Verdheblutë e Elbasanit nuk dinë të ndalen, “rrëmbejnë” një bomber për sulmin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 18, 2022 | 18:01

Verdheblutë e Elbasanit nuk dinë të ndalen, “rrëmbejnë” një bomber për sulmin

Akademia e Futbollit Elbasani nuk ka ndër mend të ndalet në merkato. Në klub po nxitojnë që të mbyllin marrëveshjet e para dhe jenë gati për sezonin 2022-2023, ku do të militojnë në Kategorinë e Dytë.

Sejdini

I fundit që kanë bindur është Artur Sejdini. Kampionatin e fundit sulmuesi e mbylli te Sopoti dhe bëhet fjalë për shënuesin më të mirë të librazhdasve, eksperienca e të cilit do t’u bëjë mjaft punë verdhebluve. Futbollisti është i shumëshëtitur në disa skuadra në inferiore dhe ka spikatur me golat e tij. Ai ka pasur një takim me administratorin Mareglen Çoku dhe kanë rënë dakord që t’u bashkohet. E thënë ndryshe, 29-vjeçari do të jetë pjesë e elbasanasve.

Në këtë mënyrë, Gentian Stojku siguron edhe majën e sulmit, pas afrimeve të bëra më herët në mbrojtje dhe mesin e fushës. Deri tani shkon në katër numri i të afruarve në skuadër, ku pas Arsen Kasës, Ledio Koçit dhe Klajdi Broshkës, ekipit i bashkohet edhe Artur Sejdini.

Elbasani Stojku

Klubi ka nisur shumë herët me zyrtarizimet, në mënyrë që kur të startojnë përgatitjet, të jetë një grup i kompletuar dhe i gatshëm për të përballuar një sezon të gjatë dhe të vështirë siç është Kategoria e Dytë. Sezonin e kaluar AF Elbasani mori pjesë në Kategorinë e Tretë dhe u ngjit më lart duke u shpallur edhe kampion, pikërisht disa muaj pas krijimit të saj.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"