Vesi që i shkaktoi telashe të shumta legjendës së basketbollit, ana e errët e Majkëll Xhordanit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 11, 2020 | 0:06

Vesi që i shkaktoi telashe të shumta legjendës së basketbollit, ana e errët e Majkëll Xhordanit

Episodi i gjashtë i dokumentarit sportiv “The Last Dance”‘, që i kushtohet karrierës së Majkëll Xhordanit, është ndalur te varësia që legjenda e NBA-së ka patur ndaj basteve.

MichaelJordanGolFGambling

Në fillimin e viteve ’90 bota ishte mësuar ta shikonte Majkëll Xhordanin si hero pa asnjë njollë, por në fakt kjo gjë nuk ishte e vërtetë. Dokumentari tregon në mënyrë të hollësishme anët e errëta të MJ, ku mbi të gjitha bie në sy varësia ndaj basteve.

LICEU

Që për Xhordanin ishte diçka normale vendosja e basteve, kjo kuptohet që në tregimet për vitet e liceut. Në librin e Roland Lazenbi “Micheal Jordan: The Life”, nëpërmjet një letre, Xhordan rrëfente se ishte i lumtur, pasi e dashura në atë kohë i kishte paguar një borxh, të cilin basketbollisti duhej ta shlyente pasi kishte humbur një bast (në atë kohë quhej Majk).

KOLEGJI

Edhe gjatë viteve në kolegj, Xhordan vijonte të vendoste baste të vogla me shokët, trajnerët dhe studentët. Në 2019-ën përfundoi në ankand një çek me vlerë 5 dollarë, i firmosur nga Majkëll Xhordan gjatë vitit 1984, pasi kishte humbur në bilardo kundër një studenti, ky i fundit kishte preferuar çekun në vend të kartmonedhës. Kjo zgjedhje rezultoi e mençur për studentin, pasi vitin e kaluar kjo copë letre u hodh në ankand, teksa çmimi fillestar ishte 1000 dollarë.

bj_on_mj

NBA Me kalimin në NBA, bashkë me përfitimet e mëdha, Xhordanit iu shtua edhe më shumë dëshira për të vënë baste, duke përfshirë praktikisht të gjithë ata që e rrethonin. Përveç lojërave me letra, MJ vendoste baste edhe me personat e sigurisë së arenave, baste të çuditshme të tipit: çfarë do të shfaqet në ekranin e madh të arenës? Ndonëse këtu MJ e dinte shumë mirë përfundimin dhe fitonte me “hile”…

SHOKËT E EKIPIT

“Preja” e tij e preferuar gjithsesi mbeteshin shokët e skuadrës, madje edhe ata që paguheshin më pak. Këtë Xhordan e bënte vetëm për t’i thumbuar dhe për t’u thënë: “Kam paratë e tua në portofolin tim”. Një gjë të tillë e konfirmon edhe deklarata e Uill Perdue: “Vinte te ne për të luajtur baste, ndërsa gjithnjë i thoshim: Pse dreqin vjen? Jeta e MJ ishte një kompeticion i vërtetë”.

SKUADRA E ËNDRRAVE

“Dream Team” Gjatë Lojërave Olimpike të vitit 1992, Majkëll Xhordan gjeti “parajsën” me protagonistët e “Dream Team”, duke zhvilluar pafundësisht lojëra me letra, me yje si Mexhik Xhonson, Çarls Barklei, Patrik Euing dhe Skoti Pipen, të cilët ishin të aftë t’u përgjigjeshin shumave të shfrenuara të Xhordanit në lojë. MJ gjithashtu vendoste për orë të tëra baste mbi sportin e golfit, madje edhe gjatë ditëve kur kishte ndeshje, duke shkuar deri aty sa të qëndronte pa gjumë, para sfidave.

maxresdefault

SLIM BOULER

Nëse letrat ishin më shumë për të kaluar kohën, bastet më të shpeshta të Xhordanit kishin të bënin me sportin e golfit, aty ku ai vendoste edhe shuma të majme. Në dokumentar flitet për një personazh të quajtur Xhejms ‘Slim’ Bouler, bastexhi dhe trafikant, të cilit Xhordan i kishte lëshuar një çek 57.000-dollarësh.

Fillimisht ish-ylli i Çikagos kishte deklaruar se bëhej fjalë për një hua, por para gjykatësve më pas e pranoi se bëhej fjalë për një shumë të cilën e kishte humbur ndaj Bouler, në baste golfi. Vetëm e vetëm për të luajtur me këtë personazh, Xhordan madje nuk kishte marrë pjesë në vizitat në Shtëpinë e Bardhë, gjatë viteve 1991 dhe 1992.

RIÇARD ESKINAS

Një zhurmë të madhe mediatike bëri rasti i Riçard Eskinas, sekser dhe ish-partner në golf i Xhordanit. Në librin “Majkëlli dhe Unë: Varësia ndaj lojërave të fatit”, Eskinas shkruan se Xhordan i detyrohet 1.25 milionë dollarë baste të humbura (madje në shumë raste këto baste ishin vënë në Karolinën e Jugut, vend ku ishte e ndaluar me ligj bastvënia). Xhordan e mohoi këtë gjë, megjithatë të dy gjetën akordin për 300.000 dollarë, por pas këtij rasti reputacioni i MJ mori një goditje të madhe.

