VIDEO/ Festë me katër gola të shënuar, Vllaznia mund Laçin dhe sheh kreun më afër

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 22, 2023 | 0:19

VIDEO/ Festë me katër gola të shënuar, Vllaznia mund Laçin dhe sheh kreun më afër

Vllaznia ka marrë një fitore të rëndësishme 4-1 ndaj Laçit, duke u konfirmuar tashmë si një skuadër pretendente për titullin kampion. Kuqeblutë kanë dominuar plotësisht ndaj kurbinasve duke marrë tre pikët me meritë, teksa vetëm 3 pikë është edhe distanca që i ndan tanimë nga vendi i parë.

bandicam 2023-01-21 15-57-56-961

Shkodranët kanë dominuar që nga minuta e parë sfidën, duke kërkuar vazhdimisht golin derisa e gjetën atë me anë të Hoxhajt. Më pas, për ta u bë gjithçka e thjeshtë dhe sulmuesi i dyfishoi shifrat para fundit të pjesës së parë duke bërë të qartë se si do të shkonte rrjedha e sfidës.

Josa i dha minuta edhe Bekim Balajt në pjesën e dytë, por ndërsa ekipi i tij shpërdoronte raste para portës, Laçi rihapi duelin me golin e Shkurtajt. Megjithatë, drithërimat e vendasve zgjatën pak minuta pasi Juriç vendosi edhe një herë distancën e dy golave. Ndërsa në fund, ishte Jonuzi ai i cili shënoi golin i cili vulosi suksesin 4-1 të kuqebluve që duket se janë kthyer në shinat e duhura dhe kërcënues në garën për titullin.

VLLAZNIA-LAÇI 4-1
31′, 43′ Hoxhaj, 73′ Juriç, 90’+3′ Jonuzi / 65′ Shkurtaj

KOMENTI LIVE:

90’+4’ Mbyllet ndeshja me fitoren 4-1 të Vllaznisë.

 90’+3’ GOOOL VLLAZNIA, 4-1! Sulm i shpejtë i Vllaznisë që gjen rrjetën me anë të Jonuzit i cili gjuan nga jashtë zonës dhe mposht Dajsinanin.

90′ Jepen 4 minuta shtesë.

90’ Edhe Smajli tenton të gjejë Balajn në qendër, Dajsinani del dhe mbërthen sferën.

89’ Aksion i Krujës në të djathtën e sulmit, pasimi i tij në qendër nuk gjen Balaj e vetëm duke shpërdoruar mundësinë për golin e katërt.

87’ Spahiu gjuan nga distanca me të djathtën, Zogoviç kontrollon me vështirësi në dy kohë.

86’ Spahiu bën gjithçka mirë në të majtën e sulmit, gjen Ujkën në zonë por gjuajtja e këtij të fundit me të djathtën nuk përfundon në katërkëndorin e Zogoviç.

80’ Kruja hyn në fushën e lojës në vend të Malës. Ndërsa në anën tjetër është Babatunde i cili merr vendin e Mazrekajt.

79’ Manellari tenton të rihapë takimin me një gjuajtje të fortë nga jashtë zonës, sfera fluturon jashtë katërkëndorit.

77’ Goditje e fortë e Heriç nga jashtë zonës, Dajisnani është i vëmendshëm dhe kontrollon sferën.

73’ GOOOL VLLAZNIA, 3-1! Pas një goditej nga këndi, Juriç harrohet i vetëm në qendër dhe ai nuk e ka të vështirë të mposhtë Dajsinanin me një gjuajtje me kokë.  

72’ Jonuzi gjuan nga jashtë zonës, nuk gjen portën e Dajsinanit.

68’ Lëvizje në të dy skuadrat. Spahiu merr vendin e Dukës te Laçi. Kurse për shkodranët janë Heriç dhe Çoba të cilët marrin vendin e Markut dhe Hoxhajt.

65’ GOOOL LACCI, 2-1! Pas një harkimi nga e majta i Gecit, Shkurtaj devijon para portës dhe rihap duelin.

62′ Hakaj ndëshkohet me karton të verdhë pas një faulli në mesfushë.

60’ Hoxhaj tenton menjëherë të nxjerrë Balajn para portës, Dajsinani ndërhyn dhe mbërthen sferën.

