Vëzhgimi i dekadës/ Kukësi shumëkombësh, por me “dashuri” braziliane! Lojtarë nga 20 shtete te verilindorët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 11, 2022 | 22:27


Vëzhgimi i dekadës/ Kukësi shumëkombësh, por me “dashuri” braziliane! Lojtarë nga 20 shtete te verilindorët

Pas viteve 2000, në vendin tonë nisi një modë e re, ajo e afrimit të shumë lojtarëve të huaj në skuadrat e Superiores. Edhe tani, gjithnjë e më tepër klubet shqiptare po shohin nga tregu ndërkombëtar për të bërë përforcime, duke snobuar alternativat vendëse. Përjashtim nga ky trend nuk bën as Kukësi.

KUKESI

Edhe pse një ekip i ri në moshë, gjithnjë sa i përket futbollit elitar, në vetëm një dekadë pjesëmarrje ka afruar në skuadër lojtarë nga katër kontinente, me shpresën se do të arrijë te trofetë. Për hir të së vërtetës, investimet në klub nuk kanë munguar. Edhe këtë sezon, fokusi kryesor i merkatos ka qenë përtej kufijve të Shqipërisë, teksa për herë të parë në histori, verilindorët do të kenë në skuadër edhe një portugez.

“Panorama Sport”, duke iu referuar të dhënave zyrtare të lojtarëve që kanë zhvilluar të paktën disa minuta me klubin në këto 10 vite, ka bërë një vëzhgim të të huajve që kanë veshur fanellën blu të Kukësit. Bie në sy se kampionët janë brazilianët, të ndjekur nga kroatët dhe nigerianët.

TË HUAJT – Në hulumtimin e bërë nga gazeta për këtë rast, nuk janë referuar lojtarët nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, pasi në të kundërt lista do të ishte akoma edhe më e gjatë. Në total, duke përfshirë edhe të afruarit në merkaton e kësaj vere, por që ende nuk kanë bërë debutimin me ekipin, janë 69 të huaj nga 20 shtete të ndryshme të botës. Brazili mban rekordin me plot 20 lojtarë, i ndjekur nga Kroacia me 9, si edhe Nigeria me 7.

Më pas vijnë me radhë të gjitha shtetet e tjera, për ta mbyllur me Argjentinën dhe Japoninë e largët që përfaqësohen gjithashtu me nga një lojtar. Të dhënat tregojnë se verilindorët kanë afruar në skuadër lojtarë nga katër kontinente: Europë, Afrikë, Azi dhe Amerika e Jugut. Vetëm këtë sezon, ende pa u mbyllur merkatoja, në klubin e Kukësit kanë zyrtarizuar dy brazilianë, një kroat dhe një boshnjak, me listën që mund të shtohet.

MË TË AKTIVIZUARIT – Sa u përket të huajve që kanë pasur më shumë minuta dhe ndeshje me Kukësin, listës i prin padyshim zv.trajneri aktual, Pero Pejiç, i cili ka mbajtur veshur fanellën e Kukësit në 84 ndeshje, duke shënuar edhe 68 gola.

I dyti është braziliani Zhan Karioka me po kaq ndeshje dhe 6 gola, ndërsa i treti është gjeorgjiani Iraklis Dzaria me 60 ndeshje dhe 7 gola të shënuar. Bie në sy se asnjë i huaj nuk shkon mbi kufirin e 100 ndeshjeve, çka nënkupton se në Kukës e kanë të vështirë të qëndrojnë gjatë. Aktualisht lojtari i huaj me më shumë prezenca në ekipin e Kukësit është kroati Edi Basha.

KONTINENTET – Sa i përket shpërndarjes gjeografike, rekordin e mban sigurisht Europa, e cila përfaqësohet me 31 lojtarë nga 12 shtete. Vendi i dytë i takon Amerikës së Jugut me 21 lojtarë nga Brazili dhe Argjentina. Më pas vjen Afrika me 16 futbollistë nga pesë vende të ndryshme. Ndërkohë, Azia përfaqësohet vetëm me japonezin Masato Fukui, i cili zhvilloi vetëm dy ndeshje me verilindorët në Kupat e Europës.

TE HUAJT E KUKËSIT

SHTETI LOJTARË

BRAZIL 20

KROACI 9

NIGERI 7

SERBI 5

GUINEA 5

BOSNJE 4

RUMANI 3

SPANJË 2

GJEORGJI 2

GANË 2

MOZAMBIK 1

ARGJENTINË 1

LITUANI 1

AZERBAJXHAN 1

KAMERUN 1

FRANCË 1

JAPONI 1

IZRAEL 1

ITALI 1

PORTUGALI 1

TOTALI 69

PANORAMASPORT.AL