“Vetëm vrapo, topin ta sjell unë”, Bejzade zbulon bisedën me Bylykbashin kur luanin te Partizani
Dorian Bylykbashi është një nga ish-lojtarët që ka mbetur idhull për tifozët e Partizanit. Edhe pse nuk arriti të fitonte dot titullin si pjesë e të kuqve, ish-fantazisti rrëmbeu zemrat e mbështetësve të “demave”, që vazhdojnë ta kujtojnë për supergolat që ka shënuar dhe mbi të gjitha “specialitetin” e tij: asistet.
Në këto ditë ku të gjithë qëndrojnë të mbyllur në shtëpi për shkak të përhapjes së virusit Covid-19, në rrjetet sociale janë të shumtë tifozët apo ish-futbollistët e kampionatit shqiptar që kujtojnë të shkuarën. Këtë herë ish-kapitenin e Partizanin e kanë “ngacmuar” tifozët me një foto kur ai festonte një prej golave me fanellën e kuqe, teksa luajti për tri sezone (2003-2006) përpara se të transferohej në Ukrainë.
Mirëpo, mes komenteve më pikanti ishte ai i një tjetër ish-lojtari të Partizanit, Skerdi Bejzade, i cili ka qenë shok skuadre tek “demat” me Bylykbashin. “Arusha” i kujton elbasanasit çfarë bisedonin gjatë lojës kur ishin pjesë e Partizanit.
“Dori njëshi, veç thoshte ik mos e kthe kokën nga mua, veç vrapo se ta sjell topin para…”. Përgjigjia e ish-fantazistit ishte me shumë nostalgji brenda.
“Kohë të paharrueshme”, i shkruan Bylykbashi, teksa me Bejzaden te Partizani ka luajtur në sezonet 2003-2004 dhe 2004-2005, duke fituar Kupën e Shqipërisë dhe Superkupën. “Ej, në fillim kur s’të njihja e ktheja kokën, pastaj e dija unë…”, shkruan Bejzade duke kujtuar këshillën që i jepte elbasanasi, që asistet për gol drejt sulmuesve i kishte me “sy mbyllur” .
Dori i kthen sërish një përgjigje në fund Skerdit: “Fillimet janë gjithmonë të vështira. Po faullin me Lushnjën e mban mend…”.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"