VËZHGIM/ Futbolli në 12 qarqe, ja kush u “fshi” nga harta

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 9, 2020 | 22:18

VËZHGIM/ Futbolli në 12 qarqe, ja kush u “fshi” nga harta

Futbolli luhet në çdo skaj të 28 mijë kilometrave katrorë të vendit tonë. Nga Jugu në Veri, duket se kanë një lidhje të veçantë me këtë sport, i cili natyrisht në Shqipëri është më popullori dhe më i ndjekuri. Pjesa më e madhe e qyteteve kanë nga një skuadër që militon në futbollin shqiptar, të paktën në një nga tri nivelet: Kategoria Superiore, Kategoria e Parë dhe Kategoria e Dytë. Gazeta “Panorama Sport” u bën një skaner të plotë skuadrave që përfaqësojnë 12 Qarqe, duke nxjerrë në pah edhe problemet. Ajo që bie në sy ka të bëjë edhe me disa skuadra tradite, që prej kohësh kanë humbur identitetin. Numri total i ekipeve që militojnë në këto tri kategori është plot 56: 10 në Superiore, 20 në Kategorinë e Parë dhe 26 në Kategorinë e Dytë. Në rang qarku, “kampionia” për numër skuadrash është pa dyshim kryeqyteti, Tirana, me 12 ekipe në total, kundrejt skajit tjetër, Kukësit, me vetëm një skuadër përfaqësuese. Qarqet që “lëngojnë” më shumë dhe që janë të traditës në futboll, janë ato të Elbasanit dhe Beratit, me këta të fundit që janë në nivelet më të ulëta historike në përfaqësim.

tirana-v-partizani
TIRANA
Kryeqyteti ka përfaqësues në të tria nivelet të futbollit shqiptar, teksa në Superiore marrin pjesë Tirana dhe Partizani. Dy skuadra legjendare dhe me mjaft traditë, të njohura jo vetëm për rivalitetin midis tyre dhe trofetë e shumtë, por edhe për tifozët në mbarë vendin.
dinamoo-770x355
Në Kategorinë e Parë militon një tjetër klub legjendë si Dinamo, e cila prej shumë vitesh është larg elitës, madje duke rrezikuar këtë sezon edhe rënien në të Dytën. Në këtë kategori marrin pjesë edhe dy ekipe të tjera që ndoshta nuk kanë shumë lidhje me kryeqytetin, por përfshihen me ndarjen e re territorial. Bëhet fjalë për Besën e Kavajës dhe Egnatian e Rrogozhinës. Në Kategorinë e Dytë janë plot shtatë skuadra, kryesisht pa traditë dhe klube të reja, si Vora, Luzi 2008, Spartaku, Internacional, Partizani B dhe Tirana B.
Kamza-Stervitje
Këtu përfshihet edhe Kamza, ndonëse duket se nga sezoni i ardhshëm nuk do të ketë më një skuadër, madje rrezikon t’i shembet edhe stadiumi.

