“Vetëm Tirana mund ta humbasë këtë kampionat”, Hebaj: Më mungon goli në Superiore, duam edhe Kupën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 17, 2020 | 21:59

“Vetëm Tirana mund ta humbasë këtë kampionat”, Hebaj: Më mungon goli në Superiore, duam edhe Kupën

Teuta i dha fund serisë prej 17 ndeshjesh rad hazi pa humbje të Tiranës, duke ndalur bardhelutë që nuk kishin njohur disfatë që nga fillimi i muajit dhjetor. Durrsakët kanë gjetur “çelësin” për të zbërthyer lojën e bardhebluve dhe me shumë saktësi kanë dominuar ndeshjen ndaj kryesuesve të kampionatit, të cilët shohin të shkurtohet në 6 pikë diferenca me ndjekësit më të afërt. Teuta e bazoi gjithçka te presingu i lartë që në fillim, duke mos lejuar Tiranën që të organizohej dhe iu bë gjithçka më e lehtë, pasi shënoi shpejt me anë të Emiljano Vilës.rubin hebaj

Në një prononcimin për “Panorama Sport” sulmuesi i Teutës, Rubin Hebaj, shprehet i bindur se skuadra e tij edhe në vazhdim do të bëjë mirë. “Kjo fitore ishte shumë e rëndësishëm për objektivin ‘Europë’. Nëse vazhdojmë si skuadër, të ecim mirë si kjo ndeshje, do të ecim larg”, shprehet sulmuesi. Gjithashtu, Hebaj shpreson që ndaj Luftëtarit të shënojë golin e munguar.

Jeni i kënaqur me këtë fitore ndaj Tiranës?

Si të mos kënaqem? Morëm një fitore shumë të rëndësishme me këtë skuadër shumë të mirë. Për mua duhet të ecim para dhe të mos shohim të tjerët. E rëndësishme është të shikojmë ndeshjet e radhës dhe jo të shikojmë sa pikë para apo pas janë të tjerët. Nëse ecim kështu, është mirë. Çdo fitore është e rëndësishme. Nëse vazhdojmë si te kjo ndeshje, do të ecim larg.

Luajtët me shumë grintë. Nga ju buroi gjithë ky shpirt gare?

E kemi nisur shumë mirë ndeshjen. E vumë Tiranën në presion duke luajtur lart me presing në 30 minutat e para. Ekipi është i ri, por djemtë kanë dëshirë për të treguar vlerat. Vrapojnë dhe punojnë shumë. Të gjithë janë në nivelin e duhur. Kemi edhe lojtarë me eksperiencë. Është vetëm një fitore, ka edhe 7 ndeshje. Kjo fitore ishte shumë e rëndësishme për objektivin “Europë”.

Indirekt i keni bërë nder kampionatit. Mendoni se pas kësaj humbjeje që pësoi ndaj jush Tirana, mund të rrezikojë titullin?

Le të flasim pa “dorashka”. Jemi në vendin e katërt dhe kemi një diferencë të vogël me ndjekësit. Objektivi ynë është të rimarrim vendin e tretë. Të thuash që kampionati u rihap, nuk besoj se është gjetja e duhur. Vetëm Tirana mund ta humbasë këtë kampionat, pasi gjithçka e ka në dorën e vet.

Në 180 minutat e fundit jeni paraqitur mirë. Sa keqardhje ndieni për atë shtyllë ndaj Tiranës?

Besoj se futbolli bëhet shumë i hidhur dhe e provova të hënën. Më vjen keq për rastin, pasi bëra një ndeshje të mirë. Ndeshja ishte e fortë, edhe me ngarkesën e këtyre ditëve. Më pëlqyen shumë gjëra, si shpirti i garës, mënyra e lojës. Shpresoj shumë që të zhbllokohem me Luftëtarin.

hebajj

Edhe ndaj Luftëtarit, objektivi do të jetë një dhe i vetëm, fitorja?

Çdo ndeshje është e vështirë nëse nuk je i përqendruar, por ne jemi Teuta dhe nuk kemi frikë asnjë ekip. Normale që do t’i respektojmë kundërshtarët. Çdo skuadër është për t’u mundur. Ne shohim punën tonë. Objektivi ynë është ndeshja e radhës, tani kemi Luftëtarin dhe jemi të përqendruar për të fituar.

Luftëtari ka rënë në Kategorinë e Parë. Prisni një kundërshtar më të lehtë?

Respekti për kundërshtarët gjithmonë ka qenë një virtyt i Teutës. Ne respektojmë gjithsecilin dhe e pranojmë që në Gjirokastër do ta kemi të vështirë, por kjo jo vetëm se Luftëtari po kërkon pikë morali, por për vetë lojën që zhvillon.

Diferenca e pikëve me rivalin do të jetë një faktor pozitiv apo negativ për këtë takim?

Kemi pak pikë diferencë nga ekipi ndjekës, çka na qetëson disi. Gjithsesi, nuk mendoj se do të ndikojë shumë në mbarëvajtjen e ndeshjes, pasi në sistemin trepikësh diferenca e 3 pikëve nuk është shumë për të qenë të qetë, por nuk është dhe as pak. Kështu që, të lë mundësi që ta thellosh më shumë këtë diferencë. Pikërisht këtë do të mundohemi të bëjmë ndaj Luftëtarit.

Deri ku mund të shkojë Teuta?

Teuta është kthyer në një ekip me një disiplinë të admirueshme, si në jetë ashtu edhe në fushën e lojës. Mendoj se do ta arrijmë objektivin e vendosur nga presidenca, e cila ka qenë shumë korrekte ndaj nesh. Teuta do të jetë në tri vendet e para të Superiores. Gjithashtu, kemi edhe Kupën, të cilën do të mundohemi t’i shkojmë deri në fund dhe ta mbyllim vitin me trofe.

ZAMIR QYPI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"