VIDEO/ Arjol Zeneli mahnit sërish, shkon në finalen e Europianit të Boksit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 20, 2022 | 20:15

VIDEO/ Arjol Zeneli mahnit sërish, shkon në finalen e Europianit të Boksit

Shqipëria po nxjerr një talent të madh në boks. Ai quhet Arjol Zeneli, është vetëm 17-vjeç dhe vjen nga një familje kampionësh. Zeneli së fundmi ka bërë historinë, teksa është kualifikuar për në finalen e Kampionatit Europian për të rinj që po mbahet në Sofje të Bullgarisë.

arjol zeneli

Në ndeshjen e sotme gjysmëfinale, boksieri kuqezi bëri një paraqitje fantastike, duke mposhtur me rezultatin 5-0 moldavin Ilic Ilie Argatu. Tashmë Zeneli ka të sigurt medaljen e argjendit, por ashtu sikurse deklaroi për “Panorama Sport”, do të kërkojë të artën.

Kujtojmë që në ndeshjet e mëparshme, në duelin e parë fitoi 5-0 kundër kampionit në fuqi të Europës, spanjollit Rafael Lozano Serrano. Ndërsa në çerekfinale triumfoi me të njëjtin rezultat ndaj sllovakut Lukas Vymyslicky. Kjo nuk është medalja e parë Europiane për Arjol Zenelin, pasi një vit më parë talenti vlonjat fitoi bronz.

Kështu, pas Alban Beqirit, i treti në Botë, boksi shqiptar po nxjerr një tjetër kampion të vërtetë, aty ku nuk zgjidhen kundërshtarët dhe nuk bëhet shou, por ku duhet të përballesh me më të mirët me short.

ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"