Vëzhgues talentesh në NBA, Kuqo: Nuk u bëra trajner sepse jam paksa “diktator”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 27, 2017 | 15:24

Vëzhgues talentesh në NBA, Kuqo: Nuk u bëra trajner sepse jam paksa “diktator”

Pas trofeve dhe një kar riere elitare në Turqi, por edhe aventurave spanjolle e kroate, Ermal Kuqo tani po realizon “gjysmën” e ëndrrës së tij. Nëse nuk arriti dot që të luante si sportist në NBA, elitën ai e ka arritur tani duke qenë pjesë e Los Anxheles Klipërs, klubit të madh të basketbollit amerikan, fillimisht si këshilltar dhe tashmë si vëzhgues ndërkombëtar talentesh, një shkallë e rëndë- sishme, të cilën e ngiti shumë shpejt.

Kuqo

Ish-basketbollisti i Kombëtares së Turqisë, por edhe i përfaqësueses shqiptare, në një intervistë për “Top-Channel”, ka folur për aventurën e tij të re, por ka shpjeguar edhe arsyet e zgjedhjes së këtij profesioni dhe jo atij të trajnerit, por jo vetëm… “Për një kohë shumë të shkurtër arrita të jem drejtor i Departamentit të ‘Scout Pro’, jo vetëm për Europën, por në rang ndërkombëtar”.

Ai ka dalë nga një familje basketbollistësh, ndaj Ermali dukej thuajse i “dënuar” që të merrej me këtë sport, një karrierë fantastike e zgjatur 23 vite mbi parket duke nisur nga Tirana e për të vazhduar tashmë në Los Anxheles, te Klipërsat. “Tirana ka qenë ekipi im i parë, aty ku jam rritur si basketbollist, por unë jam partizans (qesh)”. Karriera e tij përfundoi në gusht 2016, por ai nuk ka kërkuar që të largohet nga koshi, ndonëse trajner nuk ka dashur kurrë të bëhet.

“Trajner nuk doja të bëhesha, – vazhdon Kuqo për ‘Top-Channel’. – Është një fushë shumë ndryshe dhe unë jam pak si diktator. Kam luajtur me shumë lojtarë që kanë qenë të padisiplinuar dhe kur mendoja sikur të isha trajneri i tyre… Nuk do të përfundonte shumë mirë dhe besoj se nuk do të kisha karrierë të gjatë si trajner”. Kur pyetet për basketbollin shqiptar, Ermali mbetet konstant në qëndrimet e tij kundër mënyrës se si drejtohet ky sport në vendin tonë:

“Për të zbritur te lojtarët duhet të shohim kokën, pasi peshku qelbet nga koka. Këtu, çdo njeri që përfundon Institutin Sportiv e ndien veten trajner basketbolli, merr disa topa dhe ia jep fëmijëve vetëm për të fituar parà. E shohin këtë sport thjesht për parà, jo për të rritur breza sportistësh”. Edhe në grumbullimet e fundit të kombëtares së basketbollit, sytë e trajnerëve dhe drejtuesve të Federatës Shqiptare të Basketbollit mbeten tek elementët që vijnë nga jashtë.

“Arsyeja kryesore përse kërkojnë shpëtim nga jashtë është sepse mendojnë që ata janë përgatitur andej dhe këtu do të na sjellin ndonjë gjë tjetër. Unë kam qenë pjesë e ekipit kombëtar kur u mblodh kombëtarja e parë dhe na futën në motel. I binte derës recepsionisti dhe na nxirrte jashtë sepse vinte klienti i rregullt”.

E ardhmja e tij tashmë është basketbolli më i bukur në botë, NBA, dhe të gjitha këto kritika të ashpra lidhen vetëm me dashurinë e tij për këtë sport dhe që në këtë vend në një të ardhme të dalin sërish emra si Ermal Kuqo. “Unë nuk kam asnjë lloj interesi. Unë nuk dua të bëhem as sekretar federate, as president federate. Unë nuk kam ndërmend të kthehem më në Shqipëri”, deklaroi Ermal Kuqo.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"