Vetëm 4 pikë në 9 ndeshje, Tirana me hapin e fundit të tabelës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 21, 2017 | 18:10

Vetëm 4 pikë në 9 ndeshje, Tirana me hapin e fundit të tabelës

Vetëm katër pikë në nëntë ndeshjet e fundit në kampionat, e përkthyer në katër barazime dhe 5 humbje. Tirana prek fundin dhe duhet të kthejë kokën në vitin kur diskutonte mbijetesën për të gjetur këto rezultate kaq negative. Kur mendohej se barazimi 2-2 ndaj Skënderbeut kishte rikthyer identitetin e bardhebluve, ka ndodhur e kundërta.

Tirana stervitje 1

Të dielën në Gjirokastër skuadra e Mirel Josës dështoi sërish, për më tepër ndaj një rivali direkt për vendin e katërt, që këtë kampionat i ka marrë plot gjashtë pikë në tri ndeshje të luajtura. Për të gjetur fitoren e fundit të Tiranës në Kategorinë Superiore duhet të kthehesh plot tre muaj pas, pikërisht më 18 dhjetor kundër Luftëtarit në “Selman Stërmasi” me shifrat 2-0.

Bardheblutë patën shansin të konfirmojnë se barazimi ndaj kampionëve në fuqi nuk ishte një rastësi, por ranë në grackën e Luftëtarit, që në pjesën e dytë mund të kishte shënuar më shumë se dy gola. Një mbrojtje e shpërfytyruar dhe një sulm thuajse inekzistent. E megjithatë, çdo e keqe e ka një të mirë. Sulmuesit nga Mali, Moktar Cise, iu deshën plot pesë muaj që të shënonte golin e parë në Kategorinë Superiore.

Tirana dhoma e zhveshjes

I cilësuar si një nga dështimet e merkatos bardheblu, Cise u fut si zëvendësues në Gjirokastër dhe arriti të shkurtonte diferencën e golave në 2-1. Ishte më shumë një gol që vlejti për zhbllokimin e sulmuesit, nga i cili është pritur shumë në fillimin e sezonit, por përpara portës e ka pasur gjithnjë të vështirë të gjejë rrugën e rrjetës. Ndoshta goli ndaj Luftëtarit mund të jetë një ogur i mirë për vazhdimësinë e sulmuesit nga Mali, në një kohë që afrikani tjetër, Ifeani Edeh, ka shënuar deri më tani 3 gola.

Ndërkohë, ndeshja e radhës për bardheblutë është në shtëpi kundër Vllaznisë pas 10 ditësh. Skuadrës së Josës i vjen në ndihmë në këtë moment edhe kalendari, pasi do të luajë tri takime radhazi në shtëpi, fillimisht ndaj Vllaznisë, e më pas kundër Teutës dhe Laçit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"