Vendimi/ Kukësi ndërpret komunikimin me gazetën “Panorama Sport”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 8, 2017 | 11:16

Vendimi/ Kukësi ndërpret komunikimin me gazetën “Panorama Sport”

Klubi i Kukësit ka lajmëruar dje se ndërpret çdo komunikim me gazetën “Panorama Sport” pas ngjarjeve të fundit. “Duke nisur që nga dita e sotme (dje), klubi ynë është i detyruar të ndërpresë çdo komunikim me gazetën e përditshme ‘Panorama Sport’. Kjo ngrirje e marrëdhënieve do të jetë deri ditën kur drejtësia do të vendosë për padinë që ne kemi bërë si klub ndaj kësaj gazete për shpifje.

panorama-kukesi

Ne tashmë jemi në gjyq me këtë organ dhe do presim vendimin e zbardhjen e së vërtetës dhe më pas do shkojmë dhe drejt hapave të tjera të padisë në shkallët e drejtësisë. Ritheksojmë se gjatë të gjithë kësaj periudhe që Kukësi ka qenë në elitën e futbollit shqiptar dhe pjesëmarrës me rezultate mbresëlënëse në Europë, politika editoriale, por dhe kronika e kësaj gazete ndaj nesh ka qenë dashakeqëse dhe opinioni publik është keqinformuar me dashje, pasi gazeta mban hapur anën e ekipeve rivale të Kukësit.

Madje, rasti më flagrant ka qenë edhe hetimi i sivjetshëm i Prokurorisë Austriake për ‘trukim’ nga ana e ekipit tonë, kur gazeta në fjalë nuk mbajti qëndrim korrekt, por anoi dhe besoi nga akuzat e pabaza ndaj nesh, duke ndikuar rëndë te psikologjia e lojtarëve para ndeshjes me Sherif Tiraspol. Përgjigjja më e mirë erdhi këto ditë nga Vjena, ku u vërtetua katërçipërisht nga gjithë hetimet se Kukë- si nuk ishte përfshirë në asnjë trukim apo paravendosje rezultatesh.

Kukësi, e themi me bindje, se e ka ngritur lart ‘Flamurin Kombëtar’ dhe flamurin dhe simbolet e klubit në shumë stadiume europiane. Gazetës në fjalë kurrë nuk i ka munguar informacioni dhe e drejta për të marrë këtë informacion nga klubi në anën zyrtare, por ka preferuar rrugë të tjera që ajo ka gjykuar me regjistrime, me persona të paautorizuar, që gjithsesi, edhe pse për ne janë të pamoralshme, janë rrugë që gazeta i përzgjedh vetë.

Jo vetëm stafi teknik, lojtarët, por edhe vetë presidenti i klubit vazhdimisht janë prononcuar për gazetën, por në faqet e saj ka pasur lajme të rreme për takime të presidentit dhe fjalë që nuk janë thënë kurrë. Është shkruar me të madhe edhe në faqet e para për ikje lojtarësh që janë tani te Kukësi, për lojtarë dhe trajnerë që kurrë nuk janë përmendur te Kukësi dhe që në faqet e gazetës kanë nënshkruar, duke dhënë edhe detaje rrogash e kontratash.

Dhe kjo për të rritur interesimin e lojtarëve dhe stafit, të përmendur në faqet e gazetës dhe për ngritjen e tregut të tyre, sikur po i kërkon Kukësi”, thuhet në reagimin e klubit. Më tej, komunikata vazhdon: “Edhe pse gazeta më e madhe në vend, ku ekipit kampion i takon hapësira më e madhe, ‘Panorama Sport’, nuk e ka bërë këtë gjë dhe nuk ia imponojmë, por për aludime dhe keqinformime kemi pasur gjithmonë faqen e parë.

Prania e gazetarëve të kësaj gazete në aktivitet tona stërvitore dhe zyrtare është minimale, sidomos në ndeshjet dhe aktivitetet në Kukës, duke u marrë më shumë me ndonjë lojtar apo anëtar të stafit që, në mënyrë të pamoralshme, dërgon në gazetë dhe informacione të paqena. Gazeta mund të vijojë me rrugët që ka pasur deri tani dhe me njerëz që nuk janë pjesë e klubit. Ne vijojmë rrugën tonë”, thuhet në komunikatën e klubit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"