Vetëm 72 orë për të përgatitur kthesën me Korabin, Gjyla: Duhet të thyejmë tabunë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 24, 2021 | 12:32

Vetëm 72 orë për të përgatitur kthesën me Korabin, Gjyla: Duhet të thyejmë tabunë

Humbja 0-1 në Pogradec i kushtoi Lushnjës dy vende në tabelë. Skuadra gjendet e 13-ta tashmë, pra në zonën e rënies. Verdhejeshilët kanë tri javë që nuk shënojnë dot një gol dhe maksimumi që kanë marrë është një barazim.

Ilir Gjyla Lushnja

Me vetëm 8 pikë të mbledhura në total, rreziku sa vjen edhe shtohet. Kthesa kërkohet me urgjencë, ndonëse nuk duan që të zbresin në Kategorinë e Dytë. Shansin e kanë që sot, kur do të presin Korabin në “Roza Haxhiu”. Edhe pse në shtëpi, parashikohet më shumë se e vështirë dhe mbi të gjitha kur kanë tri mungesa (Arbër Mone, Ervis Gjyla e Klahos Zani nuk luajnë prej dëmtimeve). Kundërshtari ka dëshmuar forcën e vet edhe në transferta, ndaj frika ekziston dhe sidomos pas problematikës që ka shfaqur ekipi këtë kampionat.

Vetëm 72 orë kanë pasur kohë për të përgatitur këtë duel, e megjithatë alternativa është vetëm një: fitorja. I këtij mendimi është edhe trajneri Ilir Gjyla, që për gazetën deklaroi: “E kemi vlerësuar ndeshjen ndaj një kundërshtari cilësor, të cilin e respektojmë. Duhet të thyejmë tabunë që luajmë mirë, por nuk fitojmë. Do të japim maksimumin në këtë ndeshje, ku alternativa jonë e vetme është fitorja”.

Të gjithë golat dhe pikët e marra në fazën e parë lushnjarët i kanë grumbulluar në stadiumin e tyre dhe kjo ndoshta është ajo që jep një lloj shprese. Madje, kanë ruajtur edhe rrjetën të paprekur. Skuadrat kanë objektiva të ndryshëm (njëra për mbijetesë dhe tjetra për Superioren). Diferenca në tabelë është plot 10 pikë dhe 10 pozicione. Lushnja luan me Korabin pas 26 edicionesh, teksa përballja e fundit e luajtur i përket sezonit 1995-1996. Verdhejeshilët fitonin 2-1 në shtëpi, falë dopietës së Gëzim Kasharit.

KORABI

Mërgjyshi s’i zë “besë” Lushnjës

Korabi nuk ka në plan që të ndalet. Pasi kaluan me sukses Burrelin, sot udhëtojnë në Lushnjë. Synimi mbetet fitorja dhe ruajtja e pozitave. Artan Mërgjyshi nuk i beson fort renditjes së kundërshtarit, ndaj kërkon prej të tijve që të jenë të kujdesshëm në fushë. Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, numri një i pankinës së dibranëve konfirmon edhe mungesat. Sokol Mziu dhe Erjon Dragoj janë të dëmtuar, megjithatë ka edhe rikthime. Gati janë Ylber Muça me Xhynejt Çutën. “Kemi një ekip të vështirë përpara. Lushnja ka një skuadër me traditë në futbollin shqiptar, ndonëse nuk ndodhet në vende komode në klasifikim.

E kemi vlerësuar shumë këtë ndeshje. Në Lushnjë do të shkojmë me dy mungesa, atë të kapitenit Mziu dhe Dragoj. Të dy futbollistët nuk janë rikuperuar ende. Ndërkohë, na janë rikthyer Muça dhe Çutra. Me ta e kam pasur më të thjeshtë për të ndërtuar strategjinë për këtë sfidë. Shpresojmë të marrim një rezultat pozitiv në këtë. Ndonëse ngjeshja të kampionatit ka bërë të vetën, ne kemi synimet tona. Duhet që në çdo ndeshje të japim maksimumin për të arritur objektivat sezonalë”, përfundon numri një i stolit dibran.

FATMIR ZHUZHI/ALBAN ALUSHI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"