ATLANTIK SITI

Në prag të ndeshjes së dytë në seritë e finaleve kundër Nju Jork “Knicks”, Xhordan pikaset duke vënë baste në Atlantik Siti. Vajtja e tij në Atlantik Siti nuk ishte diçka e pazakontë, por prania në ato momente, në një kohë ekipi i tij kishte humbur finalen e parë dhe mbi të gjitha pas rasteve Bouler dhe Eskinas, shkaktoi një zhurmë të jashtëzakonshme mediatike. Xhordan u mund edhe në finalen e dytë, luajti keq në takimin e tretë, për të shpërthyer më pas me 54 pikë në finalen e katërt, pasi kishte ndërprerë komunikimin me mediat.

Jordan-2

INTERVISTA ME AHMAD RASHAD

Situata ishte shumë e komplikuar, gjë që u pa qartë në intervistën me mikun e tij, gazetarin Ahmad Rashad në prag të finales së parë kundër Feniks Sans. Xhordan u shfaq i tensionuar, ndërsa prezantohej me syze dielli: “Nuk kam asnjë problem me bastet. Është vetëm një ‘hobby’. Mediat i kanë zmadhuar gjërat. Së shpejti kur të tërhiqem nga basketbolli, do të jetë gjëja e vetme që do të kujtojnë për mua.

E kjo mund të ndodhë në fund të këtij sezoni”, ishte shprehur tepër i irrituar në atë intervistë Xhordan. TËRHEQJA Për të qenë të sigurt që nuk kishte vënë baste mbi ndeshjet e veta, Liga nisi hetimet për veprimtaritë e Xhordanit, por nuk u zbulua asgjë, duke bërë që ylli i NBA të lirohej nga çdo akuzë. Megjithatë, kjo nuk i ndaloi teoritë konspirative për tërheqjen e MJ në tetor të vitit 1993, madje shkuan deri aty sa të lidhin vdekjen e të atit Xhejms, me borxhet e MJ në baste (u shkrua një artikull nga Mark Uiker).

DEKLARATA E DYSHIMTË PËR STERN 

Ishin të shumta aludimet që qarkullonin për tërheqjen nga basketbolli të MJ, ku thuhej se kishte qenë komisioneri David Stern ai që ia kishte “sugjeruar” për të mos i prishur imazhin NBA. Një teori që kishte lindur pas një deklarate të lëshuar nga Xhordan gjatë konferencës për shtyp, kur njoftoi tërheqjen: “Të rikthehem? Nëse David Stern do të ma lejonte”. Në fakt, Xhordan këtu i referohej një rregulli të kontratës, ku për një rikthim të mundshëm për sezonin 1993-1994, duhej marrë një miratim i cili varej pikërisht nga Stern.

5-things-you-didn_t-know-about-Michael-Jordan

BLERJA E HORNETS

Duhet theksuar se nuk është gjetur asnjëherë ndonjë provë kundër Xhordanit, që e implikon atë në baste të jashtëligjshme, pasi legjenda e NBA gjithnjë ka vepruar në mënyrë legale. Në momentet e blerjes së Sharlot nga MJ, Liga ndërmori të gjitha kontrollet rutinë dhe hetimet që bëhen në të tilla raste, por ata nuk gjetën asnjë shkelje nga e shkuara e Xhordanit, që mund ta pengonte për blerjen e klubit.

MAJKËLL XHORDAN SOT

Xhordan megjithatë edhe sot nuk ka hequr dorë nga bastet, këtë e dëshmojnë qartë edhe lojërat e shumta me letra në veçanti me Ron Harper. Vitin e kaluar Xhordan u bë protagonist në një seri gjuajtjesh gjatë një sfide me Kris Pol, ku në rast se do të mundej, ai do t’u dhuronte disa palë “Jordan” fëmijëve të pranishëm. Përfundimi… Xhordan dështoi në të gjitha gjuajtjet e tentuara.

XHORDAN3

BILANCI

Që Majkëll Xhordan ishte i fiksuar me bastet, kjo është shumë e mundshme. Gjithashtu nuk ka asnjë dyshim që bastet i kanë krijuar probleme me reputacionin, veçanërisht në vitin 1993. Por gjithashtu është po aq e qartë që ky ves nuk i ka shkaktuar asnjë efekt në stabilitetin ekonomik, pasi Xhordan është sportisti i parë në histori që ka kaluar shumën e 1 miliard dollarëve fitime. Përtej anës së errët ai mbetet një mit për të gjithë botën, një figurë e adhuruar, një sportist model dhe pikë referimi për brezat. Një ikonë e vërtetë, që konsiderohet si më i madhi i të gjitha kohërave në sportin e koshit.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"