“Veteranët të mbajnë peshën e fanellës”, Daja para Luftëtarit: Skënderbeu nuk di të mbrohet, por…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 4, 2019 | 17:21

“Veteranët të mbajnë peshën e fanellës”, Daja para Luftëtarit: Skënderbeu nuk di të mbrohet, por…

Trajneri i Skënderbeut, Ilir Daja, doli ditën e sotme para mediave, në prag të takimit të nesërm që ekipi i tij do të luajë në shtëpi përballë Luftëtarit.

ilir daja

Daja deklaroi se ecurinë e Skënderbeut këto javët e fundit e kanë kushtëzuar edhe mungesat, por për të më mirë kërkon të marrë një fitore, se sa një emër si klubi korçar, të luajë në mbrojtje. Ai pati edhe një mesazh për veteranët e ekipit, që të marrin më shumë përgjegjësi dhe të mbajnë peshën e fanellës.

ECURIA – Kemi pasur shumë oshilacione në 6 javë. Kemi bërë mirë me kundërshtarë të fortë, edhe pse kemi humbur me Tiranën, por nuk kemi luajtur keq. Na ka munguar motivimi në ndeshjet që quhen jo të forta. Diçka të tillë e kemi analizuar, dhe të gjithë kemi marrë përgjegjësitë, duke filluar nga unë i pari. Shpresoj të kemi një ekip në fushë, që përveç gatishmërisë të zbatojë edhe detyrat që u kemi dhënë në stërvitje.

FORMACIONI – Unë nuk e copëtoj ekipin. Ne si filozofi, mbrojmë dhe sulmojmë të gjithë. Pjesa e copëtimit në këtë ndeshje do ndodhë, sepse nuk kemi në dispozicion të dy qendërmbrojtësit, Pollozhanin për kartona dhe Turtullin për kartonë. Me lojtarët që kemi, do mundohemi të plotësojmë këto boshllëqe, por mund të ketë edhe ndonjë lojtar që nuk do luajë në pozicionin e tij natyral.  Ne sapo kemi mbaruar analizën, dhe ende nuk e dimë kush do startojë nesër. Edhe pse një pjesë e mirë e dinë se kush mund të jetë në formacion nesër. Kemi edhe një seancë stërvitore pasdite.

MUNGESAT – Kemi provuar disa alternativa për të plotësuar mungesat që kemi. Edhe ndeshja e mesjavës në Kupë, bëri që ekipi të ndahej. Një pjesë e të rinjve që luajtën, dhe një pjesë e lojtarëve të tjerë që mund të jenë pjesa më e madhe që do luajnë nesër. Do ketë gjithmonë problematikë, sepse edhe lëvizja e lojtarëve në pozicionin e tyre jonatyral, nuk do të thotë që në fillimin e javës bëhet kjo ndërhyrje, dhe kur merr një feedback, në seancën stërvitore nesër do kesh deri në momentin e fundit.

OBJEKTIVA – Skënderbeu ka 9 pikë. Ekipi i parë në klasifikim ka 11 pikë. Pra, 2 pikë larg. Nuk kemi bërë mirë, por as keq jo. Kemi pasur luhatjet tona. Kemi marë një humbje që e kemi përgatitur pa dashje, me Vllazninë, sepse bëmë 2 penallti që mund të shmangeshin, Me Devollin është një specifikë tjetër, sepse rëndësi ka kualifikimi. I kemi dhënë mundësi lojtarëve të rinj, sepse informacioni më i mirë është ai që merret në ndeshje zyrtare. Kemi pësuar 3 humbje me shumë gola, por edhe 3 fitore.

LOJA – Me sistemin 3 pikësh, më mirë të rrezikosh për gjithçka e të tentosh të marrësh fitoren, sesa 3 barazime. Do thosha që drejtojmë një ekip me emër të madh, e që i ka dhënë tonin futbollit shqiptar në 10 vitet e fundit. Nuk e zbret dot Skënderbeun nga ai pozicion, dhe të bësh presing defensiv në mbrojtje. Këtë nuk e pranojnë as tifozët tonë, por as unë si trajner. Me gjithë problemet që kemi pasur, kemi lënë edhe hapësira prapa, por duke parë këtë lloj dinamike në pësimin e golave, duhet të mësohemi edhe me një Skënderbe që do zbresë poshtë në mbrojtje, deri sa të fuqizojmë manovrën para.

KRITIKA – Ne duhet t’i shohim gjërat me gjysmën e gotës plot. Ky është kontigjenti. Në çdo ndeshje ka lojtarë shumë të rinj që veshin një fanellë të rëndë si Skënderbeu, që duhet t’i japim suport psikologjik edhe kur gabojnë. Më shqetëson më shumë, ato që duhet të mbajnë barrën kryesore në një ndeshje, siç janë ato që kanë eksperiencë. Edhe mungesa e Muzakës në ndeshjet e fundit ka lënë një boshllëk të madh. Duke qenë edhe kapiten, prezenca e tij në fushë, mund të sillte një tjetër Skënderbe në fushë. Jam i kënaqur me të gjithë kur gjërat shkojn drejt, dhe nuk kënaqem me asnjë kur gjërat nuk shkojnë mirë. Duhet të nxjerrim konkluzionet e duhura, jo menjëherë. Duhet të fillojmë të minimizojmë gabimet që kemi bërë. Nuk do ia delegoja lojtarëve, sepse ky është kontigjenti, dhe kam detyrë t’i suportoj dhe të punoj me ta, pavarësisht performancës së tyre në fushë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"