Vetëm 9 lojtarë të Brazilit e kaluan klasën në Rusi, por mungon… Nejmari

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 8, 2018 | 14:58

Vetëm 9 lojtarë të Brazilit e kaluan klasën në Rusi, por mungon… Nejmari

Vetëm 9 lojtarë nga Kombëtarja braziliane kaluan “klasën” në këtë Botëror dhe u larguan nga Rusia pa pengje, sepse dhanë gjithçka kishin. Por në këtë listë të përpiluar nga “Globoesporte” mungon Nejmar. Ai është në listën e atyre që u përpoqën, ndërsa ka edhe nga ata si Zhezus, Uillian, Paulinjo, Fernandinjo dhe të tjerë që konsiderohen dështim i madh.

brazili

TIAGO SILVA- Ndoshta mund ta themi me siguri që ai ishte lojtari më i mirë në Botëror i Brazilit. I sigurt dhe i saktë. Tregoi superioritet në lojën e ajrit dhe nxori në pah vlerat e tij në forcë dhe teknikë.

MIRANDA- Një shok ideal për Tiago Silvën. Një lojtar i sigurt. U largua nga ky Botëror duke markuar në mënyrë spektakolare një Lukaku të frikshëm. Mëkat që kjo ndodhi vetëm në pjesën e dytë, kur ndryshoi strategjia.

FAGNER- E mori vendin në kombëtare pas dëmtimit të Dani Alveshit dhe në formacion pas dëmtimit të Danilos. Mori përgjegjësi dhe bëri detyrën. Nuk u fsheh kurrë.

FILIPE LUIS- Një tjetër lojtar që nga Rusia do të largohet me kokën lart për atë që bëri, në momentin kur Marselo nuk ishte. Ndaj Serbisë dhe Meksikës zhvilloi ndeshje shumë të mira.

FILIPE KUTINJO- Pavarësisht oscilacioneve dhe faktit që nuk shkëlqeu në ndeshjet eliminatore, ishte lojtari më i rëndësishëm i “Seleçaos”. Shënoi 2 gola dhe dha 2 asiste. Më shumë nga një mesfushor nuk mund të presësh, për më tepër kur ai u sakrifikua shumë.

KASEMIRO- Rëndësia e një lojtari duket atëherë kur ai nuk është në fushë dhe mjafton ta shihni atë që pësoi Brazili në ndeshjen e fundit. Ai ndihmoi shumë Tiago Silvën dhe Mirandën. Vendimtar.

RENATO AUGUSTO- Goli i shënuar kundër Belgjikës ishte një tregues i qartë se ai meritonte më shumë minuta dhe më shumë besim.

DUGLAS KOSTA- Dy herë që u fut në fushë, ndaj Kosta Rikës dhe Belgjikës, ndryshoi lojën. Mëkat që dëmtimet muskulore nuk e lanë të shkëlqente dhe të zinte vend në formacionin titullar.

FIRMINO- Më i rrezikshëm në zonë sesa Gabriel Zhezus. Edhe në pak minuta përhapte panik më shumë sesa sulmuesi i Mançester Sitit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"