“Vështirësia fillon tani, të ruajmë ritmin”, Tetova: Me Kastriotin është “detyrë shtëpie”, nuk dua gabime

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 1, 2022 | 10:14

“Vështirësia fillon tani, të ruajmë ritmin”, Tetova: Me Kastriotin është “detyrë shtëpie”, nuk dua gabime

Egnatia do të presë në shtëpi Kastriotin, në javën e gjashtë të Superiores, teksa përpara ndeshjes, për “Panorama Sport”, ka folur trajneri Edlir Tetova, i cili nuk ka ngurruar të shpalosë optimizmin e tij dhe të futbollistëve që drejton.

EDLIR TETOVA 1

Si është situata tek Egnatia?

Po kalojmë një moment të mirë në tri ndeshjet e fundit në kampionat, ku arritëm dy fitore të rëndësishme ndaj Laçit e Vllaznisë, si dhe barazimin në transfertë pa gola ndaj Bylisit. Një frymëzim më shumë ishte fitorja e pastër edhe gjatë mesjavës ndaj Shkumbinit. Djemtë që u aktivizuan e justifikuan veten dhe për ketë foli edhe rezultati.

Si e prisni sfidën e sotme me Kastriotin?

Motivimi ynë është i lartë dhe kjo na nxit të hyjmë sot në fushë ndaj krutanëve për të dhënë e marrë më të mirën. Ruajtja e vazhdimësisë arrihet duke fituar pikët maksimale, aq shumë kur luajnë para tifozëve tanë që janë të mrekullueshëm.

A do të ketë ndryshime në formacion?

Formacioni ynë do të dalë nga grupi që kemi përdorur më tepër në 5 javët e para të kampionatit dhe në raport me 11-shen që luajti në Kupë, ku u aktivizuan edhe disa lojtarë që kanë pasur më pak minuta në kampionat. Do të koncentrojmë më mirë formacionin bazë me Kastriotin. Patjetër futbollistët që janë më në formë për momentin janë më në fokus. Me pak ndryshime, por me vlerësim në maksimum për sfidën e radhës ndaj krutanëve, dua që ta shndërrojmë fitoren tonë në “detyrë shtëpie” e bërë pa asnjë gabim.

Egnatia në tri ndeshjet e fundit në kampionat ka marrë dy fitore e një barazim. Sa ju shërben kjo situatë që duket e mirë?

Është e vërtetë që në tri takimet e fundit të kampionatit kemi bërë mirë, por më e rëndësishme është ecuria dhe mbajtja e ritmit. Mendoj se jo vetëm për ne, por dhe për skuadrat e tjera tani fillojnë vështirësitë.

Ndonjë problem nga dëmtimet?

Për momentin nga lojtarët që janë në dyshim për formacionin për shkak dhe të një dëmtimi që ka pasur është vetëm kapiteni Santos Xhekson. Mesfushori me tipare sulmuese, Redon Mihana, ka dy ditë që është bashkuar me grupin dhe thuajse e ka kaluar dëmtimin dhe është gati të sakrifikojë nëse do të përfshihet në formacion.

FATMIR EFICA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"