VËZHGIMI/ Futbolli në arrati, ja kaosi me stadiumet në Shqipëri. Klube pa fusha e ekipe që dëbohen…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 27, 2018 | 21:57

VËZHGIMI/ Futbolli në arrati, ja kaosi me stadiumet në Shqipëri. Klube pa fusha e ekipe që dëbohen…

Stadiumet vazhdojnë të mbeten një prej çështjeve më problematike në futbollin shqiptar. Nga Superiorja në Kategorinë e Parë për të mos folur për ligat e tjera më poshtë, situata është dramatike dhe shumë shqetësuese. Një pjesë e klubeve nuk kanë stadiume ku të luajnë, ndërsa situata është për të ardhur keq me Elbasanin që degdiset në çdo stadium, por vetëm në “Elbasan Arena” në qytetin e vet nuk luan.

Kur është luajtur vetëm faza e parë në Kategorinë Superiore dhe gjashtë ndeshje në Kategorinë e Parë, gazeta sjell një panoramë të kaosit që është aktualisht në Shqipëri në lidhje me stadiumet.

elbasan-arena-1

NË SUPERIORE

Kukësi është një prej ekipeve pretendente për titull, por nuk ka një stadium ku të luajë ndeshjet. Skuadra është çdo javë “refugjate” nga Shkodra në Elbasan, ndërsa ekipi nuk dihet sa kohë ka që nuk shihet në qytetin që përfaqëson, në Kukës. Skuadra ka vetëm emrin të tillë, ndërsa tifozët nuk e ndiejnë më si ekipin që i përfaqëson, pasi nuk stërvitet aty dhe nuk i luan ndeshjet në Kukës. Vazhdon historia e klubeve që ngjiten nga Kategoria e Parë, por ndërkohë nuk mendojnë se ku do të luajnë.

Kastrioti nuk e ka të licencuar stadiumin e vet dhe luan në Fushë-Krujë. Partizani prej vitesh nuk ka një stadium të vetin, ndërsa i zhvillon ndeshjet në impiantin e Tiranës. Edhe pse është folur shumë herë për projektin e një kompleksi shumë modern me një stadium brenda, duket se gjithçka është harruar. Laçi ka probleme gjatë javëve të fundit, pasi po merret me rregullimin e fushës, por edhe kjo ka krijuar jo pak shqetësim. Gjithashtu, edhe stadiumi i Durrësit u është nënshtruar punimeve në fushë dhe në këtë mënyrë Teuta do të luajë jashtë për disa takime.

Capture

KATEGORIA E PARË

Elbasani mund të konsiderohet një prej paradokseve të shumta që gjen në Shqipëri dhe sigurisht në futbollin tonë që nuk bën përjashtim. Me një prej stadiumeve më modern në Shqipëri, skuadra dëbohet nga stadiumi i qytetit në mënyrën më të turpshme. Verdheblutë degdisen në Cërrik dhe sfidën ndaj Lushnjës do ta luajnë të hënën, ndërsa në fund të kampionatit kur skuadra të ketë rënë në Kategorinë e Dytë, një pjesë të mirë të fajit do ta ketë edhe FSHF.

Nuk pyetet më për traditë dhe as për një komunitet të konsiderueshëm që dëshiron të ndjekë ekipin e zemrës, por e ka të pamundur. Vllaznia gjithashtu luan në “Reshit Rusi” që fusha të jetë në gjendje perfekte për ndeshjen e Kombëtares. Ndërsa, Veleçiku nuk ka një fushë dhe i zhvillon ndeshjet në Shkodër. Dinamo luan prej vitesh në Pezë, pasi nuk ka një fushë ku të stërvitet dhe luajë. Futbolli në arrati…

Besar Bozgo

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"