Video/ Bufon: E kam studiuar historinë tuaj, më bën përshtypje “Feja e shqiptarit është shqiptaria”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 9, 2017 | 14:04

Video/ Bufon: E kam studiuar historinë tuaj, më bën përshtypje “Feja e shqiptarit është shqiptaria”

Kapiteni i Italisë, Xhanluixhi Bufon, e njeh mirë historinë e shqiptarëve. Në një intervistë të dhënë për “Supersport”, ai tregoi se gjëja që i ka bërë më shumë përshtypje në librat që ka lexuar për shqiptarët ishte shprehja “Feja e shqiptarit është shqiptaria”.

bufon

Hera e dytë në Shqipëri

“Kam qenë në Shqipëri thuajse 23 vjet më parë, pasi kam luajtur me Parmën ndaj Teutës. Kjo është hera e dytë që vij në vendin tuaj. Kanë kaluar shumë vjet, por më duket sikur Shqipëria po evoluon, është bërë një vend i bukur dhe me njerëz optimistë. Kjo më lumturon, sepse në fund fatet e Shqipërisë dhe Italisë janë ndërthurur gjatë historisë.”

“Feja e shqiptarit është shqiptaria”

“E njoh paksa historinë shqiptare, e kam studiuar dhe është shumë e bukur. Bëhet fjalë për një popull që ka identitet dhe krenari. Mbi të gjitha më bënte përshtypje kur lexoja në libra se: ‘Feja e shqiptarit është shqiptaria’. Kjo të bën të kuptosh bashkimin e madh që ekziston, përtej diferencave, mes të cilave edhe fetare. Gjëja më e rëndësishme është që të gjithë ndihen shqiptarë dhe kjo është një vlerë e jashtëzakonshme.”

Lidhja e Shqipërisë dhe Italisë me anë të futbollit

“Shumë lojtarë luajnë aktualisht në kampionatin tonë, të tjerë kanë luajtur ose janë rritur aty. Më vjen mirë që në këto vitet e fundit Shqipëria ka arritur rezultate të mëdha me këta futbollistë dhe me trajnerët italianë. Në këtë këndvështrim besoj se ju kemi ndihmuar për t’u rritur në futboll. Panuçi është ish-shoku im i skuadrës, besoj se do të vazhdoni të përmirësoheni, pasi ai ka aftësinë dhe eksperiencën për të punuar mirë drejt kësaj rruge të re me Shqipërinë.”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"