VIDEO/ Dinamo mund kampionët e Tiranës, fitorja e parë e Vanolit te blutë vjen në derbi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 21, 2022 | 18:50

VIDEO/ Dinamo mund kampionët e Tiranës, fitorja e parë e Vanolit te blutë vjen në derbi

Dinamo gjen fitoren e parë me Rodolfo Vanolin si trajner dhe ajo vjen pikërisht në derbin me Tiranën. Një derbi thjesht për statistikë, pasi suksesi 2-1 nuk ndryshon fatin e skuadrave me blutë e destinuar për Kategorinë e Parë dhe bardheblutë që kanë bërë të tyrin titullin kampion.

DINAMO-TIRANA

Sfida ka qenë shumë e luftuar që në pjesën e parë, me të dy ekipet që kanë tentuar në çdo mënyrë që të shënonin. Golin e gjetën blutë me anë të Haxhiut që në startin e sfidës dhe më pas e kishin të thjeshtë të gjenin hapësira në prapavijën e bardhebluve. Rexhinaldo mund të dyfishonte shifrat në pjesën e parë por gaboi një penallti.

Në pjesën e dytë Dinamo gjeti një tjetër gol me Samake dhe aty erdhi reagimi i Tiranës që u mundua me çdo kusht të shënonte, ose më saktësisht të çonte Seferin para portës. Ky i fundit shënoi me një penallti të diskutueshme, por më pas nuk pati mundësi të tjera, duke e mbyllur pak i nervozuar sfidën ku kërkonte të konsolidonte pozitat në kreun e renditjes së golashënuesve.  Ndaj sfida u mbyll me fitoren për statistikë të bluve që kanë filluar të mendojnë për Kategorinë e Parë.

DINAMO-TIRANA 2-1
9′ Haxhiu, 49′ Samake / 66′ (p) Seferi

MINUTË PAS MINUTE

90’+3’ Mbyllet ndeshja me fitoren 2-1 të Dinamos.

90’ Jepen 3 minuta shtesë.

90’ Behiratçe ndëshkohet me karton të verdhë.

83’ Aksion i gjatë i bardhebluve me topin që shkon te Toli, gjuajtja e këtij të fundit grushtohet nga Harizaj.

79’ Largohet Përgjoni dhe në fushë hyn Bytyçi. Jashtë edhe Hoti, duke i bërë vend Devid te bardheblutë

77’-78’ Të dy skuadrat krijojnë mundësi shënimi në këto minuta. Nga një anë është Haxhiu i cili vë në provë përsëri Likën, ndërsa nga ana tjetër bardheblutë janë të fokusuar si të dërgojnë para rrjetës Seferin.

72’ Pas goditjes nga këndi, Lilaj tenton nga distanca, Lika grushton sferën.

72’ Haxhiu nga e majta pason në qendër për Çinedu por ky i fundit sheh goditjen e tij të devijohet jashtë katërkëndorit.

68’-69’ Mihana dhe Isaevski marrin vendin e Ibraimit dhe Samake në radhët e bluve në minutat e fundit.

66’ GOOOL TIRANA! Shënon Seferi nga pika e bardhë.

65’ Penallti për Tiranën pas një faulli të Samake mes protestave të bluve. Jorgji përsëri është i sigurt dhe bën shenjë nga pika e bardhë.

63’ Një ndërhyrje e Mijas eviton një gol të sigurt në portën e bluve pas një aksioni nga e djathta të Tolit.

59’ Hoxhallari dhe Toli marrin vendin e Nuriut dhe Gjumsit te bardheblutë. Ndërkohë, Çinedu hyn në vend të Rexhinaldos në fushën e lojës në radhët e Dinamos.

56’ Tenton Hoti me një gjuajtje nga jashtë zonës, sfera përfundon jashtë, ngjitur me shtyllën.

49’ GOOOL DINAMO! Samake dyfishon rezultatin pas një goditje nga këndi, ku ai devijon sferën në mënyrë të papritur në rrjetë.

46’ Dy zëvendësime të Dinamo me Lilajn dhe Lahon të cilët marrin vendin e Sidibes dhe Siljanovskit në radhët e bluve.

45’+1’ Mbyllet pjesa e parë me avantazhin 1-0 të Dinamos.

45’ Jepet 1 minutë shtesë.

45’ Goditje dënimi e fortë ballore e Ibraimit, Lika bën përsëri një fluturim spektakolar duke mbajtur topin jashtë katërkëndorit të tij.

45′ Karton i verdhë edhe për Hotin.

38’ Ibraimi mundohet të shënojë me një gjuajtje nga distanca, por pa shënjestrën e duhur pasi sfera fluturon shumë lart mbi traversë.

36’ Jorgji ndëshkon Sidibe pas një faulli ndaj Hotit, në një aksion ku fillimisht la lojën në vijim.

34’ Dy mundësi radhazi të Tiranës, që po mundohet të gjejë shpejt barazinë ne shifra.

31’ Gabon Rexhinaldo! Sulmuesi nga Mozambiku sheh Likën të neutralizojë goditjen e tij nga pika e bardhë e më pas Demiri trondit traversën.

30’ Penallti për Dinamon. Pas një aksioni të gjatë të bluve, Ibraimi hyn në zonë dhe ndalet nga Limaj në mënyrë të parregullt. Jorgji nuk ka dyshime dhe bën shenjë nga pika e bardhë.

27’ Pas një goditje nga këndi, sfera përfundon te Najcovski i cili vetëm pak hapa larg portës, fluturon sferën mbi traversë.

22’ Ilion Lika eviton golin e dytë në portën bardheblu, ai pret brenda pak çastesh një gjuajtje nga jashtë zonës të Ibraimit e më pas një tjetër të Haxhiur, duke devijuar sferën jashtë.

17’ Seferi shfaqet në të majtën e sulmit dhe lëshon një gjuajtje e cila krijon iluzionin e golit, por në fakt topi prek vetëm rrjetën e jashtme të katërkëndorit të Harizajt.

12’ Mbrojtja bardheblu largon një harkim në zonën e saj por sfera përfundon te Sidibe i cili gjuan fluturimthi, me sferën që përfundon jashtë, jo shumë larg shtyllës në të djathtë të Likës.

9’ GOOOL DINAMO! Shënon Haxhiu me një harkim kryevepër pas një inkursioni nga e majta.

5’ Hoti provon me një gjuajtje të fortë nga distanca, fluturon sferën mbi traversë.

3’ Pas një harkimi në zonën bardheblu, Samake gjuan me kokë por sfera kalon mbi traversë.

1’ Nis ndeshja në “Selman Stërmasi”.

FORMACIONET ZYRTARE:

DINAMO: Harizaj, Siljanovski, Maliqi, Mija, Imami, Samake, Demiri, Sidibe, Haxhiu, Ibraimi, Rexhinaldo.

Trajner: Rodolfo Vanoli

TIRANA: Lika, Najdovski, Behiraçe, Përgjoni, Nuriu, Limaj, Hoti, Totre, Gjumsi, Xhixha, Seferi.

Trajner: Orges Shehi

GJYQTARË: E.Jorgji, R.Çokaj, D.Rexha
VAR: E.Rusta, AVAR: E.Hamiti

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"