Teuta goli ndaj Partizanit
DURRËSI
Qarku i Durrësit është përfaqësuar zakonisht me ekipin e qytetit, Teutën. Një klub që militon historikisht në Superiore dhe çdo sezon tenton zonën e Europës. Në Kategorinë e Parë përfaqësohet nga tri ekipe të tjera si Erzeni i Shijakut, Kastrioti i Krujës dhe Iliria e Fushë-Krujës. Ky qark nuk ka asnjë ekip që ta përfaqësojë në Kategorinë e Dytë.
Labinoti-Elbasani-3
ELBASANI
Një nga qarqet më të rëndësishme të vendit, jo vetëm se përfaqëson një popullsi të madhe, por edhe për traditën në futboll. Mirëpo, prej pesë vitesh nuk ka asnjë skuadër që militon në Superiore, me ekipin kryesor, Elbasanin, që luan në Kategorinë e Parë, madje ka provuar të shkojë edhe më poshtë. Në këtë kategori militon edhe Turbina e Cërrikut, por të dyja ekipet e mbyllin klasifikimin në grupin e tyre. Në të Dytën, qarku i Elbasanit përfaqësohet nga Sopoti i Librazhdit dhe Gramshi, ndërkohë që nga sezoni i ardhshëm do t’i bashkohet edhe Shkumbini i Peqinit, i cili u përjashtua këtë sezon nga Disiplina pas incidenteve që ndodhën në ndeshjen kundër Dinamos vitin e kaluar.
vLLAZNIA-DINAMO
SHKODRA
Kur flitet për qarkun e Shkodrës në futboll, emri i parë që të vjen ndërmend është Vllaznia. Për shkodranët është një “dashni”, për shqiptarët një vlerë e futbollit në vend. Militojnë në Superiore, por prej vitesh enden në “ujëra të turbullta”, teksa provuan për një sezon edhe Kategorinë e Parë. Veleçiku dhe Tërbuni janë pjesë e Kategorisë së Parë dhe pa ndonjë histori të veçantë, ndërsa në të Dytën luajnë Ada me Vllazninë B, të cilët plotësojnë numrin e ekipeve që përfaqësojnë qarkun e Shkodrës në futbollin shqiptar.
Apolonia-Tomori
FIERI
Vitet e fundit, përfaqësuesi më i denjë i këtij qarku ka qenë ekipi mallakastriot i Bylisit, i cili gjithashtu këtë sezon është pjesë e Superiores. Ballshiotët po hasin vështirësi të rikthehen në vitet e arta, kur merrnin pjesë edhe në Kupat e Europës, por që gjithsesi janë një skuadër që meriton respekt. Në Kategorinë e Parë janë dy emra të mëdhenj si Apolonia dhe Lushnja, ekipe tradite që këtë sezon janë duke luftuar për ngjitjen në elitë. Qarku i Fierit ka përfaqësues edhe në të Dytën, aty ku është Albpetroli i Patosit, një tjetër ekip që ka historinë e vet në futbollin shqiptar, teksa ka milituar edhe në elitë.
SKENDERBEU
KORÇA
Skënderbeu, ekipi i dekadës në futbollin shqiptar, i cili bëri historinë jo vetëm në Superiore, por edhe me arritjet në arenën europiane me shkuarjen deri në grupet e Europa Ligës, është klubi që lidhet ngushtë me qytetin e Korçës. Sot, ka hallet e veta për shkak të dënimit nga UEFA, por historinë nuk ia zhbëjnë dot. Pogradeci dhe Devolli janë dy ekipet e qarkut, pjesëmarrëse në Kategorinë e Parë, ndërsa në të Dytën luajnë Gramozi i Ersekës dhe Maliqi.
partizani flamurtari
VLORA
Flamurtari vijon të mbahet ende, edhe pse sigurisht nuk e ka më atë shkëlqimin e dikurshëm të para viteve ‘90. Militojnë në Superiore, por ky aktuali duket ndoshta sezoni më i dobët në histori sa i përket elitës dhe janë të fundit në tabelë, duke prekur tashmë rënien. Për herë të fundit vlonjatët kanë rënë nga Superiorja në sezonin 2003-2004. Kur Flamurtari nuk është në formë, edhe futbolli shqiptar nuk mund të jetë po ashtu në formë. Oriku është ekipi i vetëm që e përfaqëson këtë qark në Kategorinë e Parë. Sezonin e ri mund të ketë një derbi vlonjat në të Parën, ndërsa në të Dytën militojnë Butrinti i Sarandës, Delvina dhe Selenica.
tomori
BERATI
Ka ndoshta historinë më të dhimbshme në futboll aktualisht, sepse shquhet për pasionin që ka për këtë sport. Berati është i vetmi qark momentalisht që nuk ka asnjë skuadër të militojë në Superiore apo në të Parën. Ekipet e traditës, Tomori dhe Naftëtari, militojnë në të Dytën, duke e kthyer në një dramë më vete futbollin aty. Ky vit duket i duhuri për beratasit të rikthehen në të Parën, edhe pse sërish u rri “ngushtë” kjo kategori. Për Naftëtarin, edhe për pak kohë me sa duket do të jetojë me kujtimet. Një tjetër skuadër që përfaqësohen këtë qark është edhe Skrapari, i mësuar në fakt me këto nivele në futboll.
Goli i Kukesit
KUKËSI
Një qark i vogël që nuk është shquar shumë për futbollin, por në dekadën e fundit ka filluar të lërë gjurmë të mëdha. Këtë e ka bërë nëpërmjet ekipit të Kukësit, fitues i kampionatit, Kupës dhe Superkupës së Shqipërisë. Është i vetmi qark në vend që nuk ka asnjë ekip tjetër të përfaqësohet në të tria kategoritë, edhe pse tashmë Valbona e Tropojës pretendon ngjitjen në të Dytën. Megjithatë, për atë që ka bërë Kukësi, e përfaqëson denjësisht këtë zonë.
LACI
LEZHA
Laçi është bërë skuadra më e denjë që përfaqëson qarkun e Lezhës në futbollin shqiptar, e cila merr pjesë thuajse rregullisht në Kupat e Europës. Një ekip deri diku konstant këtë 10-vjeçarin e fundit në elitë. Ndërkohë, në Kategorinë e Parë, Lezha përfaqësohet nga Besëlidhja që prej vitesh luan në këtë kategori, por gjithashtu edhe Shënkolli. Nga ana tjetër, Mirdita është ekipi që luan në Kategorinë e Dytë si ekip i këtij qarku.
korabi
DIBRA
E tentoi Korabi dikur të ishte pjesë e Superiores, por tani qarku i Dibrës nuk ka asnjë përfaqësues në elitë, pasi dibranët militojnë në Kategorinë e Parë, aty ku është edhe ekipi tjetër “komshi”, Burreli. Ndërsa në Kategorinë e Dytë militon skuadra e Klosit. Si qark relativisht me një numër të vogël banorësh, edhe skuadrat nuk janë më shumë se tri, por gjithsesi mbajnë gjallë futbollin në këto vende.
Luftetari ndaj Skenderbeut
GJIROKASTRA
Kur thua Gjirokastër, menjëherë mendja shkon te Luftëtari dhe prej katër sezonesh kjo skuadër është pjesë e elitës. Me traditë në futbollin shqiptar, teksa në vitin 2018 mori pjesë edhe në Ligën e Europës, por këtë sezon duket se do ta ketë të vështirë mbijetesën në Superiore. Në Kategorinë e Parë qarku i Gjirokastrës nuk ka asnjë skuadër që ta përfaqësojë, ndërsa janë plot katër ekipe në të Dytën. Bëhet fjalë për Tepelenën, Memaliajn, Përmetin dhe Këlcyrën.
tabela

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"