Vetëm një gol e ndan nga pasardhësi i Haland, flet golashënuesi Vrioni: Do ishte e bukur ta arrija pasi e dimë se ku do shkojë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 23, 2022 | 22:37


Vetëm një gol e ndan nga pasardhësi i Haland, flet golashënuesi Vrioni: Do ishte e bukur ta arrija pasi e dimë se ku do shkojë

Xhakomo Vrioni po vazhdon të bëhet protagonist me fanellën e Tirol ku në një sezon në të cilin skuadra e tij kërkonte mbijetesën, e ka çuar deri në finalen ndaj Rapid që do të vendosë se cila mes këtyre dy skuadrave do të shkojë në Ligën e Konferencës. Vrioni shënoi sot një gol ndaj LASK Linz, duke çuar në 18 numrin e rrjetave të tundura në kampionat, vetëm 1 më pak se Karim Adejemi i Salcburg.

vrioni

Ky i fundit ka firmosur me Borusia Dortmund dhe nga sezoni i ardhshëm do të jetë ai që do të zërë vendin e lënë bosh nga Erling Haland te gjermanët. Pas ndeshjes ku ai dha edhe një asist, Vrioni ka folur rreth kualifikimit të ekipit të tij që tashmë është nëj hap larg Europës, por edhe për këtë sfidë interesante personale.

“Ne duhej të punonim shumë sot se ishim pak të lodhur meqë kishim luajtur të premten. Por mendoj se sot ishim të jashtëzakonshëm se luajtëm shumë mirë dhe u mbrojtëm mirë, pasi e dinim që ata kanë cilësi përpara. Tani kemi një mundësi shumë të bukur për të luajtur kundër Rapid për Ligën e Konferencës.

Jam një njeri që pëlqen të ndihmojë ekipin, kam ardhur këtë verë të bëjë maksimumin por mendoj se e rëndësishme është të flasësh për ekipin se i vetëm nuk mund të bësh asgjë. Kjo është një fitore për skuadrën, trajnerin, fansat, për tifozët që sot ishin të pabesueshëm.

Sfida me Adejemi? Po, tani jam një gol pas tij. Do të mundohem se është e bukur të barazosh Karim apo të bësh më shumë, se e dimë ku do shkojë vitin tjetër. Kjo është diçka shumë e bukur, por mua më pëlqen më shumë të shkoj të fitoj me Rapidin dhe ekipi të luajë mirë”, tha Vrioni pas sfidës.

PANORAMASPORT.AL