Vëzhgim i “Panorama Sport”/ Ofertë pa sens dhe ultimatum rebelëve, pro & kundër Rejës. Ja 2 anët e medaljes

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 21, 2019 | 17:03

Vëzhgim i “Panorama Sport”/ Ofertë pa sens dhe ultimatum rebelëve, pro & kundër Rejës. Ja 2 anët e medaljes

Teorikisht, Shqipëria është me Edi Rejën në krye të Kombëtares edhe për katër vite. Firma në kontratë është ajo që i lidh palët zyrtarisht, ama siç edhe kemi bërë me dije në numrin e djeshëm të gazetës “Panorama Sport”, italiani dhe Armand Duka kanë rënë dakord në masën më të madhe për të vazhduar bashkëpunimin për dy edicionet e ardhshme, Botëror dhe Europian si dhe për Ligën e Kombeve. 

edi reja

Një pagesë mujore prej 25 mijë eurosh dhe një paketë bazë që shkon në kuotën e rreth 1.2 milionë eurove, e cila duke shtuar më tej edhe bonuset e vazhdueshme e tejkalon këtë kuotë. Në rrethanat kur gjasat janë që vazhdimësia të konkretizohet me firmën në kontratë, krijon diskutime.

PRO DHE KUNDËR 

Është shumë e diskutueshme dhe në secilin aspekt që mund ta trajtosh çështjen, ka vend për të gjetur argumente se ka plot të mira kjo lloj kontrate, por nga ana tjetër gjenden gjithashtu edhe shumë të tjera se ka vështirësi dhe aspekte jo aq të pëlqyeshme. “Panorama Sport” sjell të dyja anët e medaljes rreth kësaj çështjeje, për të treguar të gjithë pasqyrën e asaj që po ndodh me vazhdimësinë e trajnerit Edi Reja në krye të Kombëtares deri në vitin 2024.

edi reja

ASPEKTET POZITIVE

Së pari, të vazhdosh me një projekt afatgjatë, duke pranuar me sinqeritet shanset e Shqipërisë për kualifikueset e Botërorit, nënkupton se Kombëtarja po përgatitet denjësisht për edicionin e radhës kualifikues të Europianit, duke përfshirë edhe Ligën e Kombeve.

Së dyti, është pozitive për faktin se hiqet dorë nga një tjetër eksperiment. Pra në momentin e largimit të De Biazit, u eksperimentua me Panuçin. Në rast largimi të Rejës, do të shkonte dëm i gjithë eksperimentimi i këtij të fundit, Në vazhdim, edhe edicioni i Botërorit me një trajner të ri do të shërbente vetëm për eksperiment.

Së treti, vazhdimësia me trajnerin tregon qartë se ka mirëkuptim në aspektin njerëzor. Është i gjithëpranuar edhe nga lojtarët, pra nënkupton edhe një vazhdimësi të një ambienti pozitiv në Kombëtare.

Së katërti, puna e bërë deri më tani, në rast se vazhdohet me hapa edhe më pozitivë, atëherë nënkupton që ekipi kombëtar po ndërton një bazë të fortë dhe solide edhe për të ardhmen.

Së fundmi, është një mesazh për të gjithë lojtarët, qoftë edhe ato më rebelët apo gjaknxehtët, se ky është trajneri; Binduni! Në të njëjtën kohë, i “lidh duart” edhe trajnerit, se për 4 vite këto janë lojtarët. Sjellja duhet korrekte me të gjithë, pasi ne kaq elementë kemi…

 ASPEKTET NEGATIVE

Ashtu siç mund të gjenden pa fund të tjera aspekte pozitive, ekzistojnë edhe anët jo të pëlqyeshme dhe të diskutueshme në rastin e nënshkrimit të një kontrate të tillë…

Edi Reja

Që në krye të herës, Edi Reja ka përmendur në vendin tonë se gjatë karrierës nuk ka nënshkruar asnjëherë kontrata të gjata, por vetëm sezonale. E kur i ofron njeriut që nuk e do një mënyrë të tillë të rrijë kaq gjatë, ka diçka që nuk shkon…

Së dyti, përtej të gjithave, duhet pranuar qartazi se mosha e trajnerit nuk është një avantazh.

Së treti, duhet pranuar se tanimë, edicioni në vijim e vendos trajnerin në pozita komode për kualifikueset e Botërorit dhe jo në pozita konkurruese. Aspak të tilla.

Së katërti, duket qartë se ky është një bast më vete, pse jo edhe i ekzagjeruar që të nënshkruash për katër vite me një trajner që rrezikon të dështojë në edicionin e radhës. Vetëm nëse do të ketë klauzola speciale për zgjidhjen e kontratës në raste specifike.

Reja

Së pesti, me vazhdimin e kontratës me Rejën, Shqipëria heq mundësinë për të kërkuar një trajner edhe më të mirë. Pra, mundësinë e një lloj ankandi për të tentuar që ekipit t’i jepet një impuls edhe më pozitiv.

Së fundmi, teksa Kombëtarja e mbylli edicionin me dy ndeshje jopozitive dhe Duka deklaroi publikisht që e kishin lëkundur, të dëgjosh dy ditë më vonë që vetë ky i fundit ka ofruar projekt katërvjeçar për po të njëjtin trajner, atëherë ka vërtet diçka që nuk bën sens.

OLSI TUJANI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"