“Veterani” Sheta: Pas 20 vitesh karrierë, ndihem ende në formë. Besëlidhja vuan në finalizim

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 21, 2019 | 13:19

“Veterani” Sheta: Pas 20 vitesh karrierë, ndihem ende në formë. Besëlidhja vuan në finalizim

Po mbushen 5 javë që Besëlidhja ka nisur përgatitjet për sezonin e ri futbollistik, gjatë të cilit do të luftojnë për të siguruar ngjitjen në elitë.

arjan sheta

Drejtuesit janë të vendosur për të realizuar këtë mision, ndaj edhe në merkato nuk janë kursyer, duke afruar lojtarë të përvojës si Arian Sheta, Ded Bushi, Eristotel Koleci, Milan Gjorgjeviç, Dimitrie Çokiç dhe Arsen Hajdari.

Gjatë një prononcimi për “Panorama Sport” mbrojtësi “veteran” nga kryeqyteti, Arian Sheta, deklaroi: “Ftesën e Besëlidhjes e prita mirë dhe u josha nga objektivat që kanë, ndaj nuk u mendova shumë. Unë i jam bashkuar skuadrës që ditën e parë të grumbullimit, ku ka rreth një muaj që po stërvitemi në dy seanca ditore. Trajneri Elvis Plori po punon mjaft mirë me një program bashkëkohor, ku stërvitjen po e alternon me ndeshje miqësore kryesisht ndaj skuadrave të forta dhe në transfertë, ku nga ndeshja në ndeshje skuadra njeh vetëm rritje nga të gjitha pikëpamjet.

Për mua, të katërta takimet testuese mund të quhen të suksesshme, ndonëse na ka munguar finalizimi i aksioneve. Problem që e vuan i gjithë futbolli shqiptar. Reparti i mbrojtjes dhe ai i mesfushës po funksionojnë mjaft mirë, duke e mbrojtur zonën dhe duke e kontrolluar mjaft mirë mesfushën. Por, kur vjen puna për goditjen e portës në rastet e shumta të krijuara, aty nuk shkojnë mirë gjërat. Ndaj, aty duhet që të përqendrohet edhe puna e stafit teknik gjatë gjithë kohës. Ndonëse kampionati ka mbi tri javë kohë që të nisë, Besëlidhja pothuajse që tani është e gatshme për aktivitetin. Sa i takon formës sime sportive, jam 100% në formë nga të gjitha pikëpamjet dhe për këtë jam mjaft i lumtur dhe i gëzuar që edhe pas 20 vjetësh si futbollist profesionist jam në formë të shkëlqyer, gjë që më motivon jo vetëm që të stërvitem rregullisht, por edhe të jap më të mirën e mundshme në arenën e blertë”, përfundoi Arian Sheta.

Preng Gjikola

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"