Vëzhgim/ Përralla mbi 10-vjeçare e stadiumit të ri në Fier, me 4 “narratorë” premtues..

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 8, 2021 | 14:02

Vëzhgim/ Përralla mbi 10-vjeçare e stadiumit të ri në Fier, me 4 “narratorë” premtues..

Nga BUJAR RAMA

Një stadium i ri për Fierin, një stadium me parametra bashkëkohorë për Apoloninë, pavarësisht kapacitetit! Kaq e aq herë i premtuar, por gjer tani kurrë i filluar.

loni papuciu apolonia

Zanafilla nis më 25 nëntor 2010, përmes premtimit të parë të kreut të FSHF-së, Armand Duka, për ndërtimin e një stadiumi të përbashkët për Vlorën dhe Fierin; ka vijuar në mars 2019, me premtimin e kryeministrit Edi Rama në një takim dhe e fundit, në maj po të 2019-ës, sërish nga presidenti i FSHF-së, A. Duka, po në Fier, teksa në të tria rastet, premtimi indirekt dhe direkt ka ardhur edhe nga kompania “2K Group” e presidentit Koço Kokëdhima, që zotëron 62.8% të aksioneve të FK Apolonia.

Për interes të lexuesit të “Panorama Sport”, po risjellim “flash back” tri monumentet e sipërcituara, bashkë me premtimet përkatëse.

25 NËNTOR 2010 – Një marrëveshje në tentativë mes qeverisë, FSHF-së, bashkive Vlorë e Fier dhe “2K Group”. Kreu i FSHF-së, Duka, gjatë një vizite në akademinë e futbollit në Fier, i shoqëruar nga kryetari i Bashkisë Fier asokohe, Baftjar Zeqaj (tashmë deputet i legjislaturës së re), pati thënë dhe premtuar: “…Apolonia është një klub i organizuar mirë dhe i krahasuar me nivelet europiane…

Sot jemi këtu në këtë akademi me një ide të Bashkisë Fier dhe asaj të Vlorës, për një stadium të përbashkët, i cili do t’u shërbejë të dyja qyteteve, në mes të rrugës Vlorë-Fier, për të cilin kërkohet dhe mbështetja e FSHF-së, e cila ka vullnet të plotë dhe së bashku do ta realizojmë këtë projekt në një afat maksimumi 3-4 vjet”.

Fakti: Ai stadium qe premtuar për t’u ndërtuar në Novoselë, si zonë “neutrale”, ndarëse dhe bashkuese mes Vlorës dhe Fierit, por gjatë mbi 1 dekade që nga ajo kohë, janë hedhur vetëm “lopata dheu” për ta varrosur këtë premtim edhe në memorien e publikut sportiv vlonjat dhe fierak, që kujtesën e kanë aq afatgjatë…

MARS 2019 – Kryeministri Rama viziton Fierin dhe premton për një projekt ndryshe nga ai i Dukës dhe Zeqajt 9 vjet të shkuara. Këtë herë, Rama premton një stadium për Fierin, i menduar në drejtimin e kundërt gjeografik me stadiumin e përbashkët Fier-Vlorë, i harruar tërësisht. “…Ndërkohë, kemi folur me kryetarin e bashkisë (A. Subashi) edhe për stadiumin e ri, jo aty ku është i vjetri. Do të jetë diku, ku do e vendosim me bashkinë”, pati thënë në mars 2019 kreu i qeverisë.

REZULTATI: Si premtimi paraardhës i Dukës më 2010…

24 MAJ 2019 – Ripremtohet stadiumi i ri për Fierin. Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, zhvillon një takim gati diskret me kryetarin e Bashkisë Fier, Armando Subashi, dhe presidentin e Apolonisë, Koço Kokëdhima. Në këtë takim është diskutuar për ndërtimin e një stadiumi të ri kontemporan, me një kapacitet 6-8 mijë vende, ku 35% të financimit e merr përsipër FSHFja, ndërsa pjesën tjetër qeveria, Bashkia Fier dhe FK Apolonia. Fakti: Njësoj si premtimet paraardhëse të Dukës 2010 dhe kryeministrit Rama në mars 2019: zero investim!

PRESIDENTI KOKËDHIMA – Në të gjitha rastet e sjella më lart, pas çdo premtimi të bërë nga Duka (2 herë) dhe Rama, përgjatë 11 vjetëve, presidenti i Apolonisë, Koço Kokëdhima, është shprehur: “Do të jetë një investim madhështor dhe modern jo vetëm për Fierin, por për të gjithë Jugun”. Por në këta 11 vjet, gjithçka ka qenë një fiasko e madhe…

EPILOG – Pse e risollëm këtë problematikë? Sepse duhej, sepse qytetarët dhe sportdashësit fierakë e më gjerë nuk harrojnë kollaj, madje mbajnë mend shumë gjatë dhe nuk falin kollaj. Dhe ndjeshmëria është e madhe, kur ka lidhje me sportin, sidomos me futbollin mbi të gjitha. Një Flamurtar në Kategorinë e Dytë dhe një Apoloni në Kategorinë e Parë – ja aktualja e këtyre klubeve futbollistike. E nesërmja e afërt e stadiumeve me sportdashës nuk është larg dhe tifozëve fierakë nuk “u djersin veshi” fort për “barin” e stadiumit të ri, por për këmbët e lojtarëve të skuadrës që shkelin mbi të dhe për rezultatet e një Apolonie që e duan në Superiore, madje mes më të mirave të elitës.

Tifozët e zjarrtë fierakë kërkojnë identitetin e Apolonisë, spektaklin, rezultatet, pa nuk duan t’ia dinë asfare kur përflitet nën zë dhe mbi zë që ca duan e flasin për ndonjë “qokë” të mundshme mes FSHF-së dhe kompanive të presidentit të Apolonisë (le ta sqarojë vetë Kokëdhima gjithçka). Sa i përket stadiumit aktual “Loni Papuçiu”, mjafton të përmendim faktin që në kohë reshjesh punëtorët e fushës ngjeshin me këmbë gropat e baltës në pushim të ndeshjes, ndërsa më pikantja është regjistruar më 31 janar, gjatë ndeshjes Apolonia-Tirana.

Pas një ere “çmendurake” në pushim të ndeshjes, profilet metalike që shërbejnë si mbulesë e tribunës qendrore, gati ranë mbi shikuesit, çka solli vonesën e fillimit të pjesës së dytë me gati 15 minuta… Ama, masat e sigurisë u morën fill pas asaj ndeshjeje: u zhvendosën jashtë konstrukteve të mbulesës metalike dy kabinat e transmetimit për median audiovizive… Dhe klubi shfajësohet: “Investimet në stadium i ka bashkia”. Me mendjen te stadiumi i ri (që mbetet vetëm ëndërr dhe premtim), ka mbetur jashtë dore dhe aktuali, “Loni Papuçiu”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"