Veterani Kotorri dhe 21-vjeçari Gica, Elbasani gjen sigurinë drejt ngjitjes

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 11, 2017 | 15:53

Veterani Kotorri dhe 21-vjeçari Gica, Elbasani gjen sigurinë drejt ngjitjes

Njëri është portier, kampion me Dinamon dhe Elbasanin dhe po shkon drejt përfundimit të karrierës, ndërsa tjetri sulmues, sapo ka nisur rrugëtimin në futboll dhe premton shumë për të ardhmen. Bëhet fjalë për Elvis Kotorrin dhe Kejvin Gicën, dy futbollistët e momentit të Elbasanit, të cilët po marrin “prej dore” skuadrën drejt ringjitjes në Kategorinë e Parë.

kotorri

Sigurisht, pa hequr mënjanë edhe meritat e të tjerëve në fushë, por në dy sfidat e para të kampionatit kanë spikatur më shumë, sidomos pas fitores shumë të vështirë në transfertën e Patosit përballë Albpetrolit të dielën që sapo lamë pas. Një diferencë prej 17 vitesh ndërmjet të dyve, me Kotorrin që nisi futbollin profesionist atëherë kur Gica nuk kishte lindur ende, por që sot janë në një skuadër dhe kanë detyrën e vështirë përpara që ta ngjisin Elbasanin sërish në të Parën, aty nga ku ranë sezonin e kaluar.

Nëse për gardianin elbasanas nuk ka nevojë për fjalë shumë, për shkak të karrierës së gjatë dhe plot sukses, Gica është ai që ka marrë përsipër golat e skuadrës. Deri më tani ia ka dalë që të shënojë tre gola në dy ndeshje, duke i dhënë skuadrës 6 pikë, të cilat e mbajnë në vendin e parë në klasifikim me pikë të plota. Nga ana tjetër, Kotorri e tregoi sërish veten në Patos me penalltinë e pritur, duke mbajtur në lojë elbasanasit për të fituar ndeshjen.

GRUPI

Mirëpo, nëse për momentin dy heronjtë e Elbasanit, njëri në portë me pritjet dhe tjetri në sulm me golat e shënuar, kanë një diferencë të madhe moshe, e njëjta gjë mund të thuhet edhe për grupin në tërësi.

Kategoria e Dytë dhe mungesa e financave nuk e ka penguar klubin që të bashkojë “veteranët” me “juniorët”, të cilët duket sikur janë në harmoni me njëritjetrin dhe mund të thuhet se kanë ndërtuar një ekip simpatik në këtë kategori. Kalendari i rezervon këtë javë, në shtëpi, një ndeshje me një rival direkt, Butrintin, i cili, ashtu si verdheblutë ka marrë pikët e plota në dy sfidat e para të kampionatit.

VLADIMIR MEMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"