka shumë të vështirë të shkojë te porta e Frashërit. Teuta administron më së miri ndeshjen, ndërsa Daja kërkon të ndryshojë diçka me futjen në fushë të Esien, Pollozhanit dhe Pëllumbit. Por, gjithçka mbyllet me shifrat 1-0.

FT: TEUTA – SKËNDERBEU 1-0

Kallaku 56′

KOMENTI LIVE:

Përfundon takimi! 

90′ Akordohen 4 minute shtesë.

84′ Gripshi rrëzohet brenda zonës dhe kërkon 11-metërsh, por nuk është i këtij mendimi gjyqtari Alla.

83′ Mara jep një top të rrezikshëm në zonë për Mensah, i cili nuk arrin ta zotërojë.

78′ Zëvendësim te Skënderbeu, largohet Randi i dëmtuar, vendin e tij e zë Pollozhani.

70′ Zëvendësim te Teuta, largohet Avdyli, vendin e tij e merr Arbër Çyrbja.

66′ Zëvendësim i dyfishtë te Skënderbeu. Largohen Jashanica dhe Taipi, në lojë Pëllumbi dhe Esien.

65′ Mara provon me të majtë nga distanca, topi shkon drejt e në duart e portierit Frashëri.

56′ GOOOOOL TEUTA 1-0/ Shënon më në fund Teuta, Sherif Kallaku është autori i golit i cili goditi saktë nga brenda zonës. 

55′ Shpëton mrekullisht porta e korçarëve, pas një aksion mjaft të bukur, Eni Imami largon rrezikun.

50’ Ritëm më i ulet për sa i përket rasteve të krijuara në këto minuta se në pjesën e parë, pasi skuadrat janë më të kujdesshme në prapavijë.

47′ Avdyli ndëshkohet me karton të verdhë për ndërhyrje të gabuar ndaj Gripshit.

46′ Starton pjesa e dytë!

Mbyllet pjesa e parë! 

45′ Akordohet 1 minutë shtesë.

43′ I pari kërcënim i vërtetë në portën e Teutës, Taipi lëshon një predhë nga distanca, vendimtare pritja e Frashërit.

42′ Dominim absolut i Teutës, që ushtron presion të vazhdueshëm në zonën e Skënderbeut.

37′ Provon edhe Todorovski me një goditje me të jashtmen, por pa problem për Koliçin.

32’ Rrezikon përsëri Teuta me goditje dënimi, topi shkon në shtyllën e dytë për Arapin i cili për pak nuk arrin kontaktin me topin për ta kthyer në rrjetë.

28′ Lorenco Vila humbet një rast të artë shënimi i vetëm përballë Koliçit, gjuajtja e tij ndalet nga gardiani i skuadrës korçare, duke e përplasur topin në trupin e këtij të fundit.

26′ Rustem Hoxha lëshon një predhë nga goditja e dënimit, grushton në vështirësi portieri Koliçi.

25′ Taipi ndëshkohet me karton të verdhë për ndërhyrje të gabuar ndaj Avdylit.

23′ Skënderbeu kërkon të kundërpërgjigjet me Krasniqin, vendimtare zgjatja e Rustem Hoxhës.

19′ Hebaj godet me kokë pas harkimit nga këndi, topi përplaset në traversë, durrsakët pretendojnë se e ka kaluar vijën, por pamjet i japin të drejtë anësorit Avdo.

18′ Pritje fantastike e Enea Koliçit, që dërgon në këndore një top të devijuar nga Dita.

9′ Drithërima në portën e Koliçit, traversa i mohon golin e avantazhit Kallakut, pas gjuajtjes mjaft të bukur nga goditja e dënimit.

8′ Mensah ndërhyn në mënyrë të gabuar ndaj Kallakut, shumë pranë hyrjes së zonës. Goditje dënimi në një pozicion të favorshëm për durrsakët.

6’ Tjetër top interesant që harkohet në zonë nga e majta, Koliçi del dhe kontrollon sferën e devijuar nga Imami para Kallakut.

2′ Rast ideal për Renato Arapin, por kapiteni durrsak nuk koordinohet siç duhet brenda zonës, duke gjoditur jashtë kuadratit.

1 minute heshtje Skenderbeu

1′ Ka startuar me 1 minute heshtje, në kujtim të babait të Emiljano Vilës, i ndarë nga jeta një ditë më parë.

 

 

TEUTA: Frashëri, Todorovski, Hoxha, Arapi, Kuro, Aleksi, Avdyli (Çyrbja 71′), E.Vila, Kallaku (Gruda 86′), L.Vila, Hebaj. (në dispozicion: Celeski, Kalaja, L.Beqja, F.Beqja, Hreljiç, Jazxhi, Kapllani, Salillari). Trajner: Edi Martini

SKËNDERBEU: Koliçi, Randy (Pollozhani 79′), Dita, Jashanica (Pëllumbi 66′), Imami, Mara, Taipi (Esien 66′), Elezi, Gripshi, Krasniqi, Mensah. (në dispozicion: Dajsinani, Berisha, Bregu, Daja, Vangjeli, Vitija). Trajner: Ilir Daja

KARTONË TË VERDHË: Avdyli 48′, Trajneri Martini 55′, Kuro 88′ / Taipi 25′, Imami 90′

DELEGAT: Lysien Nurishmi (Tiranë)

VËZHGUES: Prek Pjetrushi (Tiranë)

GJYQTARET L.Alla (Lushnjë), R.Avdo, D.Agaraj (Tiranë)

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"