Vetëm një mungesë në radhët e bardhebluve, çfarë ndodhi në ditën e parë të stërvitjes së Tiranës?

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 19, 2020 | 18:51

Vetëm një mungesë në radhët e bardhebluve, çfarë ndodhi në ditën e parë të stërvitjes së Tiranës?

Tirana ka rifilluar dje në ambientet e kompleksit “Skënder Halili” stërvitjen në grup, pas një ndërprerjeje afro 3-mujore për shkak të Koronavirusit. Bardheblutë kanë respektuar të gjitha masat e protokollit, teksa lojtarëve u është matur temperatura përpara fillimit të stërvitjes. Çdo futbollist i Tiranës kishte maskë të personalizuar, për të shmangur sa më shumë rrezikun për transmetimin e virusit që bëri kërdinë në gjithë botën. Më saktë, lojtarët te dera e dhomave të zhveshjes i priste mjeku i skuadrës. Si fillim, lojtarëve u matet temperatura dhe më pas ata dezinfektojnë duart, u dorëzohen doreza, maska të personalizuara “KF Tirana”. Lojtarët futen në dhomat e zhveshjes, zhvishen dhe dalin me maska dhe doreza. Gjatë stërvitjes lojtarët mbajnë dorezat, por jo maskat. Futbollistët nuk do të lahen në klub, por në shtëpi.
tirana stervitje

PROCEDURA – Ai që ka rrëfyer gjithë procedurën që do të ndiqet nga ana e klubit Tirana ishte mjeku i skuadrës, Arzen Voci. Në detaje, ky i fundit ka bërë të ditur për mediat të gjithë hapat që do të ndërmerren derisa lojtarët të largohen nga klubi. “Kemi marrë masat që na janë dhënë nga Federata e Futbollit. Lojtarëve u matet temperatura, u vihen dorezat dhe maskat e në përfundim të stërvitjes nuk do të ketë dushe për lojtarët. Deri tani nuk kemi asnjë lojtar me temperaturë të lartë, por brenda normalitetit.
arsen- voci

Nëse do të ketë një lojtar të tillë, do të ndiqet një protokoll tjetër. Lojtari menjëherë do të largohet nga stërvitja duke mos kontaktuar asnjë dhe do të njoftohen organet kompetente, të cilat në bazë të rastit do të marrin vendim për tamponim. Më pas do të jetë trajneri i përgatitjes fizike që do të merret me stërvitjen. Rikthimi në stërvitje i lojtarëve do të jetë pak i rrezikshëm, pasi prej dy muajsh nuk stërviten në mënyrë të rregullt dhe mund të ketë dëmtime muskulore”, tha Arzen Voci, mjeku i Tiranës.
muci
MUNGESA – I vetmi lojtar që nuk ka qenë dje me skuadrën ishte Ernest Muçi. Futbollisti kishte marrë leje nga stafi mjekësor. Në fakt, ai ka një shqetësim me fytin dhe prej kohësh po kurohet. Stafi mjekësor, duke parë që ai e ka pasur të pamundur që të stërvitet me pjesën tjetër të grupit, i ka kërkuar lojtarit të qëndrojë në shtëpi. Me shumë mundësi, Muçi do të bashkohet në ditët në vazhdim me pjesën tjetër të skuadrës.

MBLEDHJA – Pas qetësimit të situatës, skuadra ka dalë në stërvitje. Në mes të fushës, ekipi ka bërë një mbledhje me drejtorin sportiv dhe stafin e ekipit. Si fillim ka folur drejtori Arbi Laçi dhe më pas trajneri Emanuel Egbo. Dy fjalë ka thënë edhe mjeku i skuadrës. Më pas ekipi ka punuar i qetë për 1 orë e 30 minuta. Si fillim kanë qenë ushtrimet fizike dhe më pas është dalë te ushtrimet me top. Në skuadër kanë qenë të gjithë lojtarët, madje edhe ata që agjërojnë, por ata kanë vazhduar punën normalisht së bashku me pjesën tjetër të skuadrës. Bardheblutë me shumë mundësi do të zhvillojnë përgatitjet pasdite, për të lehtësuar lojtarët që agjërojnë.
jurgen celhaka
MERKATO – Vazhdon te Tirana çështja e merkatos. Jurgen Çelhaka është ai që futet në radarët e skuadrave turke. Ernest Muçi, Kyrian Nuabueze, Saliou Guindo dhe Sherif Kallaku janë disa nga emrat që kanë përfunduar në radarët e klubit nga Izmiri, por së fundmi duke iu referuar medias turke “Yeniasir”, Menemenspor interesohet për talentin e mesfushës Jurgen Çelhaka. Gjithsesi, 19- vjeçari i cili është një titullar fiks te skuadra bardheblu është nën kontratë me Tiranën dhe bardheblutë do të kërkojnë të përfitojnë sa më shumë nga shitja e tij. Për lojtarin janë afruar 400 mijë euro, por bardheblutë në janar e kanë refuzuar ofertën, sepse kërkonin edhe 40 për qind të kartonit të lojtarit. Mbetet për t’u parë se si do të shkojë çështja e kartonit të Çelhakës, sepse lojtari kërkohet edhe nga skuadra të tjera kroate, italiane apo edhe nga Lindja. Kujtojmë që Çelhaka e Muçi janë dy nga lojtarët që bardheblutë shpresojnë t’i shesin pas fitimit të titullit kampion.

OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"