VËZHGIM/ Ku janë trofetë e fituar nga Flamurtari ndër vite?!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 29, 2020 | 21:31

VËZHGIM/ Ku janë trofetë e fituar nga Flamurtari ndër vite?!

Nga Moisi Dalipi
Jo rrallëherë në bisedat që zhvillohen në opinion sportiv vlonjat përmendet dendur fakti se Flamurtari është një klub futbolli me histori të pasur. Në fakt, kjo është e vërtetë dhe po të merret parasysh Flamurtari i viteve 1982-2014, rezulton qartë se skuadra ka bërë emër në futboll, jo vetëm me ndeshjet e zhvilluara për Kupat e Europës, por edhe për paraqitjet shumë të mira që ka bërë në futbollin shqiptar, duke fituar edhe trofe. Katër Kupa të Shqipërisë: në 1985, 1988, 2009 dhe 2014, një titull kampion më 1991 dhe dy Superkupa, 1990 dhe 1991. Këta janë trofetë e Flamurtarit në historinë e tij 97-vjeçare, duke u kthyer në një simbol me shumë vlera.

Flamurtari ngre Kupen e Shqiperise
Në kornizën e viteve 1980- 2014 skuadra ka zhvilluar katër ndeshje për Kupën Ballkanike në 1982 me bilancin dy fitore e dy humbje dhe 30 ndeshje për Kupat e Europës me bilancin 6 fitore, 4 barazime dhe 20 humbje me golaverazhin 27-55. Në këtë arkiv me kaq ndeshje spikasin përballjet e suksesshme me Velezh Mostarin, AEK Athinën, Barcelonën, Partizanin e Beogradit, Vismu Aue, Goteborgun, Buduçnost Podgoricë dhe Sioni Bolinsi.
flamurtari-barcelona

E thënë më qartë, skuadra e Flamurtarit ka një histori që duhet marrë në konsideratë dhe që duhet njohur mirë nga brezat në vite. Por e gjithë parada me trofe dhe kaq shumë ndeshje ndërkombëtare të zhvilluara më shumë ndodhet në kujtimet e atyre që e kanë luajtur futbollin në ato vite, të asaj pjese të tifozërisë vlonjate që ka shpërthyer në entuziazëm për çdo sukses të skuadrës së tyre të zemrës sesa të jetë e evidentuar diku për t’u njohur nga të gjithë. Dhe ndodh kështu sepse në ambientet e klubit të futbollit Flamurtari ndodhet vetëm një nga gjashtë trofetë e fituar, vetëm Kupa e fituar në vitin 2009, kurse të tjerat nuk dihet ku janë. Dikush pak kohë më parë ka sqaruar se trofetë i kanë në shtëpi disa nga futbollistët e atyre viteve. Të tjerë thonë se ato janë vjedhur në trazirat e vitit të mbrapshtë 1997.

Pavarësisht këtyre justifikimeve që thuhen, këto trofe e kanë vendin në një kënd të klubit për t’u njohur dhe parë nga të gjithë dhe jo në skrivaninë e dikujt që me këtë ose atë trofe kërkon të përligjë vetëm kontributin tij që ka luajtur futboll. Pak vite më parë, drejtuesit e klubit kanë bërë thirrje publike për kthimin e trofeve të munguar në klub, por askush nuk mori mundimin t’i shkonte kësaj pune deri në fund. Ndoshta ka ndodhur kështu edhe për arsyen se klubi Flamurtari nuk ka një muze të historisë të skuadrës në 97 vjet të krijimit të tij. Ato pak fotografi që disponoheshin pak vite më parë, trofeu i Kupës të Shqipërisë 2009 dhe disa flamuj të skuadrave të ndryshme në pjesëmarrjet për Europa League në këto vitet e fundit që janë sistemuar diku në një prej zyrave, nuk dihet se ku kanë përfunduar. Pak vite më parë, një grup i futbollistëve të viteve 1980-1990 zmadhoi me ngjyra një foto të ish-skuadrës të Flamurtarit të atyre viteve, duke e vendosur atë në një vend të dukshëm në hollin e ambienteve të klubit, duke kërkuar të thonë se janë vetvetja, për të kujtuar sukseset e tyre.
flamurtari barcelona
Por edhe kjo foto, në kuadër të rikonstruksioneve të ambienteve, nuk dihet se ku ka përfunduar. E njëjta pamje dhe problem edhe në klubin shumësportësh Flamurtari. Shumë pak kupa dhe trofe ndodhen diku në një vitrinë të vetmuar në ambientet e këtij klubi, kur dihet se vetëm skuadra e basketbollit të femrave të Flamurtarit në kornizën e viteve 1977-2020 ka fituar 62 trofe të titujve kampion, Kupa të Shqipërisë, Superkupa dhe Kupa të shtypit. Trofe titulli dhe kupa kanë fituar volejbolli femra në 1965 dhe 1979, ekipet e notit meshkuj dhe femra në vitet 1975-1988, gjimnastika, qitja, çiklizmi, radioamatorizmi, mundja, peshëngritja, boksi dhe deri në ditët e sotme me sportet marciale. Asnjë trofe i fituar i ekspozuar askund. Ndodh shpesh që vizitorë të ndryshëm që vizitojnë Vlorën, kërkojnë të njihen edhe me historinë e sportit vlonjat dhe veçanërisht të ekipit të futbollit Flamurtari në vitet 1985-1991. Por është fakt se të gjithë befasohen kur nuk gjendet një vitrinë me foto në vite dhe trofetë e fituar nga kjo skuadër. Më së shumti të gjithë ata që duan të njohin Flamurtarin, mjaftohen me disa pamje të fotove dhe ndonjë në video të hedhura privatisht për ndeshje të veçanta nga ndonjë futbollist për dëshirën e tij ose nga persona të ndryshëm që në rrjetet sociale shpeshherë shtrembërojnë të vërtetën rreth historisë të sportit vlonjat. Por kjo nuk është zyrtarisht historia e duhur e Flamurtarit dhe e sportit vlonjat. Dhe ndodh kështu, sepse askush nuk është interesuar nga drejtuesit në vite që klubi i futbollit dhe ai shumësportësh të ruajë të paktën në foto skuadrat e Flamurtarit, pjesëmarrëse në çdo kampionat, aspekte nga ndeshjet kombëtare dhe ndërkombëtare, sportistë, trajnerë dhe drejtues që kanë i shërbyer sportit. E thënë më qartë, sportit vlonjat i mungon memoria.

flamurtari
Dhe pas kësaj me të drejt lindin pyetjet: Cila është historia e sportit vlonjat? Cilat janë skuadrat dhe sportistët më cilësorë që kanë kontribuar suksesshëm duke përfaqësuar në vite dhe dekada denjësisht emrin e Flamurtarit? Ku janë trofetë e fituar në vite në lloje të ndryshme sporti nga skuadrat e klubeve të Flamurtarit? Ato janë pjesë e kulturës të një qyteti si Vlora që fatkeqësisht nuk janë në vendin që u takon. Brezat nuk do t’ia falin askujt këtë neglizhim për këto vlera që ka krijuar Flamurtari gjatë këtyre 97 viteve të historisë së tij.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"