Vetëm një afrim deri tani, pak shanse për transferime me peshë te Apolonia

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 14, 2020 | 17:21

Vetëm një afrim deri tani, pak shanse për transferime me peshë te Apolonia

Miqësorja me Bylisin ka nxjerrë në pah jo pak gjëra për Apoloninë. Mjafton të lexojmë përmes rreshtave të intervistës së trajnerit Mërgjyshi pas ndeshjes për të kuptuar më tepër.Apolonia Elbasani

Pozitivja qëndron në faktin që fierakët po këmbëngulin të mbajnë në nivele pretendimi një skuadër me jo pak firo cilësore nga pjesa e parë e kampionatit, një skuadër prej së cilës nuk pritet ndonjë “çudi” në merkato. Përforcimet, si duken gjasat, do të jenë lojtarë jo më shumë se 20 vjeç. Tjetër fakt pozitiv nga miqësorja e fundit ishte loja përgjithësisht e mirë, dëshira dhe përkushtimi i të rinjve fierakë gjatë pjesës së dytë, pavarësisht mungesës së përvojës. Ishin këta të rinj që e përmbysën disavantazhin 0-1 të pjesës së parë, edhe pse gabuan jo pak, por përballë Bylisit, vendit të dytë në Superiore, u falen gabimet.

KRASNIQI – Duhet evidentuar mes të tjerëve loja e mirë e Jeton Krasniqit, 18-vjeçarit që nuk ka luajtur asnjë minutë me ekipin e parë, pasi i ka shërbyer U-19-ës së Apolonisë. Është vëllai i sulmuesit të Skënderbeut, Blerim Krasniqit, edhe ky një futbollist që “u gatua” cilësisht për këto nivele tek Apolonia. Krasniqi i vogël ka dëshmuar ndaj Bylisit se është gati për fanellën e ekipit të parë. Ka marrë pjesë në golin e Gjatës dhe ka shënuar golin e dytë, duke e hedhur hapur “erashkën” e sfidës për një vend tek Apolonia. Apolonia2

Pjesa delikate mbetet mbrojtja, ku duket se të gjithë “janë gati” të gabojnë. Skuadra fierake nuk ka një lider në këtë repart dhe as një formacion të stabilizuar. Mjafton të përmendim faktin se vetëm Hysenshahaj, Mehmeti, Mihana, Gjata dhe Kumani nuk kanë luajtur si mbrojtës këtë sezon. Pyetjes së bërë trajnerit Mërgjyshi për përforcime të mundshme gjatë kësaj jave, pavarësisht anës “diskrete” të klubit se “mos u prishin punë rivalët”, trajneri i është përgjigjur shkurt: “Nuk e besoj!” I vetmi përforcim mbetet mbrojtësi Guri, ndërsa janë larguar 5 lojtarë nga kontingjenti i pjesës së parë të sezonit.

Bujar Rama

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"