VIDEO/ Dembele dhe VAR, Barça fiton në “fushë patatesh”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 26, 2018 | 9:24

VIDEO/ Dembele dhe VAR, Barça fiton në “fushë patatesh”

Duhej ndërhyrja e VAR-it në minutën e fundit shtesë për të vendosur drejtësi dhe për t’i dhënë fitoren Barcelonës. Në të kundërt do të kishte qenë e padrejtë, sepse goli i shënuar nga Vajadolidi në shtesë ishte në pozicion të parregullt.

barca2

Edhe pse ndoshta vendësit e meritonin një pikë, sepse treguan shpirtin dhe karakterin e tyre, Barcelona u largua me fitore dhe sigurisht me shumë kritika për terrenin e lojës. Dukej sikur luhej në një fushë patatesh dhe në tapetin e shkatërruar të stadiumit “Hoze Zorija” mjaftoi një gol i Dembelesë për të marrë pikët e plota.

MESI NUK DUKET- Duhet të kthehemi shumë pas në kohë për të parë një ndeshje të dobët të Leo Mesit, por sigurisht që këtë herë mund të justifikohet me terrenin e rënduar të fushës. Në pjesën e parë humbet 14 topa (i dyti pas Dembelesë) dhe në zonën kundërshtare e prek vetëm 1 herë. Mjafton kjo statistikë për të treguar pse katalanasit nuk fituan dot që në pjesën e parë. Por, edhe për meritë të portierit Masip, i cili bëri ndërhyrje spektakolare ndaj Dembelesë, Pikesë dhe Suarezit. Dembele dhe VAR- Por, Barcelona e dinte që duhet të bënte një sforco për të marrë 3 pikët dhe ia doli mes vështirësive ta dërgonte topin në rrjetë me anë të Dembelesë.

sembele

Në minutën e 57-të, Serxhi Roberto i ul bukur një top me kokë dhe francezi e godet menjëherë, duke shtangur portierin dhe mbrojtjen. Por, Vajadolidi nuk u dorëzua dhe kishte raste për të shënuar, edhe për faktin se Barcelona lëshoi terren, duke menduar të mbronte rezultatin.

fusha

Suarez shënoi në fund, por ishte në pozicion jashtë loje. Minutat finale ishte spektakolare sepse vendasit gjetën golin e barazimit me anë të Kekos, por ndërhyrja e VAR-it bëri që ai të anulohej gjithashtu për pozicion jashtë loje. Në këtë mënyrë Barcelona merr fitoren dhe bëhet skuadra e parë në Spanjë që në 7 sezonet e fundit i ka fituar të dyja ndeshjet hapëse. Tradita vazhdon në kampin katalanas, edhe atëherë kur ka shumë vështirësi.

Përgatiti: GENTJAN ALINANI 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"