Vetëm 10 nën kontratë, Flamurtari zbret sot në fushë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 13, 2018 | 13:40

Vetëm 10 nën kontratë, Flamurtari zbret sot në fushë

Pushimet e Flamurtarit po shkojnë drejt fundit. Ekipi pritet që sot të startojë zyrtarisht përgatitjet nën drejtimin e Ilir Dajës. “Ekipi grumbullohet ditën e premte për të filluar përgatitjet për sezonin e ri futbollistik 2018-2019. Stërvitja e parë zhvillohet ditën e premte, datë 13 korrik 2018, ora 17:00 në Stadiumin ‘Flamurtari'”, ishte ky njoftimi i klubit. Por ka një problem.

flamurtari

Gjasat janë që grumbullimi të shtyhet. Kjo për faktin se ekipi është ende i paplotë dhe puna mund të mos fillojë dot me aq pak lojtarë. Në dispozicion të trajnerit janë vetëm ata që kanë rinovuar kontratën si Goran Siljanovski, Muhamed Useini, Emiljano Musta, Artim Pollozhani dhe Tomislav Bushiç, përfshi edhe Ibrahim Tungarën, i cili kthehet nga huazimi. Në dispozicion janë edhe lojtarët e rinj që mbyllën sezonin e kaluar në Vlorë, Fjoralb Deliaj, Edi Sali dhe Pano Qirko. Nga blerjet e reja është vetëm Idriz Batha. Pra, janë jo më shumë se 10 futbollistë, çka e bën të pamundur nisjen e përgatitjeve. Gjithsesi, pritet se çfarë do të ndodhë sot.

batha flamurtari

TAKIMI
Nisur nga situata më e fundit, trajneri kërkoi dje një takim urgjent me administratorin Sinan Idrizi. Ky i fundit, i sapokthyer nga Turqia, takoi Dajën kokë më kokë. Mësohet se gjithçka ishte e përqendruar te nisja e përgatitjeve, por edhe te çështja e merkatos, ku me shumë mundësi lojtarët që priten, kryesisht nga Skënderbeu, janë duke luajtur me dy porta. Gjergji Muzaka, Tefik Osmani, Gledi Mici dhe Marko Radas kanë dhënë fjalën se do të vijnë në Vlorë. Por, duket se në njëfarë mënyre po bëjnë presion sa u përket termave financiarë të kontratës, edhe pse klubi është i gatshëm të plotësojë çdo kërkesë.

Qirko

PORTA Ilir Daja është në kërkim të një portieri. Edhe pse klubi ka në dispozicion dy portierë, Salin dhe Qirkon, dhe trajnerit i kanë vënë njëfarë kushti për të mos hyrë në merkato për këtë pjesë, tekniku kërkon siguri. Duke qenë se Daja ka dorë të lirë në merkato është lënë i lirë që të vendosë edhe për portën. Te Flamurtari u përfolën portierët Isli Hidi dhe Enea Koliçi, por burime të fundit pranë klubit pohojnë se këto dy pista rrëzohen. Aktualisht po shikohet mundësia e gjetjes së një portieri tjetër dhe gjasat janë që të vijë nga jashtë Shqipërisë. Klubi po shqyrton disa emra duke parë disa DVD, por ende nuk ka një pistë zyrtare.

Ermal Sika

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"