Vetëm 31 pikë në 36 ndeshje, Skënderbeu është për “internim”/ 2022-shi ishte viti i rënies, ja bilanci i 365 ditëve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 1, 2023 | 18:34

Vetëm 31 pikë në 36 ndeshje, Skënderbeu është për “internim”/ 2022-shi ishte viti i rënies, ja bilanci i 365 ditëve

Në Korçë mezi prisnin që të mbaronte 2022-shi. Ishin pak (për të mos thënë aspak) kujtimet e bukura që kishte lënë 2022-shi në aspektin sportiv. Ishte më i dobëti në sezonet të fundit dhe kjo bazohet diku. Preku fundin pas 10 sezonesh në elitë.

skenderbeu

Skuadra që bëri histori dhe fitoi shumëçka për një dekadë të tërë, ra në Kategorinë e Parë. Ky bilanc i përket fundsezonit 2021-2022, e megjithatë as pasardhësi nuk është fort bindës. Aspak të kënaqshme rezultatet e arritura nga bardhekuqtë përgjatë 365 ditëve…

Nuk kanë një mesatare të denjë, pas lavdisë. Përgjatë një viti kalendarik, duke lënë mënjanë kupën, korçarët kanë luajtur plot 36 ndeshje nga të cilat kanë marrë vetëm 31 pikë në total. Shifra për “internim” këto, kur skuadra nuk ka arritur dot të grumbullojnë të paktën 1 pikë në një takim.

Nëse do të bënim një kalkulim më të saktë, korçarët kanë fituar vetëm gjashtë herë në këtë vit kalendarik, duke barazuar 14 herë dhe duke humbur 16 ndeshje në një vit të plotë.

REKORDET – Një Skënderbe i vogël ky që thyen rekorde negative, duke e çuar në 18 takime pa fitore serinë e vet në fillim të vitit 2022. 18 takime njëra pas tjetrës e kanë çuar Skënderbeun drejt rënies nga Kategoria Superiore, duke mos i dhënë mundësi aspak që të luftojë për mbijetesë.

TRAJNERËT – Si të mos mjaftonte një gjë e tillë edhe për sa u përket trajnerëve të ndryshuar brenda këtij viti korçarët mbajnë sërish një rekord të errët në epokën e Takajt në krye të klubit. Asnjëherë më parë Skënderbeu nuk kishte ndryshuar katër herë kryepankinën brenda 365 ditëve.

Një kalvar i nisur me Memellin, për t’u pasuar më pas me Skënder Gegën, rikthimin e Memellit sërish në krye të ekipit, këtë herë në Kategorinë e Parë, e deri te Gvozdenoviç. Një Skënderbe i tillë në Korçë nuk mbahej mend prej dekadash. Tani të gjithë shpresojnë që 2023-shi të jetë ndryshe.

LLAZI SARO – PANORAMSPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"