“Vetëm anësori nuk e pa dorën”, Çyrbja: Nuk duam të varemi nga Kupa

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 4, 2020 | 16:50

“Vetëm anësori nuk e pa dorën”, Çyrbja: Nuk duam të varemi nga Kupa

Ndonëse e dominoi Kukësin, Teuta nuk arriti të shkonte më shumë se një barazim pa gola. Tashmë kualifikimi mbetet i gjithi i hapur dhe kjo gjë nuk i ka kënaqur as lojtarët. Ata donin që të shënonin të paktën një gol, pasi kështu do të kishin më shumë shanse për finalen. E megjithatë, në Durrës nuk demotivohen. Arbër Çyrbja beson se më 15 korrik ata do të dalin fitimtarë nga “Niko Dovana”. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, mesfushori u ndal edhe tek ai episod që mund të ishte një penallti. Topi u gjuajt pikërisht prej tij dhe me bindje e thotë që kundërshtari e ndali me dorë.
cyrbja teuta

Pas një muaji mungesë, u rikthyet më në fund në fushë. Si u ndie Çyrbja?
Dëshira për të luajtur ishte e madhe. Më ka munguar kaq shumë fusha e blertë. Prej 1 muaji qëndroj jashtë nga ai dëmtim i gjatë që pësova me Laçin. Rrezikoja për të pasur vetëm disa minuta, pasi vetëm një javë kam që stërvitem me ekipin. Megjithatë, më vjen mirë që luajta dhe rezultati ndaj Kukësit ishte i pranueshëm. Tani duhet të shohim përpara dhe shpresoj të mos kem më probleme fizike. Ndihem mirë dhe jam në formën maksimale fizike. Kam filluar stërvitjen e plotë me ekipin dhe mendoj se do të jem i gatshëm në të gjitha ndeshjet, që do luhen më pas.

Vetëm barazim pa gola me Kukësin, kë favorizon më shumë ky rezultat?
Unë besoj se kualifikimi mbetet i hapur për të dyja skuadrat, përpos barazimit 0-0 në Elbasan. Vetë specifika që kanë ndeshjet e Kupës, bënë që asnjëra të mos ketë më shumë shanse të tjera. Çdo gjë zgjidhet në fushë.
CYRBJA

Në minutën e 72-të ishit ju ai që krosuat atë top, që solli pretendimet për penallti. Si qëndron e vërteta?
Çfarë të them për atë rast. E panë të gjithë që topi u përplas në dorë dhe kjo e fundit ishte e hapur. Vetëm anësori nuk e pa atë rast. Ishte penallti, nuk ka dyshime për këtë. Kohë për të pushuar nuk ka, të hënën do të përballeni me Skënderbeun për kampionat.
Skenderbeu festa e golit
Sa përcaktues është ky 90-minutësh për zonën “Euro”?
Ndeshja me Skënderbeun është e rëndësishme për ne. Atmosfera është mjaft pozitive dhe ne vazhdojmë stërvitjen me ngarkesë të plotë. Çdo gjë po shkon mirë. Korçarët kanë një ekip të fortë dhe i vlerësojmë maksimalisht. Ne duam të ruajmë pozitat në klasifikim, ndaj do të futemi në fushë vetëm e vetëm për pikët e plota.

Ngjeshja e ndeshjeve dhe vapa po bën të vetën, a po ndiejnë lodhje në ekip?
Mund të ndikojë pak, por Teuta ka lojtarë cilësorë dhe mund t’i përballojë të dyja kompeticionet. Besoj se nuk do ta kemi problem lodhjen.

Po luftoni në dy fronte për një “biletë” europiane. Sa shanse keni që ta realizoni këtë objektiv?
Kam besim se mund ta arrijmë, por duhet besim nga të gjithë e të vijojmë me këtë ecuri që kemi. Është e mundshme, pasi dëshira jonë është ta arrijmë nga kampionati zonën “Euro”. Nuk duam që të mbetemi varur nga Kupa e Shqipërisë. Edhe nëse shkojmë deri në finale, ajo është një ndeshje teke dhe s’ka asgjë të sigurt.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"