58’ Bekim Balaj debuton me Vllazninë duke marrë vendin e Kaina.

55’ Jonuzi provon nga jashtë zonës me një gjuajtje të fortë, sfera ndalet nga Dajsinani.

54’ Gafë e pabesueshme e Kaina i cili del para portës dhe i vetëm me Dajsinanin, godet në mënyrë tërësisht të gabuar duke çuar topin mbi traversë.

52’ Roganoviç ndëshkohet me karton të verdhë pas një faulli ndaj Kaina.

50’ Dajsinani bën një tjetër pritje të shkëlqyer duke shmangur golin e radhës, por më pas aksioni i shkodranëve anulohet për pozicion jashtë loje.

47’ Ovacione në stadium pasi Balaj nis nxemjen, duke lënë të kuptohet se mund të ketë minuta për të.

46’ Nis pjesa e dytë e ndeshjes pa zëvendësime në radhët e dy ekipeve.

45’+1′ Mbyllet pjesa e parë me avantazhin 2-0 të Vllaznisë. 

43’ GOOOL VLLAZNIA, 2-0! Insistim i Hakajt në krahun e majtë, pasimi i tij në qendër devijohet nga Roganoviç dhe ia bën të thjeshtë Hoxhajt të dyfishojë shifrat.

38’ Vllaznia vazhdon të ketë kontrollin e lojës, duke mos lejuar Laçin të kthehet në ndeshje.  Shkodranët kërkojnë me ngulm edhe golin e dytë.

33’ Mezani nuk vonon për ndërrimin e parë, duke parë se Guindo ka probleme fizike. Në fushë Shkurtaj.

31’ GOOOL VLLAZNIA, 1-0! Harkim në qendër i Markut pas zhvillimit të një goditje nga këndi dhe Hoxhaj devijon sferën e cila prek Adeleke dhe përfundon në rrjetë.

30’ Predhë e Markut nga jashtë zonës, Dajsinani devijon mbi traversë.

29’ Aksion i gjatë i Vllaznisë në krahun e majtë, topi harkohet në qendër te Hoxhaj i cili e ul me gjoks për Markun, por ky i fundit nuk gjen portën me gjuajtjen e tij me të majtën.

27’ Sinjali i parë i Laccit vjen me një goditje nga këndi që devijohet në zonë e përfundon te Velkoski, por sfera e gjuajtur me kokë nuk gjen katërkëndorin.

22’ Jonuzi pason në mënyrë perfekte për Kainan në krahun e majtë, por gjuajtja e këtij të fundit ndalet nga Dajsinani në pozicion.

19’ Përsëri është Mala ai që shfaqet rrezikshëm në krahun e majtë, shmang Ujkën dhe lëshon një gjuajtje të fortë, por sfera ndalet nga Dajsinani.

13’ Geci mundohet të largojë topin por kjo kthehet në një asist për Hoxhajn i cili gabon gjithçka duke dërguar sferën jashtë, dhe pse i vetëm para portës.

7’ Harkim i Hakajt nga e majta, Dasjinani nuk largon mirë sferën por ndërhyn Mazrekaj dhe spastron zonën.

6’ Aksion i gjatë i Vllanzisë me Gurishtën i cili harkon më pas në shtyllën e dytë për Malën, gjuajtja e këtij të fundit gjen përgjigjen e Dajsinanit i cili largon rrezikun.

3’ Aksion i Hakajt nga e majta, ai harkon për Kaina i cili gjuan me kokë por gjen përgjigjen e Dajsinanit i cili kalon topin mbi traversë. Aksioni bëhet i pavlefshëm nga sinjalizimi për pozicionin jashtë loje të mbrojtësit.

1’ Nis dueli në Shkodër.

FORMACIONET ZYRTARE:

Vllaznia: Zogoviç, Smajli, Juriç, Gurishta, Hakaj, Jonuzi, Alivoda, Marku, Hoxhaj, Mala, Kaina.
Trajner: M. Josa

Laçi: Dajsinani, Duka, Velkoski, Borisiuk, Roganoviç, Manellari, Ujka, Geci, Mazrekaj, Adeleke, Guindo.
Trajner: G. Mezani

WhatsApp Image 2023-01-21 at 3.56.58 PM

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"