Video-chat, “Playstation” dhe frika për mamanë, ja si jeton tani Romelu Lukaku

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 3, 2020 | 14:37

Video-chat, “Playstation” dhe frika për mamanë, ja si jeton tani Romelu Lukaku

Detyrat në shtëpi të vendosura nga Antonio Konte, vakte të gatuara duke ndjekur udhëzimet e përpikta të nutricionistit të Interit, takimi me video-lojën “Call of Duty” praktikisht çdo mbrëmje. E më pas “chat”-et dhe intervistet në rrjetet sociale, në gjuhën angleze dhe franceze, bisedat në liri me futbollistë të tjerë të famshëm si ai, nga ish-sulmuesi Tierri Henri e deri te shokët e kombëtares De Brujne dhe Vitsel.

LUKAKU

Romelu Lukaku është një futbollist global dhe izolimin e tij personal po e përjeton kështu, duke u lidhur me Anglinë, Amerikën, pa harruar betejën me virusin. Edhe pse mamaja ka diabet dhe belgu ka një frikë më shumë. Ditët e para të karantinës në Milano kanë qenë shumë të rëndë nga pikëpamja psikologjike. Larg nga familja dhe me shifrat e sëmundjes në Lombardi gjithmonë e më dramatike, ishte shfryrë në një moment të parë:

“Është si të jetosh në një flluskë, përpiqesh të kuptosh atë që po ndodh dhe njëkohësisht di të jesh në vendin më të goditur të Europës. Nga apartamenti i tij u lidh me botën edhe për të komunikuar dhurimin e 100 mijë eurove për spitalin “San Raffaele” të Milanos në favor të kërkimeve.

DITA TIPIKE – Biçikletë menjëherë pas ziles, ushtrime me shiritin elastik, e në fund mes një dhe dy orëve qëndrim në “Tecar” dhe dhomën hiperbarike për t’i rikthyer oksigjen muskujve: ja dita e tij tipike. Më pas, për të ulur tensionin, pak Nba në televizion ose “Playstation”, apo serinë “Power” e prodhuar nga “50 Cent”.

FLUTURIMI NË BELGJIKË – Pas izolimit të detyrueshëm për pozitivitetin e Daniele Ruganit, Romelu mori një aeroplan për t’u rikthyer në shtëpi, në Bruksel. Nuk ishte një arrati, apo shëtitje. Ndodhej atje për të parë mamanë Adolfin dhe djalin Romeo: shqetësimi i Lukakut për virusin është i madh edhe pse e ëma është e sëmura me diabet: është subjekt në rrezik, kontakti fizik me Romelun është minimal.

Në Belgjikë, ku urdhëri për të mbyllur gjithçka u dekretua më 17 mars, interisti gjen një situatë më të mirë krahasuar me Italinë. U desh të rikthehej në Milano pas kërkesës së klubit zikaltër dhe menjëherë nuk ka munguar edhe një shpërthim: “U desh të shpallej pozitiv një juventin (Rugani) që të ndalej kampionati…”. Tani qëndron në pritje, mes stërvitjes dhe “Playstation”-it, edhe ai në pritje të zhvillimeve.

Përgatiti: LEDIO NASE – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"