Vendosin penalltitë, Sevilja fiton Ligën e Europës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 14, 2014 | 23:37

Vendosin penalltitë, Sevilja fiton Ligën e Europës

SeviljaMallkimi i Benfikës vazhdon. Plot 52 vite pasi ish-trajneri Bela Gutman i “dënoi” që të mos triumfonin për 100 vite në Europë, dje luzitanët humbën finalen e tyre të tetë në kontinent. Skuadra e trajnerit Zhezus u gjunjëzua prej penalltive, ndërkohë që Sevilja ngriti për herë të tretë trofeun e Ligës së Europës. Në një ndeshje me ritëm të lartë dhe shumë raste për shënim, asnjë prej skuadrave nuk arriti të gjente rrugën e rrjetës pas 120 minutash lojë.
Ndeshja Trajneri Zhezus nuk ndryshoi asgjë nga stili i Benfikës së tij, duke zbritur në fushë me modulin 4-3-3 dhe me një lojë tejet ofensive. Nga ana tjetër, Sevilja mendoi të kishte një mbrojtje dhe mesfushë kompakte, për të tentuar golin me kundërsulme. Ishin portugezët që e nisën lojën me më tepër besim dhe mbyllën në gjysmëfushën e tyre spanjollët. Gaitan dhe më pas Rodrigo kërkuan të zhbllokonin rezultatin, por gjetën një Beto të jashtëzakonshëm, i cili e ruajti shkëlqyeshëm portën. Pas vetëm 25 minutash, Sulejmani u dëmtua dhe u zëvendësua në mënyrë surprizuese prej Almeidës. Sevilja guxoi më tepër dhe vuri dy herë radhazi në vështirësi kundërshtarin. Madje, në të 37-ën minutë, Baka kërkoi një 11-metërsh për një pengim brenda zonës, por që arbitri Brysh nuk ishte i të njëjtit mendim. Kur pjesa e parë po shkonte në barazim pa gola, Luizao dhe Maksi Pereira goditën dy herë portën e Betos nga një distancë prej vetëm pesë metrash, por në mënyrë të pabesueshme topi u devijua saktësisht nga gardiani portugez, i cili është përballur shumë herë në të shkuarën me Benfikën.
Pjesa e dytë Skuadrat dhuruan një futboll akoma më spektakolar, me shumë raste për shënim, por me shënjestër të gabuar. Të dyja ekipet hoqën dorë nga detyrat mbrojtëse dhe zhvilluan një futboll total, me pak pasime në mesfushë dhe me aksione të rrufeshme. Dukej sikur ishte një “bast” se cila do të arrinte të shënonte golin e parë, por para portës askush nuk arriti të ishte i saktë. Rejes, Baka e Vitolo për Seviljen bën që trajneri Emeri t’i vinte duart në kokë, kur përballë me Jan Oblak nuk mund të shkundin rrjetën. Nga ana tjetër, ishin Rodrigo, Lima dhe Gaitan që shpërdoruan mundësi të shkëlqyera për shënim. Pikërisht në sekondat e fundit mendoi Garaj që ta çonte ndeshjen në shtesë. Pas një krosimi në zonë nga goditja e këndit, gjuajtja e tij fluturimthi nuk shkoi në kuadrat dhe bëri që koha e rregullt të përfundonte në barazim pa gola.
Shtesa Në 15 minutat e para, ekipet u dukën sikur nuk e ndjenin lodhjen dhe vazhduan të vraponin me një ritëm mbresëlënës në fushë. Gjithsesi, “skenari” ishte i njëjtë si me 90 minutat e kaluara, kur para portës askush nuk arrinte të ndëshkonte. Karlos Baka ndërmori një kundërsulm të shpejtë, por në diagonale me portën topi “flirtoi” me shtyllën. Në dhjetë minutat e fundit u duk sikur futbollistët pranuan fatin e penalltive dhe pritën vërshëllimën e fundit të gjyqtarit Brysh.
Penalltitë Një portugez u bë hero për spanjollët. Portieri Beto i Seviljes grushtoi dy nga katër 11-metërshat e Benfikës, saktësisht të Kardozos dhe Rodrigos. Ndërkohë, djemtë e Emeri nuk gabuan në asnjë rast dhe i dhuruan klubit triumfin në “kupën e vogël” të Europës…

“Kishim shumë probleme, triumf me sakrifica”
“Jam shumë i lumtur dhe krenar për futbollistët e mi. Ka qenë një ndeshje e jashtëzakonshme. Ekipi nuk ishte në formën e tij më të mirë fizike. Lojtarët ishin të lodhur dhe disa prej tyre kishin probleme, gjithsesi sakrifikuan. Besuan te fitorja dhe ia dolën mbanë. Kishim përballë një kundërshtar shumë të fortë, por nuk u shpërqendruam për asnjë moment. Sevilja meriton të jetë në majën e Europës”, – deklaroi trajneri i Seviljes, Unai Emeri, i cili fitoi edhe trofeun e tij të parë.

Garaj: Nuk fitoi më i miri
Mbrojtësi i Benfikës, Ezekiel Garaj, mendon se nuk mund të bënin dot më shumë se aq. “Dominuam dhe krijuam shumë raste për shënim. Merituam të fitonim, mbase edhe me dy gola diferencë. Fati nuk ishte në anën tonë. Nuk mund të bënim më tepër se aq. Në futboll ndodh edhe që të mos fitojë skuadra më e mirë dhe ndodhi pikërisht në finalen e Ligës së Europës. Jemi të zhgënjyer”, tha Garaj.

Soriano, golashënuesi më i mirë
Sulmuesi spanjoll i Salzburgut, Xhonatan Soriano, është shpallur golashënuesi më i mirë i Ligës së Europës. Futbollisti 28-vjeçar arriti të shënonte plot tetë herë, në 565 minuta aktivizimi. Ai ka lënë pas vetes Pako Alkaserin e Valencias, i cili gjeti rrugën e rrjetës në shtatë raste. Ndërkohë, sa u përket asisteve, kryesojnë Bibras Natkho i Rubin Kazanit dhe Kevin Kampl i Salzburgut, të cilët kanë dhënë pesë të tillë. Izraeliti i klubit rus e ka realizuar një gjë të tillë për vetëm 450 minuta lojë, ndërsa Kampl për 318 minuta më tepër se sa ai.

Mallkimi i Bela Gutman, ja finalet e humbura
Në vitin 1962, Benfika fitoi trofeun e dytë radhazi të Kupës së Kampioneve dhe trajneri hungarez Bela Gutman, që i kishte mbështetur sukseset e tij te legjenda Euzebio, prezantohet ditën tjetër në klub për të nënshkruar rinovimin e kontratës, nga e cila kërkonte një pagë më të lartë. Edhe pse shkoi që herët në mëngjes dhe me optimizmin për të vazhduar, drejtuesit i përplasin në fytyrë shkarkimin. Gutman “mallkoi” klubin pas shkarkimit, duke thënë: “Benfika nuk do të fitojë më asnjë trofe europian për 100 vite”. Dhe, deri më sot, ky mallkim i ka shkaktuar jo pak dëme, pasi prej 52 vitesh nuk kanë triumfuar në kontinent dhe kanë humbur plot tetë finale: Milan-Benfika 2-1 (1963), Inter-Benfika 1-0 (1965), Mançester Junajtid-Benfika 4-1 (1968), Anderleht-Benfika 1-1, 1-0 (1983), PSV-Benfika 0-0 (humbasin me penallti 1988), Milan-Benfika 1-0 (1990), Çelsi-Benfika 2-1 (2013) dhe e fundit ajo e djeshmja me Seviljen.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"