VIDEO/ -5 gradë celsius, stërvitje dhe vuajtje te Pogradeci

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 25, 2022 | 12:44


VIDEO/ -5 gradë celsius, stërvitje dhe vuajtje te Pogradeci

Pogradeci vazhdon të sakrifikojë mes të ftohtit dhe dëborës. Edhe pse temperaturat shënonin -5 gradë dje, skuadra dje është stërvitur në një stadium mes dëborës dhe terrenit të rënduar.

pogradeci

Ardjan Abazaj nuk do që lojtarët të humbin formën, por të jenë gati për të luajtur. Rreth një orë ka zgjatur seanca, e cila u përqendrua te vrapi rreth fushës dhe loja me një prekje të topit.

Frymëmarrja e rëndë dhe lodhja dukeshin qartë në fytyrat e futbollistëve, por nga ana tjetër dëgjohej zëri motivues i trajnerit që herë pas here thoshte: “Hajde dhe pak çuna, edhe pak…”.

Ndryshe nga humori i thellë i së shtunës ku nuk mungonin as gjuajtjet me topa bore, e hëna ofroi tjetër pamje. Shkak ishte lodhja dhe i ftohi i acartë.

Pas përfundimit të lojës, tekniku i dha fund procesit stërvitor dhe iu drejtua të tijve: “Boll për sot, ikni shpejt…!” Liqenorët kanë marrë lajme të mira nga merkatoja.

Ka ardhur më në fund dokumentacioni nga Çekia (ku ka luajtur rishtas) i sulmuesit Vieira Kosta. Braziliani është federuar dje dhe kjo i jep të drejtë që të zbresë në fushë në çdo moment. I vetmi që ka mbetur “peng” i letrave është mbrojtësi Alsejni Dervishaj.

Nëse keni vështirësi për të parë videot duke u futur nga Facebook, ju lutem lexoni lajmet duke u futur nga faqja e web KËTU ose aplikacioni i Panorama Sport.

 

REDI DANDALLAKU-PANORAMASPORT.AL