VIDEO / Barazim dramatik në Durrës, Teuta ndal Vllazninë me gol në minutën e 99

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 17, 2022 | 18:43

VIDEO / Barazim dramatik në Durrës, Teuta ndal Vllazninë me gol në minutën e 99

Teuta dhe Vllaznia kanë ndarë pikët sot në Durrës në një barazim dramatik që u vendos me një gol të shënuar në minutën e 9 shtesë të takimit.

bandicam 2022-04-17 16-40-47-646

Pritej një sfidë e luftuar por në fakt ka qenë nën nivelin që pritej, pasi në pjesën e parë dy skuadrat menduan vetëm si të gjenin ndonjë hapësire me pasime nga thellësia dhe krosime nga krahët pa krijuar shumë rreziqe.

Në pjesën e dytë, Vllaznia ia doli të fitonte penallti për një prekje topi me dorë në zonë dhe Latifi kaloi në avantazh shkodranët, të cilët më pas menduan vetëm si të mbyllnin ndeshjen duke administruar këtë avantazh. Por Teuta nuk u dorëzua deri në fund dhe pikërisht në atë që ishte minuta e fundit shtesë e takimit, gjeti barazimin me Ivanoviç, duke marrë një pikë që gjithsesi nuk e largon shumë nga zona e rrezikshme e klasifikimit.

TEUTA-VLLAZNIA 1-1
90’+9′ Ivanoviç / 60′ (p) Latifi

MINUTË PAS MINUTE

90’+11’ Mbyllet ndeshja me barazimin 1-1.

90’+9’ GOOOL Teuta. Shënon Ivanoviç pas një harkimi nga e djathta me sferën që përfundon në këmbët  embrojtësit. Zogoviç devijon gjuajtjen e mbrojtësit, por jo sa për ta mbajtur jashtë rrjetës. Barazohen shifrat në ekstremin e ndeshjes.

90’+5’ Latifi largohet nga fusha e lojës, vendin e tij e merr Paloka.

90’+2’ Teuta me shumë forca në sulm prej disa minutash me Vllazninë që vetëm mbrohet.

90’ Jepen 9 minuta shtesë.

87’ Ndëshkohet Gurishta me karton të verdhe për protesta.

87’ Gjyqtari jep një goditje dënimi në favor të Teutës por më pas ftohet për të parë pamjet me VAR nëse ndërhyrja e Krujës ndaj Jazxhi ishte brenda apo jashtë zonës. Në fund ai respekton vendimin e tij duke dhënë thjesht faull.

87’ Aleksi i lë vendin në fushë Kapllanit.

84’ Pas një goditje nga këndi, Beqja me kokë nuk gjen dot katërkëndorin.

83’ Çoba merr vendin e Gjurgjeviç në fushën e lojës për shkodranët.

82’ Zogoviç ndëshkohet me karton të verdhë për vonesë loje.

80’ Hoxhaj ndal në mënyrë të parregullt një kundërsulm të Aleksit dhe ndëshkohet me karton të verdhë.

76’ Aralica lë fushën e lojës, duke i bërë vend Heriç në radhët e shkodranëve.

73’ Teuta duket më kërkuese në këtë pjesë të ndeshjes, por pa vënë në rrezik serioz portën e Zogoviç.

71’ Zëvendësim i dyfishtë te durrsakët me Todorovskin dhe Hebajn të cilët i lënë vendin Idrizajt dhe Dacit.

70’ Latifi hyn në zonë nga e majta dhe tenton portën, Qirko largon topin me vështirësi.

62’ Aleksi provon të gjejë barazimin me një gjuajtje nga jashtë zonës, por sfera kalon pasqyrën e portës dhe përfundon jashtë, në të djathtë të Zogoviç.

60’ GOOOL Vllaznia, shënon Latifi me penallti.

58’ Pas 4 minutash pritje dhe me gjyqtarin që shkoi vetë të shihte pamjet, akordohet penallti për shkodranët.

54’ Vllaznia kërkon penallti për një prekje topi me dorë pas harkimit të Latifit. Ndërkohë gjyqtari Bastari jep pozicion jashtë loje për shkodranët e më pas pret një konfirmim nga VAR.

49’ Aksion i shpejtë i Vllaznisë me Latifin i cili futet në zonë nga e majta, por sfera përfundon jashtë pas një përplasje me Ivanoviç, i cili shmang edhe këndoren.

46’ Pjesa e dytë nis me Peposhin në vend të L. Vilës në radhët e Teutës.

45’+1’ Mbyllet pjesa e parë me barazimin pa gola.

45’+1’ Aleksi jep një pasim perfekt nga e djathta në shtyllën e dytë për L. Vilën i cili kontrollon me gjoks dhe gjuan menjëherë por pa gjetur portën.

45’ Jepet 1 minutë shtesë.

43’ Ivanoviç ndëshkohet me karton të verdhë pas një faulli ndaj Aralica.

42’ Jazxhi ndëshkohet me karton të verdhë pas një faulli ndaj Hoxhajt.

34’ Mbyllet para kohe ndeshja për Jahmir Hykën. Futbollisti kërkon zëvendësim për shkak dëmtimi dhe vendin e tij në fushë e merr Akuah.

31’ Latifi nis topin për Gjurgjeviç në krahun e majtë, por ky i fundit ndalohet nga  Qirko. Aksioni vazhdon dhe është Kruja nga a e djathta që nis një sugjerim interesant në zonë, pa gjetur asnjë shok skuadre që të devijojë topin.

29’ Jonuzi ndëshkohet me karton të verdhë për një faull ndaj Hebajt.

25’ Vertikalizim interesant për L. Vilën i cili del para Zogoviç por ndalet në momentin e gjuajtjes nga Gurishta e më pas është portieri i shkodranëve që kontrollon topin. Por më pas gjyqtari sinjalizon për ndalimin e lojës dhe pozicionin jashtë loje të sulmuesit të Teutës.

18’ Skuadrat janë të përqendruara më shumë me pasimet e gjata nga krahët drejt sulmit në minutat e deritanishme, por duke mos krijuar shumë rrezikshmëri para katërkëndorit.

13’ Top nga e majta në zonë për Hebajn, sulmuesi nuk koordinohet për të çuar sferën në katërkëndor.

7’ Kruja harkon nga e djathta në zonë për Aralica i cili me kokë kalon Qirkon, por nuk gjen katërkëndorin e portës së durrsakëve.

2’ Top nga thellësia i Hakajt për Gjurgjeviç në qendër ku sulmuesi nuk ia del që të kontrollojë si duhet dhe gjuajë menjëherë në kuadratin e portës.

1’ Nis dueli në “Niko Dovana”.

FORMACIONET ZYRTARE:

TEUTA: Qirko, Jazxhi, Aleksi, Ivanoviç, Kotobelli, Todorovski, Beqja, Hyka, E. Vila, Hebaj, L. Vila
Trajner: Renato Arapi

VLLAZNIA: Zogoviç, Gurishta, Adili, Hakaj,, Kruja, Krymi, Jonuzi, Hoxhaj, Gjurgjeviç, Latifi, Aralica.
Trajner: Elvis Plori

WhatsApp Image 2022-04-17 at 4.09.49 PM

PANORAMAPPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"